DYLON

PDK-LDK, koalicion i zorit

Avatar photo Redaksia

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se arritja e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së nuk përbën asnjë risi për qytetarët e Kosovës.

Krasniqi këtë koalicion e ka quajtur koalicion të zorit. “Nuk është lehtë të jepet një vlerësim i këtij koalicioni, kur edhe vetë aktorët e këtij koalicioni e quajnë: ‘koalicion të zorit’. Për çfarë zori po flasin ata? Në këtë rast, arsyeja e shëndosh nuk ka si mos ta shtrojë pyetjen: Nëse ky koalicion është në interes të qytetarit, pse nuk u arrit brenda afatit optimal (30 ditë pas rezultatit zyrtar të zgjedhjeve)? Pse u deshtë të kalojnë pesë e më shumë muaj deri te konstituimi i Kuvendit (që ende nuk është konstatuar) dhe ndarja e posteve qeveritare?”, ka thënë Krasniqi në intervistën për “Epokën e re”.

EkoHigjiena

Ai ka shprehur skepticizëm se ky koalicion do të mund të sjellë ndryshime pozitive. “Ky koalicion nuk përbën ndonjë risi për qytetaret e vëmendshëm të Kosovës, aq më pak për njerëzit që kanë qenë pjesë e politikës dhe janë rritur me këto parti politike, të cilat kanë vështirësi për t’i qëndruar besnik asaj që e deklarojnë. Për mua nuk është problem se a do të shkojnë deri në fund, e rëndësishme është sa do t’i përfitojnë qytetarët nga qeverisja e këtij koalicioni, apo do të përfitojnë vetëm qeveritarët e të dy partive të koalicionit. Unë mbes skeptik, se ky koalicion do të sjellë ndryshime pozitive në qeverisjen e vendit. Dëshiroj të jam i gabuar në atë që thash!?”, ka vlerësuar Krasniqi, duke shtuar se gjatë të gjitha mandateve që kanë qeverisur e bashkëqeverisur këto dy parti, qytetarët nuk kanë vërejtur sundim të ligjit, aq më pak zhvillim ekonomik e mirëqenie qytetare.

Duke e komentuar arritjen e koalicionit PDK – LDK pesë muaj pas zgjedhjeve, Krasniqi ka shprehur keqardhje që mashtrimi vazhdon të mbetet vlerë e politikës sonë. “Pas zgjedhjeve (me formimin e koalicionit paszgjedhor), u duk se politika jonë kishte arritur një pjekuri politike për të marrë vendime autonome e në interes të vendit. U duk, gjithashtu, se në politikën tonë fjala e marrëveshjes po merrte dimensione të reja vlere. Se politika jonë po bisedonte pa ndërmjetësues për interesat e vendit. Se qëllimi i saj nuk ishte fati apo fatet personale të individit/ve, por në rend të parë po dilte interesi i qytetarëve dhe i vendit. Në fund, të gjitha këto mbeten një ëndërr e mirë. Më vjen keq që mashtrimi vazhdon të mbetet ‘vlerë’ e politikës sonë, nëse dëshiron të mbijetosh!?”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka vlerësuar se në cilindo vend ku formohen koalicionet e mëdha, opozita ka vështirësi për ta kryer rolin e saj kushtetues mirëpo, sipas tij nëse ka unifikim, opozita mund të shpalosë vlera të reja opozitare e demokratike. “Tek ne këtë vështirësi e shton edhe vetë niveli i demokracisë, e cila lë për të dëshiruar shumë. Tek ne vështirësinë e ngrit në një shkallë edhe mungesa e numrave, por besoj shumë se edhe opozita do të ketë rast t’i tregojë vlerat e saj politike. Kjo opozitë, nëse vërtet dëshiron të tregohet në përgjegjësinë e detyrës, unifikimi bëhet domosdoshmëri, por secili grupim politik duhet ta tejkalojë vetveten”, ka theksuar Krasniqi.

http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=55900&Ctype=1

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.