Pashka
Shkruan: Femi HALIMI
-I-
/2L ONLINE/ – Gjithë besimtarëve të krishterë -urime Pashka! Urime por për të gjithë, sepse kjo kremte është për gjithë njerëzit pa dallim në mënyrën e besimit, sepse ka mënyra të ndryshme besimi, por është një i vetmi Zot për të gjithë.
Pashka është kremtja e çlirimit. Është kremte pra. Festat në gjuhën shqipe janë përkujtimet e gëzueshme dhe të lira njerëzore për çastet e mëdha heroike të një populli, kurse kremtja është përulje para Perëndisë në përkujtim me respekt për çlirimin dhe shpëtimin.
Populli ynë ka dy mënyrat e besimit dhe me të dy mënyrat, -islame dhe të krishterë, -është në paqë dhe harmoni dhe këtë veti dhe veçori e ka historikisht gjithmonë dhe për këtë është shembull unik në botë. Bibla dhe kurani mbahen dhe respektohen në popull tonë ashtu si e don respekti për to dhe kjo është e vërteta. Politizmi dhe politizimi, ndërhyrjet dhe moskuptimet janë çështje e njerëzve individualë a grupeve, por veprat njerëzore nuk mund të ulin këto dy libra të shenjta.
Ndryshe thënë, këto dy libra të shenjtë janë në tërësinë e tyre të paprekur dhe të pavarur nga veprimet njerëzore të çfarëdolloji dhe se thirrjet në emër të tyre janë të drejta ose jo, porse asnjë thirrje e tillë nuk mund të bëhet për të keq të këtyre dy librave të shenjtë.
Edhe më kjartë, këto dy libra të shenjtë kanë tërësinë e vet dhe përzierja e etiketimi nuk i arrin këto dy libra, sadoqë ka akuza dhe përmendje edhe në këtë kohë, përgjithësuese e shkakësore, lidhur me to.
-II-
Pashka është përkujtim i Ditës së Daljes së popullit hebre nga skllavëria e shtetit të Egjiptit në atë kohë dhe kjo ngjarje e madhe kujtohet se ndodhi rreth vitit 1480 të kohës së vjetër. Në të vërtetë Moisiu kishte tetëdhjetë vjet kur iu shfaq Perëndia i shenjtë, megjithëse Moisiu ishte në planin e Perëndisë ende para lindjes.
Kështu Perëndia iu shfaq Moisiut me mrekulli por edhe në një mënyrë reale njerëzore dhe kërkoi prej tij të kryente një mision, e që ishte –nxjerrja e popullit hebre nga skllavëria e rëndë nën faraonin. Tutje përgjatë rrëfimit biblik po edhe kuranor mësojmë se Moisiu –Musai me të vëllanë Aaronin –Harunin e kryejtën misionin me ndihmën e Perëndisë dhe e nxorrën popullin nga Egjipti përtej Detit të Kuq…
Shumica e kanë të njohur këtë ngjarje biblike e kuranore dhe kjo është e lehtë të mësohet e dihet pasi është në të gjitha mënyrat e shënimeve në libra, në filma, dhe tani në internet.
Këtë ngjarje të madhe e përkujton edhe Jezus në Ungjill tutje dhe këtë në çastet e fundit të jetës tokësore, -në Darkën e Fundit, -natën e Pashkës, -para vdekjes dhe tutje Ringjalljes dhe për këtë Pashka për së dyti herë u bë dhe u përtëri për kremte tek hebrejtë, por tutje edhe tek të gjithë popujt e njerëzit që pranuan Ungjillin. Do të thotë se një Pashkë është nga Bibla e Vjetër –që është “Librat e profetëve” dhe një tjetër Pashkë në Biblën e re ose në Ungjill, por që është e njejta Pashkë .
