Patrioti Hasan Prishtina ishte njeri i pendës dhe i pushkës për çlirimin e atdheut

Patrioti Hasan Prishtina ishte njeri i pendës dhe i pushkës për çlirimin e atdheut

Biri i madh i popullit shqiptar, Hasan Prishtina, nuk ia deshi vetes së tij, familjes së tij, një qetësi relative, një siguri jetësore të veçantë nga fati i popullit të tij, nuk lakmoi në pasurinë e madhe, në jetën e një beu më të madh të kohës.

Shkruan: Sami ARIFI

Rreziqet që ia paraqiti qeverisë turke dhe sulltanit vite me radhë tashmë ishin bërë realitet i hidhur i kohës. Ai mund të merrte poste të larta, kolltuqe me ar, por jo! Hasani nuk ishte i lindur të shitej të huajsohej nga populli i vet, rrugën jetësore e kishte caktuar ai që nga rinia dhe këtë rrugë nuk e kishte shkelur asnjëherë, andaj ai nuk u thye kurrë.

-Pas humbjes në luftë në Betejës e Kumanovës nga kryengritësit shqiptarë, dhe pushtimi i qytetit të Kumanovës nga ushtria serbe, më 30 tetor të vitit 1912, ajo vazhdon marshimin drejt Shkupit, të cilin e merr pa luftë, ndërsa gjatë udhëtimit për në Shkup ushtria serbe vrau e masakroi pa mëshirë mbi 2 mijë shqiptarë. 

-Pas rënies së Shkupit, ushtria serbe kapi të gjallë 13 krerë të Kryengritjes Kombëtare Shqiptare. Në rrethinën e Shkupit, derisa kryengritësit shqiptarë po bënin përpjekje mbinjerëzore të rezistencës, duke u përpjekur të pengonin tërheqjen dhe shpërnguljen e popullit shqiptar nga frika e barbarisë serbe, në rrethinën e Shkupit u kap Hasan Prishtina, si dhe kryengritësit e tjerë; Idriz Seferi nga Gjilani, Nexhip Draga nga Mitrovica, Shaban Pasha nga Prishtina, Sejdi Efendiu nga Shkupi, Qemajl Beu nga Shkupi, Rushit Beu nga Dobratini i Prishtinës, Muharrem Efendiu nga Prishtina, Hurshit Omeri nga Prishtina, Xhemajl Beu nga Prishtina, Jashar Pasha nga Peja, Ibrahim Bej Kokola nga Prishtina, Kasum Seferi nga Gjilani si dhe Mustafë Musini nga Stambolli që ishte profesor i Gjimnazit në Shkup. 

-Që të gjithë të arrestuarit u internuan dhe u izoluan në Kështjellën e Kalemegdanit në Beograd. Sipas një burimi të provinciencës policore serbe të datës 27 nëtor (10 dhjetor) 1912 shqiptarët e internuar në Kalemegdan “u vendosën ndaras njeri prej tjetrit”, por si më të rrezikshëmit u trajtuan: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, dhe Seit Hoxha, që të tre ish-deputet të parlamenti të Turqisë. 

-Si duket, në ruajtjen e jetës dhe lirimin e Hasan Prishtinës duhet të ketë pasur ndikim faktori gjithëshqiptar dhe ndërkombëtar. Hasani ishte kontribuesi ndër të parët në formimin e Shqipërisë e cla duhej të “bekohej” nga kabinetet evropiane në Londër, pra simbolizonte Shqipërinë që po lindej, andaj jetën e tij e donin Anglia, Italia, Franca gjithësesi Austro-Hungaria. 

-Lirimi i Hasan Prishtinës me shokë nga burgu serbo-malazez u bë më 23 prill të vitit 1913. Hasan Prishtina gjatë tërë jetës së tij u përpoq për një Shqipëri borgjeze, demokratike, nacionale të tillë çfarë e kishte skalitur në programin e tij politik kombëtar qysh në kohën e shkollimit në shkollën frenge dhe në jetën e tij si përfaqësues i popullit.

-Çfarë i kërkonin përfaqësuesit e Shqipërisë, Konferencës së Ambasadorëve në Londër midisë shteteve ballkanike e Shqipërisë nuk i vendosi kufitë etnik ndaj kësaj të fundit. Rusia, Franca dhe Anglia nuk hoqën dorë nga plotësimi i “interesave dhe dëshirave të shteteve ballkanike”. Hasan Prishtina, i cili përfaqësonte Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Kosovë asnjëherë nuk u pajtua me një vendim të tillë dhe nga mesi i korrikut 1914 së bashku me Mehmet Pashë Dërvallën, Isë Boletinin dhe Bajram Currin e të tjerë i hynë përgatitjeve të një lufte çlirimtare në Kosovë dhe në Maqedoni. Këta patriot, deshën me këtë akt, të shfrytëzonin nga rasti i sulmit të Austro-Hungarisë në Serbi më 28 korrik 1914. 

