DYLON

Pastroje oborrin tënd!

Avatar photo Redaksia

/Demokracia ndërtohet me forcën e votës, jo të fjalës, sepse demagogët flasin mirë, por veprojnë keq! E keqja më e madhe është se në politikën tonë, janë kyqur shumë të pandershëm, të cilët nën hijen e kostumeve, çantave e kravatave, mbulohen dhe harrojnë kush ishin, e kush janë! Kërkojnë ndershmëri në llojin dhe sojin e tjetrit , duke harruar llojin dhe sojin e vet!/

(2LONLINE) – Ç`mu kujtua një batutë.
E pyeti politikani një qytetar gjatë fushatës;
Sa vjeç je , o bac ?
– 84 , i përgjigjet plaku.
– S`po tregon që e ke atë moshë. Sigurish nuk e pi cigaren, ia ktheu politikani.
– Jo , cigaren e pi , nga mosha 18-20 vjeçare , i përgjigjet plaku!
– Aha, sigurisht je marr me sport sigurisht , ia ktheu politikani.
-Jo , por jam marr me punët e mia , e si kam shikuar punët e huaja, ia ktheu plaku.
Politikani, heshti, sepse mbeti pa tekst!

EkoHigjiena

He bre , po popull sui generis që jemi ! Teksa po lexoja gazetat e përditshme, portalet, po ndeshë në lloj-lloj shkrimi, analize, vështrimi … E mirë demokracia , a ? Fol çka te duash, shkruaj çfarë të duash, merru me çfarë të duash,…ama sikur të besonin njerëzit ! Po ky populli ynë, këto tre dekadat e fundit është futur thellë në politikë dhe qe besa edhe po i lexon more politikat. Me që pata nge, thash të shti rruza në pe, edhe unë ! Por, më tepër desha t`trokas në ndërgjegjen e atyre, që nuk janë tipa, që flasin ndryshe e veprojnë ndryshe dhe atyre që nuk e dinë hallin e kaçikun e vet!

Po lexoj se filan fistek politikani, po u bënë vërejtje politikanëve profesionist, ndër më të votuarit në vend, po tregon se si “nn” partia politike po bënë sehir, po flet ashtu e kështu paradite, ndërsa pasdite po e ndërron kursin ! Dhe merre me mend, duke u munduar ta kruaj njërin e ta verboj tjetrin, po ndodh e kundërta. Madje çka është më interesante se nëse lëshohemi në një analizë të thellë, po del se partia e tij, ia paska thyer parti së dhe liderit të këtij të dytit!

Politikani tjetër, në vend se ta kujtoj dhelprën së cilës i ishte kallur bishti, e ajo mendonte se është ëndërr, kërcënon se do ta bëjë këtë e atë, se është fillimi i mandatit , se … duke harruar se opozita, nuk është bash sikur pozita ! Dhe mere me mend, premtojnë se do të angazhohen për popullin, për votuesit, për të sanuar gjendjen, duke harruar që deri dje si pushtetar, sen s`ka lënë pa bërë, por jo për të ndihmuar, përkundrazi kanë zhvatur, e janë zhytur edhe në mjerimin e thellë të popullit ! Të qenit opozitë është gjë e mirë, bile më e mirë se pozita, sepse je zëri i arsyes, sepse s`të hyn leku i zhvatur në xhep, sepse llogaridhënia është më e lehtë !

Del zonja politikane e deklaron” Sikur njerëzia do të ishte grua apo NËNË bota nuk do të ndjente dhimbje e as vuajtje“, duke harruar se deri sa ishte në pushtet, ishte edhe grua edhe nënë, edhe intelektuale edhe pushtetare dhe bota po rënkonte nga dhembjet e politikës, gruaja po përbuzej, nëna po nëpërkëmbej,…! Sot kur ajo nuk është ku ishte, sepse populli e pa kontrabandën, lëvizjet në stlin mos u bëftë në xhenet, bile në xhenem të jem, qirret se u bë nami se si femrat nuk janë të përfaqësuara, se femrave s`u ipet hapësirë, se…! Jo , jo e respektuara politikane, nuk u kall dynjaja, por bishti yt, dhe ja ku të them, flaka do të zgjatë gjatë për ty, sepse vet i pa, nga subjekti yt reaguan gratë politikane, pse në subjektin tënd, u futën pjatat fluturuese !

Demokracia ndërtohet me forcën e votës, jo të fjalës, sepse demagogët flasin mirë , por veprojnë keq ! S`është nënë gruaja, motra e bija , ajo e cila me 50-60 vota ia zë vendin burrit, vëllait e prindit që ka 5-6 herë vota më shumë se ajo !

Del ai tjetri alamet politikan , dhe qirret e qirret se si këto sondazhe nuk janë të pranueshme, se janë bërë me tendencë për të ulur imazhin e “nn” partisë politike ,…! Po ti bre… ! Po a shumë po të interesojnë sondazhet , a ? Sondazhet janë parashikime , s`janë gjë tjetër ! Iha sa herë Sylë Tahirsylaj s`ia ka qëlluar . Dhe askush nuk është hidhëruar, bujqit punëtor i kanë grahur punës , ndërsa dembelët , kanë qëndruar duke bërë sehir, për ta paguar në të vjelat e para ! Pra grahi b… dhe puno për vete , për vendin dhe subjektin tënd , e mos u merr me sondazhe !

E keqja më e madhe është se në politikën tonë , janë kyqur shumë të pandershëm , të cilët nën hijen e kostumeve, çantave e kravatave, mbulohen dhe harrojnë kush ishin, e kush janë ! Kërkojnë ndershmëri në llojin dhe sojin e tjetrit , duke harruar llojin dhe sojin e vet!

Lexova se si një anëtare e komitetit të arsimit , kishte bërë kritika të ashpra në punën e DKA-së dhe kishte nxjerr në pah të metat që janë shënuar vite me radhë ! Thash më vete; vallë, athua kaq lehtë e shpejtë po sanuakan të metat dhe dobësitë në arsim …?! Po jo, moj e çmuara profesoreshë ! Arsimi është sistem që as nuk shkatërrohet me shkop magjik, e aq më pak të mëkëmbet në atë mënyrë . Detyrë jona është t`i kryejmë punët tonë aty ku gjendemi, ndërsa ata që e morën votën, të përkujdesen për zotimet e dhëna. Fundja, secili jep llogari për punën e vet, apo jo !

Gjithashtu, njëherë e përgjithmonë duhet të mësohemi, se humbësit apo dështakët duhet dhe mund të ndihmojnë, por assesi t`a hedhin vallen, sepse po t`a kishin udhëhequr vallen si duhet, do ta kishin marrë bekimin e Zotit-popullit. Fundja, politika s`është gjë tjetër pos art, mu sikur noti dhe mund të jesh akademik por të fundosesh, apo e kundërta analfabet dhe të notosh, në cilindo stil …! Këtë tashmë e kemi provuar shumë herë, si me Akademik Rexhep Qosjen, ashtu edhe me Akademik Nexhat Dacin! E mira e së mirës do të kishte qenë, kur i posedojmë edhe titujt akademik edhe shkathtësitë e notit, e nëse nuk i kemi, atëherë një shkop të shkurtër dhe të mbrojmë vetëm veten tonë ! S`na nënçmon kush, më shumë se vetja jonë ! Pleqtë thoshin, e kojtmja të korit (interesi të turpëron)!

/Nehat M.Ramadani/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.