Partia Demokratike (PD) në një konferencë për shtyp ka bërë publike rezultatet e mbledhura nga ky subjekt, me crast shpalli fitoren në komunë të Bujanocit.
(23:55) Arbër Pajaziti, gjatë një konference për shtyp në selinë e PD-së, tha se subjekti i tij ka fituar në komunë të Bujanocit krahas Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD) dhe shoqërisë civile.
“Sipas informatave nga tereni, PD ka 2.430 vota (41.5%), LPD 1.177 (20.11%), PVD ka 2.084 vota (35.61%), lista “Nagip Taipi” 59 vota (0.37 %) si dhe lista nga shoqëria civile “Perspektiva” ka 107 vota apo 0.45 për qind”, tha Pajaziti, duke nënvizuar se numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në komunë të Bujanocit në këto zgjedhje, është 5.857 qytetarë.
Pajaziti me këtë rast tha se “nga Medvegja vijnë lajme jo të mira”, pasi sipas tij Partia për Veprim Demokratik ka marrë rreth një mijë vota “që dëshmon se nuk mund të largohet nga e tradita e vjetër duke mos mund të funksionojë nga kjo metodë të cilën e përdorë në çdo zgjedhje”.
Përfaqësuesi i PD-së tha se subjekti i tij në Medvegjë ka grumbulluar rreth 127 vota. Ai ka theksuar se për shkak të mos azhurnimit të listave ka në rënie të numrit të votuesve, mirëpo, sipas Pajaziti, PD ka një rritje prej 10 për qind.
“Sa i përket numrit të votave në Medvegjë jemi duke analizuar edhe me partitë tjera dhe do ta marrim një vendim se a do të ankohem apo jo”, u shpreh Pajaziti.
Nga ana tjetër Partia për Veprim Demokratik, përmes shefit të shtabit zgjedhor në Bujanoc, Driton Rexhepi njofton se PVD ka fituar ndaj të gjitha koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë.
“Në nivel të tri komunave kemi dalë të parët, ndërsa në nivel të komunës së Bujanocit është kontestues vendvotimi në fshatin Konçul, dyshojmë për falsifikim të listave zgjedhore”, i tha portalit informativ Titulli, Driton Rexhepi.
Për shkak të grumbullimit të informacioneve nga terreni, shefi i shtabit zgjedhor tha se ditëve në vijim do të marrin hapat e mëtutjeshme rreth vendvotimeve të diskutueshme për parregullsi.
“PVD si listë del fituese në tri komunat, çështjet e koalicioneve janë të hapura edhe pse subjektet tjera në parim kanë një koalicion”, theksoi për Titullin, Rexhepi.
Sipas rezultateve preliminare që ka arritë të sigurojë portali informativ Titulli, në rang të tri komunave, lista “Koalicioni për të drejtat e shqiptarëve” – (PVD-UDSH) ka grumbulluar 5.658 vota, “Koalicioni i shqiptarëve të bashkuar” PDSH – LPD – RD” 5.004 vota, “Partia Demokratike – Dr.Sc.Nagip Arifi” – PD dhe BDL 2.853 vota, dy shoqëritë civile “Për ardhmërinë e shqiptarëve në Serbi – Sevdail Hyseni” 118 vota dhe Grupi Qytetar “Nagip Taipi” 83 vota, duke mos pasur votat e nevojshme, nuk do të arrijnë të kenë përfaqësim në përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar, i dal nga zgjedhjet e 26 tetorit./Titulli.com/