-Hasan Prishtina me 6 gusht 1914 në krye të një njësiti luftëtarësh kosovarë u nis nga Shkodra “për në kufi”. Lëvizja e Hasan Prishtinës me luftëtarë drejt Malësisë së Gjakovës i dha shkas diplomacisë serbe të protestonte te qeveria shqiptare me kërcnim se “prekja e neutralitetit do të ketë pasoja për Shqipërinë”, por Hasan Prishtina në krye të njësiteve luftarake me shpejtësi të rrufeshme e çliroi Bregun e Matit. Mirëpo kryetari i qeverisë shqiptare Turhan Pasha qëndronte në lidhje të fshehta miqësore renegati me qeverinë serbe dhe qysh më 26 korrik1914, dy ditë para se Austro-Hungaria të sulmonte mbi Serbinë, i kishte garantuar Serbisë se “është një kundërshtar i vendosur Hasan Begu” dhe se tani ai do të përdorë gjithë ndikimin e tij mbi Isa Boletinin dhe Bajram Currin për t’i mbajtur këtu së bashku me njerëzit e tyre, jo pse ata nevojiten këtu për mbrojtjen e Durrësit, por që ata të mos shkojnë gjurmëve të Hasan Beut”. 

-Kjo e dhënë është edhe një dëshmi se krerët popullorë, të pashkollë, siç ishte Isa dhe Bajrami nuk mund të ecin me hapin e revolucionit kombëtar dhe shumë lehtë mund të gabonin. 

Hasan Prishtina asnjëherë nuk u ndal së vepruari për çështjen madhore të kauzës kombëtare përmes kundërshtisë së tij me memorandume e peticione drejtuar Fuqive Evropiane, ai më 18 dhjetor 1918, meqë e kishte humbur besimin në drejtësinë e Fuqive Evropiane, iu drejtua Presidentit të SHBA-ve, Vilsonit, pjesëmarrës i Konferencës së Paqes në Paris, e cila do të fillonte me punën me 18 janar 1919. Vilsoni ishte përfaqësuesi më i denjë që ndonjëherë pati populli shqiptar. Hasani i shkroi Vilsonit në emër “të dy milionë e gjysmë shqiptarëve të popullit më të vjetër të gadishullit Ballkanik”. I vuri në pah luftërat shekullore të popullit shqiptar për liri kundër robëruesve të ndryshëm, padrejtësinë që i bëri popullit shqiptar Konferenca e Ambasadorëve në Londër më (1913) dhe kërkoi angazhimin e Vilsonit që të thirrej në Konferencën e Paqes në Paris edhe përfaqësia shqiptare “për të parashtruar dhe për të argumentuar aspiratat dhe kërkesat e kombit shqiptar”, sepse “kombi shqiptar ka bërë aq sakrifica për realizimin e idealit të vet kombëtar dhe ka derdhur aq gjak për këtë qëllim”…

-Udhëheqësi i shquar Hasan Prishtina asnjëherë nuk e veçonte rëndësinë e çlirimit kombëtar të viseve në Kosovë e gjetkë prej rëndësisë për çlirimin demokratik të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Për këtë ministri shqiptar i mbrojtjes i asaj kohe thoshte: “Në rast se rebelët (kryengritësit shqiptarë) futen në zonë neutrale keni leje me i ndjek edhe atje” (…) Bajram Curri, Hysni Prishtina, Hysni Curri, Kadri Prishtin, Sadik Rama, dhe shokë të tjerë medoemos të zihen apo të vriten. Kërkesat e qeverisë së Tiranës që Currajt dhe Prishtinën “t’i zëni ose t’i vrisni në mos hyshin në dorë në çdo mënyrë”. Një ushtarak i lartë shqiptar më 8 prill 1923 do të konstatojë se “Azem Galica shëtit ku i don qejfi” dhe se është në lidhje veprimi me Hasan Prishtinën e Bajram Currin dhe urdhëronte “ të kapuni komita si Hasan Prishtina e Bajram Curri me shokë”

-Togeri Muharrem Bajraktari famkeq thurte plane tragjike për fatosët kosovarë të lirisë dhe demokracisë shqiptare dhe ballkanike. Masa represive u parapanë dhe u zbatuan edhe kundër përkrahësve të Hasan Prishtinës, por populli Hasanin nuk e dorëzonte, nuk e tradhtonte. Duke par se Hasani dhe Hysni Curri dy më të rëndësishmit dhe më të rrezikshmit për armiqtë e popullit shqiptar klasor feudal e nacional, nuk do të vriten dhe do të ngrisnin masën popullore në kryengritje të përgjithshme e cila do të pëlcite përnjëherë në Kosovë dhe në Shqipëri, ministri i Brendshëm më 1 prill 1923 i preferoi prefekturës së Kosovë që atyre “msheftazi mund t’ju jepeshin leje me dalë jashtë Shqipërisë”. Hasan Prishtina në këtë ofertë të qeverisë u përgjigj me ironi se nuk mund të shkojë jashtë Shqipërisë, rreth e rrotull, përmes Marteneshit, “mundem me shkuar vetëm nëpër Shkodër”. Shantazhi, menjëherë, ka efekt? Në përgjen e Hasan Prishtinës dhe Hysni Currit se nuk pranojnë “me dalë jashtë Shqipërisë”, qeveria u përgjigj me masa drakonike kundër jataqeve të tyre. E dinin se vyrtytet e Hasanit këtë nuk do ta lejonin dhe do t’i jepnin fund këtyre marrëzirave. 

-Shtypi i Beogradit dhe sidomos gazeta Gllasnik, i ndiqte me simpati e kurreshtje ndjekjet që i bënte Preng Jaku, komandant i operacionit kundër Lëvizjes së Hasan Prishtinës, ndërkaq Preporod, më 19 qershor, duke shprehur habinë për përparimin e lëvizjes demokratike, natyrisht për veprën aksionare, të Hasan Prishtinës, shkruante se tri bajraqet e Malësisë nën drejtimin e Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe Hysni Currit kanë mësyer “kundër qeverisë së Tiranës” që në çdo hap shkilte interesat kombëtare… /2LONLINE.com/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE