Për situatën e krijuar politike pas deklaratës së prokurorit të dhomave të specializuara në Hagë, ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Gjilan përmes një komunikate, përmes të cilës ka bërë publike qëndrimet e saja, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Në këtë komunikatë thuhet:
Dega e PDK në Gjilan, në seancën e kryesisë të datës 29 Qershor 2020, pas diskutimeve racionale e përmbajtësore të anëtarëve të saj dhe në harmoni të plotë me qëndrimet e kryesisë, të grupit parlamentar dhe të këshillit të kryetarëve të degëve anembanë Kosovës, lidhur me situatën e krijuar pas deklarimit të prokurorit të dhomave speciale në Hagë, del me këto qëndrime para publiku të komunës dhe më gjerë:
1.
Themelimi, paraqitja publike, strukturimi dhe lufta mbrojtëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është akti dhe vlera më sublime historike e shqiptarëve gjatë shekullit të XX-të.
2.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë plotësisht e drejtë dhe kristalisht e pastër e që dëshmohet edhe me komunikatat dhe qëndrimet e saja publike përgjatë viteve të luftës 1998 e 1999 për ruajtjen dhe moscënimin e popullsisë civile pa përjashtim. Kjo pastërti e luftës së UÇK është dëshmuar botërisht edhe me verdiktet e një gjykate ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, në rastin e gjykimeve të z. Ramush Haradinaj e të z. Fatmir Limaj të cilët dolën plotësisht të pastër.
3.
Lufta e UÇK është tregua e pastër edhe me vendimin historik të NATO-së me në krye SHBA për ta sulmuar nga ajri dhe për ta gjunjëzuar makinerinë shfarosëse ushtarake, paraushtarake, policore e politike të Serbisë mbi një popull të pambrojtur në tokën e vet, mbi të cilin ushtrohej dhunë, gjenocid dhe pastrim etnik përgjatë një shekulli e që kjo dhunë e ky pastrim etnik u bënë të padurueshme dhe eskaluan ekstremisht në vitet 1997, 1998 e 1999.
4.
Shpallja e hershme dhe e jashtëligjshme e aktakuzës ndaj dy liderëve kryesorë të luftës së UÇK z. Hashim Thaçit dhe z. Kadri Veselit, nga ana e prokurorit, ende pa u konfirmue vlefshmëria e saj nga gjykata, është shkelje e rëndë e procedurës e që u kritikua edhe nga liderë të politikës së SHBA e të BE e që janë me renome botërore. U kritikua edhe nga qarqet relevante juridike poashtu.
5.
Bërja publike e propozim-aktakuzës ndaj dy liderëve të UÇK-së, z. Hashim Thaçit (ish kryetarit të PDK, ish kryeministrit dhe presidentit të tashëm të Kosovës) dhe z. Kadri Veseli (kryetarit aktual të PDK), para së gjithash është atak mbi imazhin e shtetit të Kosovës dhe të luftës së pastër e të drejtë të UÇK-së. Dëmi në këtë rast, më së paku është individual e parcial. Dëmi është shtetëror e kolektiv.
6.
Përndryshe, lufta e UÇK-së, që nga paraqitja e saj e deri sot, ishte dhe vazhdon të jetë në shënjestër të shtetit kriminal e gjenocidal serb sepse lufta e saj për çlirim e për dinjitet njerëzor e kombëtar më së shumti i prishi punë pikërisht Serbisë. Por, UÇK, si vlera më sublime e jona, nuk u sulmua vetëm nga Serbia. Ajo ishte në shënjestër edhe të të gjitha agjenturave dhe miqësive dipomatike, ekonomike e kulturore të Serbisë anekend globit por sidomos në rajonin e Ballkanit.
7.
Ashtu qysh jemi të bindur thellë dhe absolutisht në luftën e drejtë e të pastër të UÇK, poashtu besojmë thellë në pastërtinë e dy liderëve të saj z. Hashim Thaçit e z. Kadri Veselit. Shprehim indinjatë dhe keqardhje të thellë për këtë sfidim të rëndë që po u bëhet këtyre liderëve të luftës e të paqes e sidomos për sfidimin që përmes tyre po i bëhet shtetit të Kosovës dhe fenomenit historik shqiptar siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
8.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me verdiktin e saj nga gjykimi i iniciuar nga vet Serbia, neve na e ka njohur të drejtën për pavarësi e shtetësi, e drejtë kjo e cila përveç që buron nga aktet juridike ndërkombëtare për liri, barazi e mëvetësi të popujve, është trashëgimi e drejtëpërdrejtë e luftës së drejtë e të domosdoshme të UÇK për mbijetesë, për çlirim, për dinjitet e për shtet .
9.
Pavarësisht vështirësive, ne besojmë paluhatshëm në zhvillime pozitive në këtë periudhë goditëse për imazhin e shtetit tonë, për imazhin e UÇK-së, për imazhin e PDK-së dhe për shoqërinë e Kosovës në tërsi.
Aktiviteti i jonë si degë e PDK do të jetë i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës në këtë periudhë. Do të punojmë e bashkëpunojmë me organizatat e dala nga lufta e UÇK, me spektrin politik të komunës e të rajonit, me organizatat civile e me mediat për t’i shpjegue secilit shqiptar dhe secilit kosovar qëllimëmirë të drejtën tonë historike dhe ndërkombëtare për ekzistencë, për liri, për shtetësi e për përparim.
10.
Shtetësia e Kosovës, pavarësia, sovraniteti dhe përparimi i popullit të saj nuk kanë alternativë. Historinë e vet, populli i Kosovës e ka shkrue me rebelim të përhershëm ndaj robërisë, me shumë vuajtje e persekutime, me shumë gjak e me shumë djersë. E ka shkrue me kulmin e angazhimit të tij për liri e dinjitet e që është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri, për dinjitet e për shtetësi. Kushdo që tenton me e ndryshue dhe me e rishkrue këtë histori bën gabim të rëndë sepse do të del edhe i gabuar edhe i dështuar.
11.
E ftojmë shoqërinë e Gjilanit e të rajonit tonë që të jemi bashkë në unifikim të qëndrimeve në këtë periudhë të ndjeshme e të rëndësishme për të gjithë ne.
Sa herë kemi qenë të bashkuar, kemi bërë hapa të mëdhenj përpara pikërisht qysh ishte rezistenca e jonë masive dhe paqësore e viteve 1990 me në krye dr. Ibrahim Rugovën, pikërisht qysh ishte lufta e UÇK me në krye z. Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Adem Demaçin… dhe pikërisht qysh ishte shpallja e pavarësisë me qëndrim unik e të vendosur të gjithë spektrit politik e shoqëror të Kosovës e të miqve tanë nëpër botë.
Bashkë, ishim dhe jemi në rrugë të mire e të drejtë.
Përherë me Zotin dhe me popullin.
Na priftë e mbara!