/2L ONLINE/ – Rezultatet e vendimit të Lutfi Hazirit për shuarjen e drejtorisë komunale për Kulturë, Rini dhe Sport, po shihen sot pas një viti. Ku sektori i kulturës është i anashkaluar plotësisht, rinia e selektuar dhe në shërbim të politikës, sporti i degraduar dhe drejtë falimentimit të shumë klubeve sportive e të sukseshme që ka pasur Gjilani. Aktivitetet e mijëra sportistëve, artistëve dhe e të rinjëve po shuhen nga mungesa e skajshme e përgjegjësisë dhe mos mbështetjes së institucioneve komunale të Gjilanit.
Kështu thuhet në një reagim të Komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport, të Degës së PDK-së në Gjilan, ku shtohet tutje se pakënaqësitë, ankesat dhe vërejtjet e shumta që sot shumë klube sportive me shqetësime serioze po i adresojnë ndajë komunës dhe drejtpërdrejtë ndaj kryetarit Lutfi Haziri, tregojnë më së mirë gjendjen e rëndë me të cilën sot po ballafaqohet sporti Gjilanas. Ku përveç mungesës së plotë të investimeve kapitale në infrastrukturën e sport, nga qeverisja Haziri mungon edhe mirëmbajtja e shumë investimeve që janë bërë gjatë qeverisjes së PDK-së në Gjilan, ku u ndërtuan shumë fusha të reja sportive, salla të sporteve, klubeve sportive mbështetje financiare në maksimum krahas mundësive që kishte komuna.
“Ka dy vite që Lutfi Haziri ka nisur disa fusha sportive të projektuara dhe tenderuara nga qeverisja e PDK-së, por ende janë në fazën fillestare, përshkak të shkeljeve ligjore dhe mosrespektimit të procedurave ligjore. Aktualisht është kompania e tretë (nga Ferizaji) të cilës i është dhënë tenderi për të implementuar projektet e njejta, e që dy kompanive të tjera (nga Gjilani) pasi u janë dhënë tenderat, u janë anuluar kontratat për realizimin e këtyre projekteve”, thuhet tutje në këtë reagim të PDK-së.
Më tej thuhet se “Sporti në Gjilan nuk po mund të mbijetojë, nuk ka përkrahje institucionale që është shumë lehtë e realizueshme sikur të kishte vullnet kryetari Haziri, nuk ka mbështetje financiare si pasojë e joseriozitetit dhe mos angazhimit të institucioneve komunale. Ndaj shumë klubeve sportive nuk po kryhen obligimet financiare për të cilat është zotuar Kuvendi Komunal, kështu duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrjen në garat sportive”.
“Turpi më i madh që po e bënë Lutfi Haziri është ndalesa që ua ka bërë qindra sportistëve dhe fëmijëve për të shfrytëzuar hapësirat e sallave sportive për të zhvilluar aktivitetet e tyre sportive. Kjo pengesë e pakuptimtë dhe e paarsyeshme ka ekzistuar vetëm deri në vitin 1999 dhe dihet nga kush kanë ardhur ato pengesa. Kjo qasje degraduese e kryetarit të komunës ndaj sportit është e papranueshme dhe e turpshme. Në popull thuhet një fjalë e urtë “Nëse mirë nuk mund të bësh, bile keq mos bon”. E Lutfi Haziri nuk duhet të bëjë keq edhe pse asgjë nuk mund të punojë e bëjë mirë për sportin Gjilanas, edhe nëse asnjë premtim nuk pritet ta realizojë gjatë mandatit të tij të humbur për qytetarët, e i dështuar si kryetar komune dhe i njohur për mashtrime dhe dëme që i ka bërë komunës së Gjilanit, sa herë i ka ardhur rasti politik”, thuhet në fund të reagimit të Komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport, dega e PDK-së Gjilan. /2L ONLINE/