Kryesia e Degës së PDK-së në Skenderaj ka reaguar pas vendimit të Trupit Gjykues për vazhdimin e paraburgimit ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve në këtë proces, në veçanti pas ngritjes së aktakuzës nga prokurori.
Dega e konsideron vazhdimin e paraburgimit si vendim politik dhe shpreh qëndrimin e saj në raport me zgjedhjen dhe betimin e Lushtakut.
“Informojmë opinionin publik se tendenca e një pjese të këtij opinioni që Skenderaj do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe se z. Lushtaku nuk do të mund ta bëjë betimin, nuk qëndrojnë, pasi sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale betimi jepet në mënyrë solemne ose me deklaratë të shkruar dhe nënshkruar nga i zgjedhuri. Kryetari Lushtaku është i gatshëm në çdo kohë të nënshkruaj deklaratën e betimit”, thuhet në reagimin e kësaj Dege.
Dega e PDK-së në Skenderaj thotë se Lushtaku në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit është zgjedhur nga mbi 88 për qind e qytetarëve të Skenderajt, “andaj të gjithë ata që këto ditë trumbetuan zgjedhje të jashtëzakonshme për Skenderajn janë dashakqinj të demokracisë dhe injorues të vullnetit të qytetarëve, të cilët e konfirmuan mbështetjen e fuqishme për PDK- në dhe Kryetarin Sami Lushtakun”.