/2L ONLINE/ – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, përmes një komunikate ka bërë me dije qëndrimin e saj se Kryetari i komunës së Gjilanit edhe pas 15 muajsh të udhëheqjes, ende asnjëherë nuk ka arritur ta kompletojë qeverisjen e tij me drejtor të drejtorive komunale. Drejtimi i institucioneve komunale pa drejtor, tregon paaftësinë totale të kryetarit të komunës për të udhëhequr dhe zhvilluar komunën e Gjilanit në shumë sektorë të rëndësishëm.
Në këtë komunikatë të PDK-së thuhet tutje se mos realizimi i të ashtuquajturit ri-formatizim i qeverisjes komunale, i paralajmëruar disa herë gjatë vitit nga ana e kryetarit të komunës, po ashtu tregon joseriozitetin dhe mos guximin e tij për të marr vendime me përgjegjësi institucionale. Ky problem i kësaj qeverisje tregon se që nga fillimi, nuk kanë pasur kuadro të përgjegjshme dhe profesionale për të emëruar dhe vendosur në pozita udhëheqëse të institucioneve komunale.
Vet fakti, që tri drejtori komunale deri më tani janë udhëhequr me ushtrues detyre, me kuadro jo adekuat dhe jo profesional, shpreh pamundësinë e këtij kryetari të komunës, që të emëroj drejtor me përgjegjësi dhe dinjitet në këto pozita.
“Është e pa pranueshme që sot aktualisht Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ta drejtojë një inxhinier i bujqësisë. Është e papranueshme që ky kryetar komune të emërojë zyrtar komunal në pozita udhëheqëse, që në të njëjtën kohë ata janë nën hetime nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprat penale të kryera nëpër institucionet të cilat kanë ushtruar detyrat e tyre. Është e pranueshme që zyrtarë komunal të shkarkuar nga vet qeverisja e LDK-së (në vitet 2006/07) për keqpërdorime dhe kryerjen e veprave të jashtëligjshme , sot të kthehen e të punësohen nga Lutfi Haziri edhe pse vendimi i Gjykatës Supreme ia ka ndaluar që të kthehen në vendin e tyre të punës në komunë”, thuhet tutje në komunikatë ne PDK-së.
Qeverisja Haziri, është qeverisje e jashtëligjshme, me zyrtarë e udhëheqës që janë nën hetime për vepra të ndryshme penale, të gjykuar edhe nga Gjykatat e Republikës së Kosovës, me zyrtarë të paaftë dhe të dështuar për të kryer detyrat me përgjegjësi dhe me kompetencë.
“Këtë gjendje të rëndë, në një formë e ka pranuar edhe vet kryetari i komunës, i cili disa herë ka paralajmëruar ri-formatizimin e qeverisjes së tij. Por ky proces duhet fillimisht të pastrojë këtë qeverisje nga persona të dëmshëm dhe pengues për funksionimin normal të institucioneve komunale. Ky ka qenë edhe premtim i Lutfi Hazirit se do të qeverisë me duar të pastra, ndërsa deri më tani është dëshmuar e kundërta e saj, ku persona të akuzuar për keqpërdorime dhe që janë nën hetime po drejtojnë pozita udhëheqëse në komunën e Gjilanit. Së paku për këto probleme serioze të qeverisjes komunale, nuk mund të fajësohet qeverisja e kaluar komunale, për shkak të borxheve të gjetura, e cila është bërë një arsyetim qesharak për dështimet e plota të qeverisjes Haziri në Gjilan”thuhet tutje në komunikatën e Degës së PDK-së së Gjilanit. /2L ONLINE/