Pashka tutje thuhet edhe në shumës edhe në Bibël edhe në mënyrën e emërtimit tani. Pashka ishte në të vërtetë një seri mrekullish të Perëndisë për popullin e Moisiut, që nga mbrojtja prej vdekjes në mbrëmie kur engjulli ndëshkues u lëshua mbi Egjipt, mbrojtjen nga faraoni dhe ushtria e tij, mospengimi i daljes së popullsisë nga faraoni me ushtri, ndihma e popullit të Egjiptit dhënë hebrejve, arritja me sukses në brigjet e Detit të Kuq, tharja e detit dhe kalimi i popullit të arratisur matanë detit, kthimi i ujit të detit dhe vrasja e ushtrisë faraonit prapa që po ndiqnin popullin e Moisiut, etj.
Kështu Pashka don të thotë në të vërtetë figurativisht (e jo nga përkthimi direkt nga hebraishtja) ndihmë dhe shpëtim, çfarë mund ta bënte vetëm një Zot Perëndi i vërtetë, -çfarë edhe ndodhi.
Po edhe më sakt, Pashka qe Falje! Në Librin e Ekzodit, kapitulli 12 -27, vetë Moisiu kjartëson këtë: “…Kjo është flija e Pashkës së Zotit, që kaloi tej shtëpive tona në Egjipt, kur goditi egjiptasit dhe i fali shtëpitë tona…”
Pashka tutje ishte kremte e shenjtë për përkujtim të ndihmës së Perëndisë në çastet më të rënda e të pashpresë, e që hebrejtë e kremtuan përgjatë gjithë kohëve përsa patën mundësi e përsa ishin të lirë, e deri në kohën e Jezusit. Për këtë edhe vetë Jezus përfundoi sipas Ungjillit misionin e tij të dërgesës –ardhjes për shpëtimin e të gjithë njerëzve përmes vdekjes së tij dhe tutje ringjalljes mu në kremtën e Pashkës.
Sipas Ungjillit gjaku i Jezusit ishte ai gjaku i qengjit që shpëtoi hebrejt nga engjulli i vdekjes që shkretoi egjiptianët. Nga kjo dhe nga përmbajtja e tekstit ungjillor tutje kuptohet se Pashka e vërtetë do të jetë ardhja e sërishme e Jezusit për çlirimin përfundimtar të njerëzimit.
-III-
Pashka në Bibël haset sëpariherë në Librin e Ekzodit, në Kreun 12, thënia ose verseti 11, në faqën 125. ( 11. “Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do ta hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.”) –Fjala është për ngrënien e qengjit në mbrëmien e ditës së katërmbëdhjetë të muajit të parë Abib të kalendarit hebraik. Pashka ishte ndërmjet dy mbrëmieve dhe që përfshiu ngjarje shumë dhe me peshë të përjetshme të jetës.
Për një pamje të përgjithshme, -populli i Moisiut po nxirrej nga dora e Zotit nga skllavëria nën pushtetin e faraonit dhe po dërgohej në Tokën e Premtuar. E u quajt e “premtuar” sepse në të vërtetë Perëndia para mbi katërqind vjetëve ia premtoi këtë Tokë vetë Abrahamit kur ishte në të, për shkak të besimit dhe drejtësisë, e për të cilat i pëlqeu Zotit Perëndi atëherë. Ky është orientimi i kremtës së Pashkës, me shumë shëmbëllime.
Pashka ishte dhe është përkujtim i kohës së tmerrshme të robërisë. Ky përkujtim kështu bëhet përkujtim shembull i të gjithë njerëzve dhe popujve që rënkojnë në robëri dhe vlente e vlen sidomos për popullin tonë. Robëria ndërkaq është një robëri e një populli nën sundim të një diktatori të rëndë,ose nën sundimin e të huajve. Robëria por e vërtetë përshkruhet robëri nga mëkati dhe në këtë ka dimenzion të pakufi dhe të përgjithshëm për të gjithë njerëzit. Shkaku i mëkatit dhe i rrojtjes me mëkatin çojnë me radhë përmes shembëlltyrave deri tek shkaku edhe i robërisë dhe kjo është një enigmë vështirë e kuptueshme.
