/2L ONLINE/ – Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal në Gjilan, nga radhë e PDK-së thotë se shkeljet e shumta ligjore dhe procedurale në vendimet e institucioneve komunale, janë bërë dukuri normale e qeverisjes Haziri. Nuk ka mbetë institucion që nuk ka shpallur nga disa vendime të paligjshme që i ka marr komuna e Gjilanit, duke filluar nga ministritë e ndryshme, Organi i Shqyrtimit të Prokurimit Publik, Agjensioni Kundër Korrupsionit, Gjykata Themelore dhe së fundi edhe KPMSHCK.
Në një reagim në emër të Grupit të Këshilltarvëe Komunal të PDK-së, Rashiti thotë se Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka anuluar konkursin e datës 13.08.2014 për vendin e punës “Drejtor i Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Asllan Elezi” në komunën e Gjilanit”, që ishte përzgjedhur Shaban Tërstena por në kundërshtim të plotë me procedurat ligjore. Për të cilat shkelje ligjore, kemi reaguar edhe ne me kohë, si anëtarë të Kuvendit Komunal, shprehet Riad Rashiti.
Sipas tij, Kolegji i këtij Këshillipërmes vendimit të marr, e ka obliguar kryetarin e komunës Lutfi Haziri, që brenda 15 ditësh të respektojë dhe zbatojë vendimin e saj, duke e larguar Shaban Tërstenën nga pozita e drejtorit të kësaj shkolle, si dhe të ndërmarrë veprimet dhe masat e përcaktuara me ligjislacionin për shërbimin civil të Kosovës. Mirëpo ky kryetar joligjor edhe pas kalimit të këtij afati, ende nuk ka bërë asnjë veprim të kërkuar nga KPMSHCK, për çka do të barten edhe pasoja tjera në dëm të komunës së Gjilanit.
“Gjatë shqyrtimit të kësaj çështje, ky kolegj poashtu ka konstatuar se komuna e Gjilanit nuk ka bashkëpunuar fare me Këshillin e Pavarur Mbikqyrës, duke mos i ofruar dosjen e rekrutimit të Shaban Tërstenës dhe asnjë provë tjetër e cila i është kërkuar me shkrim komunës së Gjilanit. Kjo tregon jo vetëm mos transparencë dhe shkelje ligjore, por edhe mosnjohje të institucioneve të pavaruara dhe mos njohje të ligjeve të Republikës së Kosovës nga ana e qeverisjes Haziri”, thotë Rashiti.
Rashiti thotë se kryetari i komunës Lutfi Haziri, pa asnjë dyshim është shkelësi më i madh i ligjeve në Republikën e Kosovës. Veprimet e të cilit janë politike dhe joligjore, në dëm të qytetarëve të Gjilanit, në dëm të kuadrove profesionale, në dëm të buxhetit të komunës dhe krejt në interes të militantëve të LDK-së, ndaj të cilëve po mundohet të shlyejë borxhet e fushatës elektorale.
“Ne i kërkojmë Lutfi Hazirit, që të njohë institucionet dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe të respektojë të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me rikthimin e ligjshmërisë në punën e institucioneve komunale të Gjilanit. Dhe jo vetëm në këtë rast, por edhe në të gjitha rastet tjera, ku ky kryetar komune, nuk po zbaton vendimet e Gjykatës Themelore dhe institucioneve tjera përgjegjëse për monitorimin dhe mbikqyrjen e qeverisjes komunale”, thotë Rashiti.
Përveç kësaj, PDK, sipas Rashitit, kërkon që edhe zyrtarët tjerë komunal, të cilët janë larguar nga vendi i punës vetëm pse janë të subjektit politik të PDK-së, të kthehen në vendin e tyre të punës, sepse këtë të drejtë ua ka njohur me vendim edhe Gjykata Themelore. “Mos respektimi i këtyre vendimeve, do të ketë pasoja dhe efekte financiare në buxhetin komunal të Gjilanit”, thotë Rashiti i PDK-së. /2L ONLINE/