/Biser Mehmeti: “Fjala e ngrirë” (roman), botoi KL “De Rada” Ferizaj, 2014/
Shkruan: Nijazi RAMADANI
(2L ONLINE) – Përshtypja e parë që të krijohet pas leximit të romanit të tretë të Biser Mehmetit “Fjala e ngrirë” është se ai në një farë mënyre e vazhdon rrëfimin e tij aty ku e ka përfunduar në romanin e më parshëm “Jetë e mohuar”. Duhet theksuar se romani “Fjala e ngrirë” është zgjedhur më i miri në konkursin anonim të KL”De Rada” të Ferizajt. Nga vetë titulli mund të kuptojmë se autori paraqet një kohë absurde, në të cilën njerëzit vriten pa mëshirë për shkak se i shprehin mendimet e tyre në mënyrë të lirë. Jo vetëm titulli po edhe pjesa më e madhe e romanit autori e ka paraqitur në mënyrë figurative, siç ka vepruar edhe në romanet e tjera. Kjo dëshmon se autori është përqëndruar të përdor një gjuhë të pasur figurative, përmes së cilës përqon edhe idetë e tija. Prej faqës së pari e deri në atë të fundit hetohet përpjekja e shkrimtarit për ta paraqitur jetën sa më të plotë, po edhe sa më reale, duke u kursyer nga patetizmi, po edhe nga patriotizmi i rrejshëm. Romancierit modern gjithnjë e më pak i intereson historia e jetës së jashtme të individit, por gërsheton vetëdijen dhe nënvetëdijen e individit, ku këto elemente i ka edhe romani, “Fjala e ngrirë” i Biser Mehmetit. Në rrëfimin e romanit autori ia ka arritur qëllimit që të partaqes një varg ngjarjesh nga jeta e përditshme, të cilat janë preokupim i tij në shtjellimin e fabulës. Këto ngjarje janë të lidhura me një numër personazhesh të shtresave të ndryshme, duke filluar nga njeriu i thjeshtë e deri te ai që është i veshur me pushtet. Ky i fundit sikur e ka në dorë fatin e njeriut të zakonshëm. Në këtë mënyrë autori paraqet dy shtresa të ndryshme: ai që udhëheq me popullin dhe ai që është i detyruar t’i nënshtrohet pushtetit, i cili mjet të vetin e ka dhunën. Shkrimtari gjatë rrëfimit të tij ka pikturuar me fjalë të zgjedhura edhe mjedisin ku zhvillohën ngjarjet e ndryshme. Pastaj kujdes të veçantë i kushton edhe përshkrimit të kohës, e cila herë është e shkuar, herë e tashme. Ato shpesh sikur ngatërrohen në mes veti, prandaj narratori herë jeton në kohën e shkuar, herë në të tashmen. Autori gjatë përshkrimit të ngjarjeve shfaq edhe ide për çështje të caktura që lidhen me temën dhe motivet që i trajton. Krejt këto i arrin përmes një gjuhës figurative, duke i ikur gjuhës së thjeshtë deklarative, po edhe natyralizmit. Në masë të caktuar ka arritur të depërtojë në psikikën e personazheve, të cilët janë bartës të idesë së romanit.
Në romanin “Fjala e ngrirë” shkrimtari Biser Mehmeti personazh kryesor ka paraqitur një gazetar të ri, entuziast, po i cili është i pafuqishëm përballë fatkeqësive që ia sjellë një pushtet totalitar. Ai rrezikohet nga miku i tij i dikurshëm, i cili është njeri i veshur me pushtet, i cili ka krijuar pasuri përrallore duke e vjedhur popullin. Duke e portretizuar mikun e tij të dikurshëm autori portretizon gjithë aparatin shtetëror, i cili është i korruptuar dhe i cili i vret të gjithë ata që shkruajnë në gazetë gjëra të vërteta që lidhen me jetën e tyre. Autori ka paraqitur një grup njerëzish, të cilët pushtetin e përdorin për qëllime personale. Populli është viktimë e një pushteti të korruptuar, i cili i vret kundërshtarët pa mëshirë dhe për këto vrasje nuk i jep përgjegjësi askujt. Gjendja pikturohet deri në absurd sa personazhi- narrator, pasi plagoset për vdekje nga miku i tij që është ministër, shkon në spital. Megjithatë, mjekët nuk guxojnë ta kontrollojnë, pasi që kanë frikë se mund të ndëshkohën me jetë. Përmes kësaj autori ka paraqitur edhe frikën që mbizotëronte në popull nga njerëzit e pushtetit, të cilët i vrisnin të gjithë që nuk i zbatonin urdhtrat e tyre. Gazetari i ri e kupton se nuk mund të lufton padrejtësitë që i bëheshin vendit nga një pushtet i korruptuar, i cili i vriste të gjithë ata që mendonin ndryshe. Situata është tragjike kur njerëzit e pushtetit e vrasin kryeredaktorin e gazetës pse ka botuar një shkrim për një ministër. Përveç kësaj tentojnë edhe ta kallin ndërtesën e redaksisë… Sikur në romanet, po edhe në tregimet e tija, shkrimtari përdor stilin e realizmit magjik. Prandaj nuk dihet saktësisht kur peronazhi kryesor është i gjallë e kur është i vdekur. Ai e kupton se miku i tij po e ndjek për ta vrarë, ngase ka shkruar në gazetë një shkrim për prejardhjen e pasurisë së tij përrallore. Megjithatë kudo që fshihet “dora e pushtetit” arrin ta vret. Gjatë gjithë kohës autori paraqet një gjendje të tendosur, ku frika është mbizotëruese, ku njerëzit nuk guxojnë ta thonë të vërtetën, ku ata duhët të shtirën hipokritë e servilë, ndryshe e pësojnë me jetë. Pjesa më e madhe e rrëfimit është paraqitur në stinën e dimrit, gjatë së cilës bie borë, e cila ngrin çdo gjë, madje edhe fjalët që narratori i thotë… Në romanin “Fjala e ngrirë” shkrimtari nuk e paraqet një vend konkret, po as një kohë konkrete. Sipas kësaj ngjarja ka mundur të ndodh në çdo vend të botës e në çdo kohë. Megjithatë sikur lë hapësirë të kuptohet se ngjarjet e këtij romani kanë ndodhur në kohën e shkuar, por që ndodhin edhe në kohën e tashme në vendin tonë… Përveç temës-bosht të romanit autori ka paraqitur edhe disa ngjarje të tjera më pak të rëndësishme. Megjithatë një është për t’u veçuar: atë të braktisjes së fëmijës nga prindi, i cili pasojat e një veprimi të këtillë do t’i kupton më vonë…
“Fjalë e Ngrirë”, i Biser Mehmetit është një roman modern që pasqyron ngjarje që i takojnë një kohës së cilës i takojmë edhe ne sot. Ky roman meriton një vlerësim për sakrificën e shkrimit si dhe personazhit. Ideja e ndërtimit te romanit është shkolla e jetës që shumica nga ne e kemi përjetuar. /2L ONLINE/