Pashkën më pëlqen ta konsideroj mbi të gjitha “Falje” të Perëndisë për njerëzit dhe me të, mëshirë ofruar për shpëtim, me kusht që njeriu të shkojë tek Perëndia. Krejtë çështja me sa kuptohet nga Shkrimi është se njerëzit nuk shkojnë tek Perëndia, ose nuk mund të shkojnë, sepse kanë një pengesë të pakapërcyeshme. Do të thotë se “Pashkë” është shkuarja e njeriut tek perëndia, -ose ndryshe, -pranim i Perëndisë në jetën tonë.
Kjo pengesë përndryshe për pranimin e Perëndisë në jetën tonë shëmbëllen me faraonin e tmerrshëm, me përçarjen dhe harresën nëmes njerëzve, me ujët e detit të pakalueshëm dhe me mungesën e forcës për çlirim. Për këtë Shkrimi mëson se njeriu ka një rrugë për të shpëtuar nga “fuqia pakufi e faraonit” që është mëkati, porqë për fat të keq, nuk e gjen dot ose nuk mund ta gjej vetë pa kërkuar ndihmën e Perëndisë.
Në këtë është edhe gjithë poenta e besimit. Nga Shkrimi i Ri, kush pranon Jezusin, është i shpëtuar, dhe ky çast quhet Lajm i Mirë në dy kuptime, e që kërkohet për shpëtim, që tutje quhet Mbretëri e Perëndisë që po vjen!
-IV-
Bibla do një lexim dhe studim të thellë e për kohë të gjatë për tu kuptuar. Në Biblën e Vjetër, që është “Librat e profetëve”, Zoti ësht “Zot, Perëndi” dhe që Fjala e tij është e dhënë direkt në origjinal në librat e profetëve, pas fjalëve hyrëse, njohëse e përmbledhëse të profetëve. Këtu pra kemi rastin e vetëm ku Perëndia flet vetë drejtpërdrejtë dhe fjala e tij veçohet nën thonjëza.
Në gjuhën tonë shqipe më mirë se në cilëndo gjuhë është emërtuar Perëndia me cilësitë dhe veçoritë. Kështu shqip, Zoti –është Zoti i fuqisë absolute dhe i jetës së përjetshme dhe është në njejës. Është edhe por Perëndi, –sepse krijoi botën, krijoi për njeriun, dha jetën për njeriun dhe gjitha gjallesat dhe mbi të gjitha është i mëshirshëm, duke mbrojtur jetën gjithë kohën sa jetojmë në këtë botë.
Për më tepër, krijoi gjithë botën për njeriun; -kaq shumë e dashti njeriun ky Zot -që është Perëndi, -që shqip do të thotë se është një prind i dashur, i dhëmbshëm, i mëshirshëm, dhe që është mbrojtës yni i plotfuqishëm dhe me premtim dhe në të cilin është ngushëllimi.
Në Ungjill, që janë katër krahasues dhe vërtetues, koncepti i njohjes së Perëndisë ndryshon nga koncepti në Biblën e Vjetër. Në vend të “Zotit Perëndi”, Perëndia shëmbëllehet me “At” kurse Jezus me “Bir”. Është edhe Fryma e Shenjtë, që sipas Ungjillit erdhi për ne në mbrojtje e jetë, përderisa të vij Jezus sërish përfundimisht. Kështu me këtë në Ungjill Zoti Perëndi shëbëllen me “Trini të Shenjtë”
Pokështu Ungjilli thotë se emri i Jezusit ishte “Jehoshuah”, që në gjuhën hebreje, -gjuhën që fliste Mirjami, do të thotë -“Shpëtimtar”. Dhe se Maria, a Mejremja, a Meri, në të vërtetë, ishte Mirjami, sepse ishte hebreje dhe engjulli i Perëndisë i foli asaj në gjuhë të vet, e jo “me përkthim”!…
-V-
Dhe kështu, përmendje pas përmendjeje, u mundova të përmendi pika me rëndësi që lidhin e ndërlidhin kremtën e Pashkës dhe besimin. Kjo kremte kërkon shumë tekst dhe hapësirë për të dhënë në tërësinë e vet të kapshme për kuptim veçmas për atë që nuk ka njohuri ose ka pak në lëmin e besimit.
