Pas zgjedhjeve as PDK-ja nuk ka vija të kuqe
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka bërë me dije se kjo parti nuk ka arsye ta refuzojë asnjë subjekt politik për bashkëpunim pas zgjedhjeve të ardhshme.
Ai ka treguar se për interesa të vendit, PDK-ja është e gatshme të bashkëpunojë me secilën parti politike.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Haliti e ka vlerësuar pozitive gatishmërinë e AAK-së dhe të Nismës për të qenë të hapura edhe me PDK-në pas zgjedhjeve, duke thënë se këto subjekte politike njihen mirë dhe nuk kanë asgjë për të fshehur.
Sipas tij, tani për tani PDK-ja është në koalicion me LDK-në që po funksionon mirë.
Haliti ka thënë se në momentin që mund të ketë mospajtime funksionale në mes të koalicionit, atëherë duhet të zhvillohen takime edhe me partitë e tjera për t’i tejkaluar problemet.
