/2L ONLINE/ – Buxheti i Republikës së Kosovës i planifikuar për vitin 2016, vazhdon të jetë diskriminues për komunën e Gjilanit dhe favorizues për rajone të caktuara. Asnjë nga projektet e premtuara për Gjilanin, nuk janë të përfshira në buxhetin e vitit 2016. Fondi për autostradën e premtuar të Gjilanit, askund nuk figuron në këtë buxhet, por as për tri vitet e ardhshme deri në vitin 2018.
Gjilani ka mbetur pa zot shtëpie, i anashkaluar plotësisht dhe i diskrimunuar nga qeverisa e LDK-së, qytetarët e Gjilanit janë mashtuar rëndë nga premtimet e Lutfi Hazirit, i cili aspak nuk ka shprehur interesim për qytetin dhe qytetarin e komunës, të cilëve u ka vështirësuar e rënduar edhe më shumë gjenjen ekonomike-sociale.
Nuk ka asnjë projekt madhor dhe të rëndësishëm që është planifikuar për Gjilanin, as për projektin e lumit Mirusha, qeveria e Isa Mustafës nuk ka ndarë buxhet më shumë se 110 mijë euro për vitin 2016, (njësoj sikur për 2015) dhe kjo qeveri këtë projekt nuk do të përfundojë as për 10 vitet e ardhshme, ndërsa tërë Kosova e din këtë problem serioz që e kanë sot qytetarët e Gjilanit. Ndërsa Prizrenit po nga e njejta ministri (MMPH) i janë ndarë në anën tjetër 2.5 milion euro për lumin Bistrica.
Gjilani është diskriminuar rëndë edhe në ndarjen e bërë të grandeve për komunat e Kosovës, ku për shpenzime kapitale Gjilani nuk mund të krahasohet as me Graqanicën, Dragashin, Gllogovcin, Istogin, Shtimen dhe shumë komuna të tjera që janë shumë më të vogla se Gjilani, por që kanë përfituar dyfishin e granteve që janë planifikuar për vitin 2016.
Për Gjilanin janë planifikuar grande për investime kapitale vetëm 895 mijë euro për investime kapitale, më pak se Graqanicës që i janë ndarë në vlerë prej 1,689,338 euro, apo rreth 100% më shumë.
Prizrenit i janë ndarë 9.9 milion euro për shpenzime kapitale, apo 1,110% (një mijë e 110%) më shumë se sa Gjilanit, poashtu Ferizajit i janë ndarë 4.4 milion euro, apo 500% më shumë se sa Gjilanit.
Komuna e Skenderajt ka përfituar 10 milion euro buxhet të planifikuar vetëm për një rrugë regjionale (për 2016-2018), ndërsa Gjilani nuk ka përfituar asnjë projekt për rrugë regjionale, e lëre më për autostradën e premtuar nga Luta i cili dinë të bëjë vetëm vizita turistike nëpër Evropë, ndërsa Sami Lushtaku siguron buxhet marramendës për komunën e tij, që e qeverisë nga burgu i sigurisë lartë.
Nga Ministria e Arsimit janë bërë ndarje buxhetore (për investime) për Universitetet e Kosovës, ku Universitetit të Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës u janë ndarë nga 500 mijë euro, mirëpo Universitetit të Gjilanit vetëm 320 mijë euro.
Nga Ministria e Shëndetësisë për një projekt investiv në Gjilan, për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së, i janë ndarë vetëm nga 200 mijë euro (për gjynah nga një ministër i Gjilanit) për tri vitet e ardhshme, që do të thotë se ky projekt nuk mund të realizohet për tri vitet e ardhshme.
Poashtu as nga Ministria e Kulturës nuk ka asnjë projekt për përkrahje të kulturës, për zgjidhjen e problemit serioz që ka Teatri i Gjilanit, nuk ka asnjë projekt për trashëgiminë kulturore, për projektin e Sahat Kullës, sikurse që nuk ka as për zhvillim dhe përkrahje të rinisë Gjilanase për tri vitet e ardhshme.
Zhvillimi ekonomik në qeverisjen e Lutës në Gjilan, ekziston vetëm si teori sepse nuk kanë idenë më të vogël për këtë fushë, nuk kanë asnjë projekt me të cilin do të kishin mundur të aplikonin dhe të kërkonin buxhet nga qeveria e Kosovës, e ku komunat tjera po përfitojnë fonde për krijimin e zonave ekonomike, rregullimin e tregjeve apo projekteve tjera që do të ndikonte në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve të Gjilanit dhe të rajonit të Anamoravës.
Qytetarët e Gjilanit nuk e meritojnë dhe nuk do ta pranojnë këtë ndarje buxhetore nga qeveria e Kosovës, që është diskriminues dhe ofendues kur merret parasysh se Anamorava kontribuon jashtëzakonisht shumë në mbushjen e arkës së shtetit të Kosovës, përmes tatimeve dhe taksave që i paguajnë gjatë vitit.
Ky keq trajtim i madh që po i bëhet qytetarëve të Gjilanit nga LDK-ja dhe qeverisja e dështuar e Lutfi Hazirit, do të nxisë reagime në forma të ndryshme për ta kundërshtuar këtë diskriminim të jashtëzakonshëm që po i bëhet Gjilanasve.
Riad Rashiti, anëtarë i KK Gjilan dhe i kryesisë së degës së PDK-së Gjilan