Këtë mënyrë të besimit me shembëllime e koncept e jep edhe Kurani dhe në shumicën e çështjeve ka një përbashkësi në mënyrën e besimit dhe në këtë nuk ka dyshim. Por për më tepër, Kurani madhëron me shumë madhështi këtë Jezusin, që është në koncept sëpari ungjillor lindor, mandej i transformuar në koncept e mundësi ndërkuptimi perëndimor. Kurani e përmendë me shumë respekt dhe ndër çështjet kryesore të besimit, përmes emërtimit “Isai, biri i Merjemes”.
Kurani më sa di dhe mbaj mend, tregon respekt për Isain –birin e Merjemes me një mënyrë të jashtëzakonshme, duke pasur një mënyrë të njëjtë të rrëfimit për të sikur është në Ungjill, por edhe duke dhënë informacione tërheqëse befasuese tjera për Isain -Jezusin.
Në Kuran përmendet më sa di vetëm një emër gruaje dhe ky emër është emri i Merjemes!
Një Sure e tërë është për Isain birin e Merjemës, për prindët e Merjemës dhe për Merjemën dhe kjo është në Kuran sureja “Ali Imran”, që është e treta me radhë nga e djathta në të majtë.
Kurani ka fjalën e Perëndisë Allahut që kërkon të përkujtohet ajo (Mejremja) që ruajti vetën dhe që Perëndia -Allahu e shpërbleu me fëmijë djalë, -që ishte Isai, duke përkujtuar se duhet pasur kujdes kur bëhet fjalë për gratë e sidomos për këto që ishin të zgjedhura nga Perëndia Allahu nga Planet e tij për njerëzit dhe jetën.
Kurani por ka gjëra edhe më madhështore për Isain -Jezusin, që është një mirësi e jashtëzakonshme për besimtarët dhe gjithë njerëzit dhe që do të shërbente për paqë, e jo për kundërshti e përplasje civilizimesh e kulturash. Besimi dhe Fjala e Allahut –Perëndisë është kërkesë për paqë, mbrojtje, vëllazërim të gjithë njerëzve dhe të mbrojtjes e ruajtjes nga mëkatet.
-VI-
Për fund, pas një sërë përmendjesh të lira nëpër tërësinë e shënimeve biblike për kremtën e Pashkës dhe për disa çështje kontestuese gjuhësore e kuptimore në gjuhën tonë të saktë e të bukur shqipe, mund të jemi të sigurtë se kremtja ka për qëllim afërsinë njerëzore, mëshirën, bashkëjetesën e bashkëpunimin, ndihmën, përkrahjen nëmes njerëzve, kulturën dhe civilizimin.
Besimi që referohet përmes kremtës së Pashkës ka kuptimin e vetëdijes njerëzore për vepra të mira e të mbara dhe për ruajtjen e njeriut nga të këqijat. Pa vepra të këtilla nuk ka besim, ose besimi pa vepra është i kotë. Ose edhe ndryshe, mund të ketë besim edhe të jashtëzakonshëm, porse vepra e keqe cilado e prishë tërësinë e besimit.
Për këtë, Ungjilli dhe Librat e profetëve, si dhe Kurani njësoj na mësojnë dhe përkujtojnë detyrimet jetësore të besimit çfare kërkoi Zoti ynë vetë dhe që është në Shkrim të shenjtë. Ne jemi një popull i pandarë dhe me këtë edhe dy mënyrat e besimit i kemi të përbashkëta ose të pandara dhe kjo është një madhështi dhe përparësi ndaj popujve të tjerë.
Kjo është Pashka dhe kushti për falje që do të bëj Perëndia për njerëzit që e duan dhe e pranojnë në jetëtë tyre, ashtu si kërkoi ai vetë ngasa mëson Bibla, –dhe edhe një herë për fund, -urime Pashka! /2L ONLINE/
