DYLON

Pas vendimit të Gjykatës në Hagë reagon edhe LDK-ja

Pas vendimit të Gjykatës në Hagë reagon edhe LDK-ja
Avatar photo Redaksia

Komunikatë për media nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pritur me shqetësim shumë të thellë aktgjykimin e sotëm ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përmasën e dënimeve ndaj tyre. Të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e këtij momenti për qytetarët e vendit, bëjmë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi.

EkoHigjiena

Liria dhe pavarësia e Kosovës mbështeten në sakrificën e brezave, në rezistencën politike e paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe në mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Aleancës Veriatlantike NATO. Kjo trashëgimi është e përbashkët dhe përgjegjësia për ta ruajtur atë na takon të gjithëve.

Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Regjimi i Serbisë ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, ushtroi dhunë, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje. Përballë kësaj egërsie, populli i Kosovës luftoi për mbijetesë dhe liri.

Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë.

LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës. Mbështesim pa rezervë kërkesën për shterimin e të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe ato të shkallës së dytë.

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për qetësi dhe maturi. U kërkojmë përfaqësuesve politikë të tregojnë përgjegjësi në fjalët dhe veprimet e tyre, të shmangin nxitjen e tensioneve dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë dhe të unitetit qytetar. U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën.

Liria jonë ka kushtuar shumë. Shteti ynë është përgjegjësi e të gjithëve. Ta ruajmë Kosovën, unitetin qytetar dhe miqësitë që i qëndruan pranë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

UÇK mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.