Pashkët, Kisha Ortodokse Serbe apo Satana

Pashkët, Kisha Ortodokse Serbe apo Satana

Se kisha Ortodokse Serbe (KOS) ka qenë vazhdimisht në funksion të politikës ekspansioniste serbe në drejtim të shqiptarëve, në funksion të përhapjes së gjuhës së urrejtjes, dhe pjesë e krimeve të llahtarshme kundër popujve jo serb të ish Jugosllavisë është dëshmuar historikisht, por, edhe deklarata e fundit e patriarkut Irinej për TV Hram se “Nuk mund ta imagjinoj Serbinë pa Kosovën dhe Serbinë pa Deçanin, pa Patriarkanën e Pejës, Graçanicën dhe vende të tjera të shenjta” është pretendim i hapur ndaj lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Shkruan: Fadil Kajtazi

Kjo deklaratë për më tepër është vazhdimësi e përhapjes së gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe futjes së kësaj kishe në funksion të politikes kriminale të Millosheviqit.

Futja Kishës Ortodokse Serbe në shërbim të kësaj politike dhe kriminalizimi i saj është evidentuar gjerësisht nga mediat e shkruara dhe elektronike që nga viti 1987, kur fillon ngritja politike e Millosheviqit e deri më 1999, kur NATO e prirë nga SHBA bombardoi Serbinë.

Në radhë të parë, KOS-ti ndikoj në krijimin e doktrinave shoviniste të cilat patën ndikim në kriminalizimin e politikës dhe shpirtit serb në kurriz të popujve joserb të ish-Jugosllavisë. Dhe kjo u bë në mënyrë graduale duke u bërë pjesë e aksioneve politike të Millosheviqit.

Politika serbe kishte nevojë për prodhimin e argumenteve historike, të cilat asaj i ndihmonin që të krijohej opinion cytës në Serbi dhe republikat tjera të ish-Jugosllavisë, në funksion të rrënimit të autonomisë së Kosovës dhe, pastaj të përgatitjes së ekspansionit në drejtim të Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Autori serb Millorad Tomiq, në librin e tij “Kisha serbe në luftë” (botimi shqip Camaj-Pipaj, Shkodër 2006), fakton faktorët të cilët ndikuan që të kriminalizohet shpirti serb, i cili në fund të shekullit XX të kryen krime të llahtarshme mbi popullatën joserbe, kryesisht boshnjake, shqiptare dhe kroate.

Sipas këtij autori, faza përgatitore për llahtarinë që do të bëjnë serbet nga viti 1991 deri me 1999, u bë nga trinomi Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë, Akademia e Shkencës dhe Arteve dhe Kisha Ortodokse Serbe. “Pra, dhjetëvjeçari i parë i punës në realizimin e rendit të ri serb u krye me sukses. Qentë e luftës ishin çartur me erën e lules trepalëshe serbe (Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë, Akademia e Shkencës dhe Arteve dhe Kisha Ortodokse Serbe) dhe, duke kërcënuar me dhëmbë të skërmitur, tërhiqnin zinxhirët me të cilët qenë lidhur. Njeriu që mbante në duart e tij zinxhirët ishte natyrisht, Slobodan Millosheviqi” (Faq, 28).

Natyrisht, strategjia e donte që objektiv i parë të ishte ai më i lehti për t’u rrënuar, dhe kështu, të gjitha kushtet i plotësonte Kosova. Në ofensivën kundër Kosovës, KOS pati rolin e vet vendimtar, pasi ajo ishte pjesë e kombinimeve mediatike për ta paraqitur popullin serb dhe ortodoksinë si viktimë të “irredentistëve dhe separatistëve shqiptarë”.

