Pati apo s’pati “grushtime” mes zyrtarëve të PDK-së?!

Pati apo s’pati “grushtime” mes zyrtarëve të PDK-së?!

Pas publikimit në disa media se dy anëtarë të degës së PDK-së në Gjilan, anëtari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Hevzi Xhelili dhe anëtari i kryesisë, Riad Rashiti, janë përleshur fizikisht afër selisë së PDK-së, kanë reaguar që të dy, duke mohuar se një gjë e tillë të ketë ndodhur.

Edhe Xhelili edhe Rashiti kanë dhënë sqarime në profilet e tyre në facebook, për këtë çështje duke e mohuar se ka pasur grushtime të njërit, nga tjetri.

Riad Rashiti, e ka mohuar një gjë të tillë duke deklaruar se: “Sa i përket daljes në publik se kanë kërsitur grushtet në PDK-në e Gjilanit, kjo nuk qëndron aspak. Ka pasur tensione dhe gjuhë jo të duhur e asgjë më shumë”.

Edhe Hevzi Xhelili ka deklaruar se “Pas publikimit të lajmeve të rrejshme kinse për grushta në PDK, jam i obliguar të njoftoj publikun se nuk ka pasur asnjë konflikt, as dhunë e asnjë lloj incidenti”.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan i ka thënë 2LONLINE, se deri më tani nuk ka rast të raportuar pran stacionit policor në lidhje me këtë çështje për të cilën tregohet interesimi i media-s.

Megjithatë, kuluareve politike të Gjilanit përflitet incidenti i tillë, mes këtyre dy anëtarëve ët PDK-së, ndërsa si motiv përmenden mospajtimet që dalin teksa po mbahen zgjedhjet e brendshme në këtë subjekt,  dhe mundësia e ngritjes së tensioneve në mes dy taborëve që përkrahin të interesuarit për pozitën e kryetarit të degës, që tani më këtë e kanë shprehur publikisht, e të cilët janë Flurim Arifi dhe Qemajl Mustafa. Por, ka edhe zëra të tillë, që nuk besojnë në këtë motiv, pasi thuhet se që të dy, i takojnë të njëjtit tabor, kur është në pyetje mbështetja e kandidaturave.

Megjithatë, vetë akterët e përmendur e kanë mohuar një gjë të tillë andaj edhe më poshtë po japim reagimet e plota të tyre, pra edhe të Hevzi Xhelilit, e edhe të Riad Rashitit.

Ja reagimi i plotë i Xhelilit.

Pas publikimit të lajmeve të rrejshme kinse për grushta në PDK jam i obliguar të njoftoj publikun se nuk ka pasur asnjë konflikt as dhunë e asnjë lloj incidenti.

Unë Hevzi Xhelili jam asambleist në Kuvendin Komunal, anëtarë i Komisionit Zgjedhor, isha edhe anëtarë i komisionit për zgjedhjet në rini ku ka pasur një sukses të jashtzakonshëm. Unë jam në këtë process për ta ndihmuar Partinë jashtë çdo ambicje personale.

Kësaj rradhe qarqet anti PDK ja kanë huqur komplet duke u munduar të na dëmtojnë nëpërmjet lajmeve të rrejshme, kanë harruar se unë kam një moshë që nuk më lejon të bëj aventura të tilla. Kur kanë qenë kohë të vështira për Kosovën unë jam dëshmuar.

Dua të ju njoftoj se është shpifje ordinere e grupeve që nuk ja duan të mirën PDK-së kur tentojnë që me gënjeshtra të paraqesin konflikte kinse mes grupeve në PDK, kontributi im njëzet vjeçar e dëshmon të kundërtën e këtyre shpifjeve.

Zgjedhjet në PDK-në e Gjilanit kanë filluar me një ritëm të jashtzakonshëm, me interesim të aktivistëve, qytetarëve e veçanërisht të të rinjëve. Në dy kuvendet e para atë të Përlepnices dhe Bresalcit kanë marr pjesë qindra njerëz kjo ndoshta edhe po i frikson oponencën politike të PDK-së duke i shtyer të prodhojnë shpifje.

Edhe një herë i demantoj fuqishëm duke bërë thirrje që sa më shumë njerëz ti bashkohen PDK-së dhe ti injorojnë shpifjet që vijnë në këtë process zgjedhor.

Me Respekt
Hevzi Xhelili

Ja reagim i i plotë i Rashitit

Pas daljes në ndonjë portal, ndjehem i detyruar të reagoj (me qëllim sqarimi për strukturën e PDK dhe për publikun) lidhur me zhvillimet e fundit në procesin zgjedhor të PDK-së në Gjilan.

Ashtu qysh dihet botërisht, dega e PDK-së në Gjilan ka disa vite që është në gjendje të keqe. Tash, me nisjen e procesit zgjedhor tensionet janë në rritje të paarsyeshme. Këtë e bëjnë sidomos disa individë që po e shohin fundosjen politike me ç’kapjen e paevitueshme të degës së PDK-së e që është proces fare normal përgjatë rrugës reformuese të saj.

Jo lehtë ka nis procesi zgjedhore më degën e Gjilanit. Ata që ia kanë shkaktu 4 palë humbje të zgjedhjeve lokale dhe nacionale, dhe ata që e kanë mjelë për 20 vite degën e PDK-së, janë duke i bërë përpjekjet që edhe njëherë ta mbajnë degën në pronësi ekskluzive për veti.

Synimi i shumicës së strukturës për ta ri-kthyer Qemajl Mustafën në krye të degës, me qëllim stabilizimi e përparimi, normalisht që ka frikësuar (sërish paarsyeshëm) individët e caktuar, të cilët nuk zgjedhin mënyra për ta penguar dhe ndalur këtë proces shumë të rëndësishëm për PDK-në.

Sa i përket daljes në publik se kanë kërsitur grushtet në PDK-në e Gjilanit, kjo nuk qëndron aspak. Ka pasur tensione dhe gjuhë jo të duhur e asgjë më shumë. I kuptoj disa individë që përmes mediave, duke shpifur, synojnë denigrimin e individëve dhe të degës së PDKse. Rasti i njejtë kishte ndodhur në ditën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013, kur në portale doli lajmi që Qemajl Mustafa dhe Izmi Zeka u rrahen në seline e PDK-së përderisa ata pinin kafe bashkë dhe e përcillnin nga selia punën në terren. Dhe normalisht lajmi e merr dheun dhe mediat e bëjnë të veten.

Shumë me keq ardhje e them, që këtë gjendje të rëndë tensionuese për shumë vite në degën e Gjilanit, e krijon ndonjë individ që me vite merret ne tinzia e me dallavere nga prapaskenat. Këta, në vazhdimësi manipulojnë përmes disa personave që janë në strukturat e degës. Me këto veprime e me këto ndërskamca kanë fyer, kërcënuar dhe tashmë kanë përzënë shumë aktivistë nga partia.

Unë besoj që këto fërkime që unë i quaj normale gjatë procesit zgjedhor, do të sjellin suksesin e PDK-së në Gjilan, pas përfundimit të procesit zgjedhor e tutje.

Pavarësisht këtyre tendencave ne do të jemi bashkë, do të dalim të fortë dhe patjetër fitues edhe këtu brenda në degë e sidomos në garën për komunën dhe kuvendin e Kosovës.

KOMENTE