(2LONLINE) – “Çuditërisht, LDK e Lutfi Haziri, edhe në paraqitjen e fundit publike nga kampi i tyre, përsëri po përdorin fjalën ushtar, një nocion për të cilin ky i fundit nuk është i denjë t’i dalë zot; nocion i cili, siç kemi thënë, përbën turpin më të madh të jetës së tij! Ende nuk po e kuptojmë se për ku do t’i nisë a për ku po i rekruton Lutfi Haziri – siç po i quan ai – ushtarët e Ibrahim Rugovës?! “, thuhet në një reagim të lëshuar nga Sektori për Informim i Shtabi Zgjedhor të Degës se PDK në Gjilan.
Më tej në këtë reagim thuhet:
“Po i rikujtojmë Lutfi Hazirit dhe do t’ia rikujtojmë sa herë të harrojë a të mendojë që kemi harruar, se i kemi të freskëta zhvillimet e luftës dhe paraqitjen e tij në proceset gjyqësore të Gjilanit, nga të cilat shpëtoi duke ngarkuar ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurse anëtarëve të LDK-së, që duan të rekrutohen në ushtrinë fantome të Lutfi Hazirit, ua rikujtojmë se komandanti i tyre fantom, disfatisti Lutfi Haziri është frikacak dhe dezertor edhe i asaj ushtrie që s’u bë kurrë, e lëre më të ju udhëheq një ushtri reale”.
“Nëse s’është kështu, le të përgjigjet komandanti i juaj fantom i ushtrisë që s’u bë kurrë! Por ju sigurojmë që nuk do të ketë përgjigje, as si intelektual, as si politikan, as si kryetar, as si ushtar, as si shqiptar – sepse në asnjërën nga këto profile nuk është pa të meta! Sikur nuk u kundërpërgjigj as në reagimet tona paraprake, në të cilat i kemi treguar se cila është lidhja e tij me ushtarët! E në rast të një përgjigjeje nga kushdo tjetër, do të konfirmohet që ai, as në këtë rast nuk do të merr guximin dhe nuk do të gjejë arsyen apo kundërargumentet që të përgjigjet! Kurse ndonjërit, i cili ka marrë përsipër t’i presë topat jashtë fushe, ia bëjmë me dije paraprakisht që këto fakte që po i publikojmë për të, nuk janë akuza, sepse kurrë s’e kemi akuzuar për këto ligësi e mospërmbajtje në gjyqet në fjalë, nga që e kemi pasur parasysh karakterin e tij të dobët! Porse nuk mund t’ia falim këtë edhe në komunikimin publik, posaçërisht kur ai merr guximin të propagandojë me aq krenari ushtri fantome, pa kërkuar falje paraprake për rëndimin që u ka bërë ushtarëve të UÇK-së”
“Ia rikujtojmë Lutfi Hazirit se fjala USHTAR, në kontekstin e luftës së fundit, iu përket vetëm ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Është kështu, pasi për ushtrinë e Ibrahim Rugovës vetëm është folur, por s’është prekur në realitetin fizik – veçse në fantazmat që i besojnë vetëm të shastisurit si Lutfi Haziri! Ushtari i Ibrahim Rugovës është një imazh që shfaqet vetëm në mendjet tij, një iluzion i cili e ka përfshirë vetëm atë – një fantazmë me të cilën do të luftojë, kushedi se kundër kujt! Të gjithë e kujtojmë fjalinë e famshme të avokatëve të tij, të cilët, në emër të mbrojtjes kishin deklaruar se: “Lutfi Haziri s’ishte terrorist, sepse nuk ishte zënë me uniformë sikur të tjerët aty; nuk kishte qenë në zonat e luftës sikur të tjerët aty”! Aludim ky, me të cilin u ngarkuan ushtarët e tjerë në të njëjtin proces – luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – disa prej tyre tani dëshmorë të kombit. Ishte ai proces famëkeq, i paharruar për Gjilanin, nga i cili kishin dalë të tronditur edhe avokatët mbrojtës të ushtarëve të UÇK-së, pasi ushtarët e UÇK-së që po akuzoheshin, nuk po ngarkoheshin vetëm nga prokuroria serbe, por edhe nga mbrojtja e Lutfi Hazirit, me ç’rast po atë ditë, në po ato çast, një prej avokatëve që po mbronte grupin e UÇK-së, pati infarkt dhe ndërroi jetë – mbase nga kjo situatë! Andaj, me Partinë Demokratike të Kosovës në pushtet, garantohet vazhdimësia e mbrojtjes së identitetit, dinjitetit dhe krenarisë kombëtare të ushtarit të UÇK-së, për angazhimin e vazhdueshëm atdhetar, në kohë pushtimi, në kohë lufte sikundër edhe kohë paqeje – e cila, më parë se kujtdo tjetër, u atribuohet atyre”, thuhet në fund të reagimit të Sektorit për Informim të Shtabit Zgjedhor të Degës se PDK në Gjilan. /2lonline/