Shënimin i 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, në vitin 1989, ishte prelud i këtyre aktiviteteve; në funksion të arianizimit të racës serbe. Për këtë, KOS gjatë gjithë vitit 1988 organizoi shëtitjen e eshtrave të Car Lazarit nëpër hapësirat serbe në Bosnje, Serbi dhe Kosovë, ngjarje kjo e mbuluar me pompozitet nga RTS, i cili si medium publik, gjithashtu, ishte futur në shërbim të Millosheviqit.

Me këtë rast peshkopi i atëhershëm i Shabacit e Valevës, Jovan Velimiroviç, nxori qarkoren ku përmendet termi “Serbia qiellore”, të cilin e përdorën shumë të tjerë. Sipas tij, “me princin Lazar dhe Kosovën serbët, në radhë të parë, krijojnë Serbinë qiellore, e cila, deri më sot, u rrit aq sa u bë shteti më i madh qiellor.

Po të marrim vetëm viktimat e luftës së fundit (aludon në L II B. F.K), miliona serbë e serbe, fëmijë e të pambrojtur, të vrarë e të munduar me tortura të tmerrshme ose të hedhur nëpër gropa e shpella nga kriminel ustash, atëherë jemi në gjendje të perceptojmë përmasat e perandorisë serbe ne qiell” (faq.27).

Në njëfarë mënyre, në këtë qarkore përcaktohet edhe gjeografia e ekspansionit serb, pasi nga “Serbia qiellore” u krijua “populli hyjnor serb” dhe nga kjo kufiri serb; “Aty ku është një varr serb, është tokë serbe”.

Një instrument tjetër të cilin KOS e shfrytëzoj për inspirimin e popullatës serbe për krime deri në gjenocid kundër popujve jo serb në hapësirat e ish Jugosllavisë është edhe një paragraf i ardhur nga Mesjeta e hershme i artikuluar nga “Sveti Atanasie” (Athanasi i Madh), i cili u përpunua dhe modifikua gjatë liturgjive nëpër kishat serbe me qëllim të hynizimit të vrasjeve të jo serbëve. Sipas tij, “të vrasësh në luftë armiqtë është e ligjshme dhe e drejtë për lëvdatë” dhe përgjithësisht, doktrina serbe për vrasjen mbështetët në këtë përkufizim, i cili është i përgjithshëm dhe nuk i ndanë ata që përfshihen direkt në luftë (ushtarët) nga civilët.

Baza e kriminalizimit të Kishës Ortodokse Serbe është pikërisht fakti i përfshirjes në inspirimin e masave të gjëra serbe, mbi bazë të kësaj doktrine, për t’u përfshirë në masakrat kundër civilëve joserb në hapësirat e ish Jugosllavisë. Kjo dëshmohet më së miri nga prononcimi i peshkopit Anastasije Jevtiq i cili thotë se “e di kush ka qenë Arkani; por tash ai është hero dhe i tillë duhet të mbetët”. (Millorad Tomiq “Kisha serbe në luftë” faq. 264.) Ose deklarata tjetër e tij: “…i qoftë për nderë që ai (Arkani, F.K) atje po lufton për popullin serb”. (E-novine, 25.04.2014).

Por edhe pas gjithë llahtarisë kriminale të shkaktuar nga strukturat shtetërorë të Serbisë, gjatë viteve 1990-1999, prapë se prapë Kisha Ortodokse Serbe mbetët ithtare e përdorimit të dhunës kundër shqiptarëve. Patriarku Irinej, gjatë qëndrimit të tij në Nish, më 03.11.2015, deklaron: “Të gjithë jemi të obliguar të ngremë zërin në mbrojtje të Kosovës dhe Metohisë. Nëse vjen te dhuna, duhet t’i bëjmë të gjitha që me dëshirë apo me dhunë që atë ta kthejmë”. (Kosovën. F.K) Kjo retorikë e dhunës nuk ka ndryshuar aspak brendësinë kriminale të Kishës Ortodokse Serbe, të e cila për së paku 200 vite më tepër i ka shërbyer Satanës se sa Zotit.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE