(2LONLINE) – Tashmë është e qartë që, në Kosovë, kur thua shtet, thua PDK dhe kur thua PDK, thua shtet! Ky fenomen, quhet shënjuesi dhe i shënjuari, e ta ndash shënjuesin nga i shënjuari, është sikur të ndash një fije floku për së gjati – kështu thuhet – nga që janë të lidhur kaq fort!
Por, axhaminjtë hipokritë, me standarde të dyfishta, bëjnë një hile në këtë ndarje, kur çdo sukses të PDK-së e përgjithësojnë si sukses të të gjithë shtetit dhe në të kundërtën çdo mos arritje të synimeve të shtetit ia atribuon PDK-së – duke parë në mossukseset e saj, suksesin dhe arritjen e vet! Kjo është logjika e axhamillëkut politik në Kosovë, që gjithë energjinë e vet e shpenzon në destruktivitet – në energji negative me qëllim të përfitimit personal nga degradimi i gjendjes!
Ky harbim i axhamive të politikës, që synonte të dëmtonte PDK-në, po dëmton mbi të gjitha Kosovën, dëm të cilin pastaj, këta axhaminj të politikës, po mundohen t’ia atribuojnë PDK-së si parti qeverisëse, duke “harruar” se janë ata të parët që në përçartje i paraprinë një gjendjeje të tillë, duke pjellë akuza nga një fantazi e sëmurë, pa u mbështetur në realitetin objektiv!
Pasojat e një qasjeje të tillë të gabuar, sjellin raporte negative të monitoruesve evropianë dhe tribunale pas tribunalesh, për të vërtetuar hipotezat e pjellës së fantazisë së të sëmurëve për pushtet, të cilët nuk zgjedhin rrugë, mjete dhe forma për të rrëzuar një pushtet të shtetit edhe të tyre, madje edhe nëse do të rrënohej me këtë edhe vetë shteti, veç për hir të pushtetit që duan ta kenë. Ky është axhamillëku i politikës që në nënvetëdije ka akuzat e vazhdueshme ndaj kundërshtarëve politikë, arrestimet e rrënimet, jo vetëm të ndërtimeve të rivalëve politikë, por edhe të arritjeve politike!
Prandaj, çfarëdo akuzash që do të dëgjojmë nga ai që po thuhet të jetë tribunal për krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja, nuk do të jenë të reja e as të tjera nga ato që kemi dëgjuar me vite nga axhaminjtë e politikës! Akuza këto që kane per synim te arrijnë qëllimin e tyre, rrezikimin e kësaj qeverie e bashkë me të edhe të UÇK-së, e me këtë, rrënimin e themeleve të shtetit të Kosovës, të ngritur mbi këto vlera. Atëherë, kushedi çfarë shteti duan të ngrenë axhaminjtë mbi këto rrënoja!
Nuk mjafton, në fund, deklarimi kundër një Tribunali, pasi ai, në asnjë formë nuk mund të pretendojë më shumë se ç’i kemi dëgjuar duke akuzuar axhaminjtë e politikës, secilin prej tyre, as mund të provojë akuzat e plasuara në opinion nga vetë këta axhaminj të politikës – pa çka se shtiren sikur janë kundër tribunalit; pretendimet i kanë të njëjtat, mbase janë burim i atyre pretendimeve!
Krejt fatkeqësia është që, për sa vite lejohet zhvillimi i hetimeve, rreth 2 vite e gjysmë dhe dy të tjera për ngritje të akuzës, Kosova do të stagnojë politikisht! Përkundër kësaj, lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset me asnjë tribunal; e personalitete të përfshira në këto hetime do të dalin faqebardhë e ballëlartë përballë shpifësve!
Axhaminjtë e politikës, paraqiten më prokurorë se prokurorët vendorë; më EULEX-s se EULEX-i, të cilin edhe nuk e pranojnë, e për çudi, njëkohësisht i kërkojnë më shumë punë, të arrestojë emra të caktuar të cilët u konvenojnë këtyre; Kur merret me ta nuk e njohin, e kur merret me të tjerët e ndërsejnë! Këta shajnë, akuzojnë, kërcënojnë, denoncojnë, arrestojnë, rrënojnë gjithçka që s’është e tyre! Këta duan një shtet të rrënuar plotësisht, për ta filluar historinë nga vetja e tyre! E sa do t’u vlejë kjo për të ngritur një pushtet – kushedi?!
PDK, për kaq kohë sa është në qeverisje, ka ndërtuar sistem të drejtësisë, por duke ngritur institucione profesionale, stabile dhe të pavarura, jo duke arrestuar rivalë politik, për inate partiake, apo duke bërë arrestime mediatike për poenë politikë e duke rrënuar pronat e anëtarëve të partive tjera. Një hakmarrje e tillë është e importuar prej axhaminjve nga vendet fqinje, si doktrinë politike e vendeve të lindjes. Kjo është e papranueshme për botëkuptimin kosovar.
Për botëkuptimin politik të PDK-së, është e papranueshme edhe mënyra se si dhjetëra zyrtarë të LDK-së, të komunës së Prishtinës, përpara se të vërtetohen akuzat nga gjykata, veç u turpëruan dhe u gjykuan publikisht me arrestimet spektakulare – projeksion ky strategjik i politikës së tyre. Çudi si nuk organizuan një festë në shesh të Prishtinës – apo e kanë bërë në ndonjë vend të fshehur!
Andaj, axhaminjve të politikës do t’u thosha, të mos e mbajnë gëzimin brenda se është keq për zemër, por ta shpërfaqin, pasi këto zhvillime janë dëshirat e tyre! Nesër kur dhjetëra pjesëtarë të UÇK-së mund të përfshihen në hetime dhe gjyqe, pikërisht sipas projeksioneve, propagandave e dëshirave të tyre ata gjithashtu duhet të gëzohen edhe për këtë, se kjo ishte dëshirë e tyre, e shprehur në të gjitha paraqitjet e mundshme publike.
Prandaj, si mund të dilni kundër një gjëje që e keni kërkuar me vite?! Mos luani me dy fytyra sikur po merakoseni për këto gjëra të këqija që po i ndodhin Kosovës – gëzoni! /2lonline/
Ilir Tahiri
(Autori është anëtar I kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan )