DYLON

Pavarësia e Kosovës duhet t’i tregohet e dëshmohet Serbisë dhe jo Shqipërisë

Avatar photo Redaksia

Dje, në Prishtinë, në rrugën ‘Fehmi Agani’, në afërsi të selisë së Vetëvendosje-s, është kidnapuar dhe dëbuar nga Kosova, Boiken Abazi, anëtar i kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen Vetëvendosje. Boikeni këtë funksion e ka tash një vit, ndërkaq nga viti 2011 deri në vitin 2015 ai ka qenë koordinator i sekretariateve të Lëvizjes sonë. Boiken Abazi nuk ka qenë një qytetar privat i Shqipërisë në Kosovë. Ai ka qenë i ftuar nga Lëvizja jonë në Kosovë.
“Kidnapimi dhe dëbimi i Boikenit është krim i këtij regjimi të korruptuar ndaj Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar. Për këtë kidnapim dhe dëbim ne e mbajmë përgjegjës Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministrin e tij të brendshëm, Skënder Hyseni dhe Drejtorin e Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, Valon Krasniqi, nga profili i të cilit në Facebook duket qartë se është militant i PDK-së. Këto janë taktika të shtetit policor kundër opozitës tonë demokratike, këto janë metoda fashiste kundër lëvizjes sonë social-demokrate, këto janë tendenca anti-shqiptare kundër frymës sonë kombëtare”, theksoi deputeti Albin Kurti në konferencën e sotme për media. Kurti më tej tregoi se në momentin kur ka kuptuar se policë me rroba civile e kanë kidnapuar Boikenin pa i treguar as urdhërarrest e madje asnjë dokument të vetëm, ky e ka thirrur ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z.Qemal Minxhozi dhe Sekretarin e Parë të Ambasadës, z.Bruno Rexhaj. “U thashë të ndërhyjnë menjëherë dhe të shkojnë te policia sepse siguria e Boikenit është rrezikuar, kurse nëse ata që e morën janë policë, atëherë mund ta çojnë në burg ose mund ta dëbojnë jashtë Kosovës. Nuk e di a kanë shkuar, porse disi m’u duk se ata nuk besonin që mund të ndodhin gjëra të këtilla”, u shpreh Kurti.

Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aida Dërguti, tha se ajo bashkë me Boiken Abazin, më 3 shkurt janë kthyer nga Tirana në Prishtinë, pas homazheve për nderë të akademikut Kristo Frashëri. “Në orët e pasdites jemi kthyer në Prishtinë, përmes pikës kufitare të Morinës, me ç’rast kemi paraqitur dokumente tek zyrtarët e policisë dhe gjithçka ka qenë në rregull. Pse Policia e Kosovës nuk e ka regjistruar Boikenin kur është kthyer në Kosovë nga Tirana, ky nuk është faji i Boikenit por i policisë. Në arsyetimin e policisë thuhet se prania e Boikenit “paraqet kërcënim për rendin dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës”. Si bëhet që kjo nuk thuhet për Vuçiqin, Dikoviqin, Daçiqin e Gjuriqin por thuhet për Boiken Abazin?! Për më tepër, Boikeni nuk është kontaktuar kurrë as me shkrim, as me gojë e as me telefon nga policia për t’u paraqitur në polici për shkeljet e aluduara. Pra, nuk ka patur as fletëthirrje më herët edhe pse aktiviteti i Boikenit është publik dhe ai nuk është fshehur asnjëherë. Boikenit i është mohuar e drejta për avokat, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare. Boikenit i është mohuar e drejta për të njoftuar Ambasadën e Republikës së Shqipërisë edhe pse këtë gjë e ka kërkuar nga Policia”, tha ndër të tjera Dërguti.

EkoHigjiena

Nga vendimi mësojmë se Boikeni qenka shpallur i rrezikshëm dhe mandej policia e lë të lirë në zonën neutrale të kufirit Kosovë – Shqipëri dhe nuk i ka lajmëruar autoritet kufitare të Republikës së Shqipërisë. Boikeni ka ecur vetëm dhe i pashoqëruar drejt kufirit të Republikës së Shqipërisë. Ky deportim i Boikenit nga policia e Kosovës është edhe skandal diplomatik. Ai pason ndaljen e qytetarëve nga Tirana më 9 janar dhe me 17 shkurt 2016, kur ata nuk u lejuan ta kalojnë kufirin dhe të na bashkohen në protestat më të mëdha në Kosovën e pasluftës. Ne kërkojmë ndërhyrjen e Kryeministrit Edi Rama e të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Pavarësia e Kosovës duhet t’i tregohet e dëshmohet Serbisë dhe jo Shqipërisë. Kufiri midis Kosovës e Shqipërisë është kufi i Jugosllavisë e i Serbisë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.