PD për LDK: Vendimi për dalje nga koalicioni është i pashmangshëm nëse nuk reflektoni

PD për LDK: Vendimi për dalje nga koalicioni është i pashmangshëm nëse nuk reflektoni

Partia e Drejtësisë (PD), Dega në Gjilan, me kryetar Skender Berishën, i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, njëherësh edhe Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Dega në Gjilan, të jetë konstruktiv dhe t’i bëjë të qartë opinionit se LDK, ka një koalicion me PD-në dhe t’i qëndrojë besnik asaj.

Sipas drejtuesve të kësaj dege, marrëveshjet të cilat janë bërë në emër të LDK-së dhe PD-së janë marrëveshje në mes të subjekteve politike dhe jo marrëveshje në mes të individëve, dhe si të tilla do të vlejnë për aq kohë sa ato i qëndrojnë parimeve të saj për çka edhe është dakorduar.

Prandaj, marrëveshjet që bëhen në emër të subjekteve politike si në Gjilan ashtu edhe më gjerë, ngarkojnë subjektin e jo individin e njërit apo tjetrit nga subjektet nënshkruese të marrëveshjes.

“Në këtë rast PD – Dega në Gjilan kërkon nga partneri i koalicionit LDK, Dega në Gjilan, t’i qëndrojë besnik marrëveshjes dhe të reflektojë pozitivisht në kërkesën e saj për ndryshim emrash në udhëheqje, pasi që kryetarja dhe struktura e kaluar janë shkarkuar për shkelje staturore. Ky ndryshim i kërkuar nga PD-ja e Gjilanit është bërë në koordinim edhe me nivelin qendror të PD-së, i bërë me shkrim edhe nga niveli qendror i PD-së drejtuar kryetarit Haziri, gjithashtu edhe e konfirmuar nga KQZ-ja, dhe si e tillë struktura e re, me kryetarin e ri, konfirmon se vendimi për dalje nga koalicioni është i pashmangshëm nëse nuk ka vullnet politik për reflektim, dhe atë shumë shpejt”, sqaron për 2LONLINE, Skender Berisha i PD-së.

Sipas tij, kërkesa zyrtare ndaj partnerit të koalicionit është bërë më datë 23.12.2016, pas dy jave si përgjigje kanë marrë se është në shqyrtim, por tani jemi në muajin Prill, kanë kaluar 4 muaj dhe LDK dega në Gjilan me Kryetarin Haziri po heshtë.

“Partia e Drejtësisë, Dega në Gjilan, pas konstituimit të saj, ndryshimit në strukturë, rifreskimit me kuadro të reja, ndryshimit në qasje ndaj qytetarit, ofrimit të alternativave në të mirë të qytetarëve, ka patur dhe do të ketë gjithmonë çka t’i ofrojë qytetarit. Bazuar në historikun e saj, PD-ja gjithmonë i ka qëndruar besnik parimeve por edhe vendimeve të saj, ndaj kërkon që edhe të tjerët të jenë të tillë”, thotë Berisha.

Një kërkesë për rishikim të koalicionit ishte bërë edhe më herët nga Berisha.

Shih shkrimin: Berisha: Kryesia e re e PD-së në Gjilan vë në pikëpyetje koalicionin me LDK-në!

[pro_ad_display_adzone id=35749]

KOMENTE