PD: Thyhet “miti” i liderit, Agani në Muqibabë!

PD: Thyhet “miti” i liderit, Agani në Muqibabë!

Drejtues dhe përfaqësues të Partisë së Drejtësisë (PD), Dega në Gjilan, së bashku me Liderin e këtij subjekti politik, Ferid Agani vizituan sot fshatin Muqibabë, ku ditë më parë është formaiur nëndega e këtij subjekti politikë.

Për |Skender Berishën, kreun e PD-së së Gjilanit, po thyhet miti i liderit, pasi është lideri i parë i një subjekti politik në Kosovë që viziton këtë pjesë të brezit kufitar, në 20 vitet e fundit të pasluftës.

“Edhe pse kjo pjesë e kësaj ane e banuar me shtëpi të shpërndara larg njëra tjetrës, në kushte të vështira, mikpritja dhe bujaria e tyre si tipar i kësaj ane tregoi se këta njerëz dinë të respektojnë dhe janë të vendosur ta ruajnë traditën kombëtare e patriotike që kishin edhe brezat e mëhershëm”, thotë Berisha.

Ndërsa, kryetari i nëndegës së PD-së në fshatin Muqibabë, Vehid Ibrahimi u shpreh se ndjehet i lumtur për vizitën e Aganit në këtë pjesë, dhe premtoi angazhimin e tij maksimal në kuadër të përgjegjësive që ka marrë pas zgjedhjes së tij si kryetar nëndege në këtë fshat.

Përndryshe, lideri i PD-së, Ferid Agani mbajti takimin e tij edhe me nëndegën e sapoformuar që ishin organizuar ta pritnin, ku u diskutua për shumë çështje, e sidomos për nevojat dhe kërkesat që këta banor të fshatrave të brezit kufitarë, Muqibabë, Lipovicë, Burincë, etj, e që i kishin shtruar vazhdimisht në institucionet lokale e qendrore, por ato si gjithmonë kishin hasur në vesh të shurdhër.

“Banorët e indinjuar nga mungesa e kushteve elementare për jetesë u shprehën se ky trajtim i pabarabartë kundrejt tyre duhet të marrë fund, andaj bënë thirrje që ky diskriminim që po i bëhet këtyre banorëve të ndërrojë kahje dhe të japi shpresë për një jetë më të mirë, pasi që shpërngulja e kësaj ane nëse vazhdohet me këtë ritëm do të jetë e pashmangshme”, u tha në këtë takim nga drejtuesit e PD-së.

Në fund të vizitës që bëri Agani në këtë pjesë të brezit kufitar ai u ndal edhe me disa banorë të kësaj ane dhe bashkëbisedoi me ta, dhe duke pa gjendjen nga afër, ai bëri thirrje që institucionet të jenë më të përgjegjshme karshi tyre dhe të shtrijnë dorën e shtetit edhe në këtë pjesë dhe të krijohen kushtet elementare për jetesë, duke krijuar infrastrukturë dhe ujë të pijshëm për të gjithë, dhe një herë e përgjithmonë ta ndjejnë edhe këta banorë se janë të barabartë me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

KOMENTE