/2L ONLINE/ – Komisioni për Buxhet dhe Financa i Degës së PDK-së në Gjilan përmes një komunikate ka bërë të ditur se projektet që po realizohen nga qeverisja komunale e Gjilanit, janë investime të kota, me cilësi të dobët, kosto të lartë dhe humbje të mëdha financiare. Komisionet profesionale kanë dështuar plotësisht në mbikëqyrjen e implementimit të projekteve kapitale, sipas kontratave me operatorët ekonomik dhe si pasojë po shkojnë krejt në dëm, qindra mijëra euro nga buxheti komunal dhe nga taksapaguesit Gjilanas.
Sipas këtij Komisioni të PDK-së, është trishtuese kur e sheh se si po ndodhë asfaltimi i rrugëve nëpër qytet dhe fshatra e komunës, e sidomos është për të mos i besuar syve se çka po shohim ne dhe qytetarët e Gjilanit, me asfaltimin e rrugës së Bujanocit, ku ende pa përfunduar asfaltimi menjëherë ka filluar prishja e saj, ani pse po shpenzohen mbi 900 mijë euro për këtë projekt.
Më tej thuhet se ky projekt ka filluar më 3 nëntor 2015 dhe sipas kontratës me operatorin ekonomik, kjo rrugë ka qenë e planifikuar të përfundojë brenda 30 ditë pune, por ka kaluar një vit dhe qytetarët e Gjilanit po përballen me probleme të mëdha gjatë qarkullimit, duke i shkaktuar dëme të përditshme në automjetet e tyre, si pasojë e gjendjes së pakalueshme në njërën nga rrugët kryesore të qytetit të Gjilanit.
“Për kryetarin e komunës së Gjilanit Lutfi Haziri edhe ky projekt me këtë cilësi mund të quhet si punë e hajrit, por për qytetarët e komunës këto projekte që po realizohen janë punë për hajgare. Me një fjalë, këto punët e hajrit po i ngjajnë punëve të hajnit” thuhet në fund të komunikatës së lëshuar në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa i Degës së PDK-së në Gjilan. /2L ONLINE/
.