DYLON

Pavarësia e Shqipërisë – Festa Mbarëkombëtare e Flamurit

Pavarësia e Shqipërisë – Festa Mbarëkombëtare e Flamurit
Avatar photo Redaksia

Në rrethana të jashtëzakonshme u hap Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 nëntor 1912, në ora 14:00 dhe u ngrit flamuri kombëtar, që ndryshe kjo festë në popull quhet nëntori i dytë i flamurit, meqë po në këtë datë dhe në këtë muaj (nëntori i parë) të vitit 1443, e kishte ngritur këtë flamur, heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Kështjellën e Krujës.

Shkruan: Sami ARIFI

Në fjalimin që mbajti Ismail Qemali, ndër të tjera thoshte: “E vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”. Çështja shqiptare ishte ndërkombëtarizuar mjaftë shumë përmes kryengritjeve shqiptare për liri, por edhe përmes Krizës së Adriatikut, sa që shteti shqiptar ishte bërë imperativ i kohës.

EkoHigjiena

Mendimi i Ismail Qemalit ishte mendim në përputhje me mendimet e gjithë delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, dhe u miratua njëzëri prej tyre, ai shprehu aspiratat e gjithë popullit shqiptar, meqë së bashku me kuvendarët ishin në unitet të plotë.

Ismail Qemali me bashkëpunëtorët e tij doli në ballkonin e ndërtesës, ku mbahej Kuvendi, pranë mitingut popullor, ngriti flamurin kombëtar të Shqipërisë, të të gjithë shqiptarëve, dhe i njoftoi ata për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, të gjitha krahinat e Shqipërisë, si dhe Fuqitë e Mëdha, shtetet ballkanike dhe mbarë botën.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore kundër zgjedhës së huaj për mbrojtjen dhe çlirimin e atdheut, tërësisë tokësore të tyre për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Pra, me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, populli shqiptar fitoi të drejtën për të qenë i lirë dhe i pavarur krahas popujve të tjerë të Ballkanit dhe të Evropës.

Pra, më 28 nëntor të vitit 1912, shënohet një kthesë historike e popullit shqiptar, nga se mori fund sundimi pesëshekullor i Perandorisë Osmane, u krijuan kushte për të dal nga prapambeturia që kishte lënë sundimi osman, por edhe kushte për zhvillim të shpejt, ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte fitore e madhe kundër sundimit osman, kundër politikave antikombëtare të monarkive fqinje ballkanike (Serbisë, Malit të Zi si dhe Greqisë), kundër synimeve të planit të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Kjo ishte fitore e përbashkët e gjithë shqiptarëve për të gjitha forcat që kishin luftuar me pushkë e pendë për çlirimin kombëtar në të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova në Veri, e deri në Çamëri në Jug, nga Adriatiku e Joni në Perëndim dhe deri në Ohër, Kërçovë, Shkup, Kumanovë në Lindje si dhe për të gjithë shqiptarët e diasporës kudo në botë.

Kuvendi zgjodhi njëzëri kryetar të qeverisë Ismail Qemalin, i cili do të ishte edhe ministër i punëve të jashtme. Me 4 dhjetor 1912 kuvendi zgjodhi përbërjen e plotë të qeverisë.

Përveç Ismail Qemalit, në qeveri bënin pjesë: Dom Nikoll Kaqorri (nënkryetar) Myfit Bej Lipohova (ministër i punëve të brendshme) Abdi Bej Toptani (ministër i financave) Mehmet Pashë Dërralla (ministër i luftës ose i mbrojtjes kombëtare), Petro Pago (ministër i drejtësisë) Luigj Gurakuqi (ministër i arsimit) Mithat Frashëri (ministër i punëve botore) Pandeli Cale (ministër i postë-telegrafëve)

Kuvendi bëri edhe themelimin e Pleqësisë prej 18 anëtarëve, me në krye Vehbi Dibrën. Pleqësia nuk kishte të drejtë të rrxoi qeverinë, por vetëm të këshillojë dhe të kontrollojë punën e tyre. Urime për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhën ata, Festa Gjithëkombëtare e Flamurit

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.