Pas rastit të rëndë tragjik në Livoç të Ultë, reagon Aleanca
“Vrasja e dy personave në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit, është një ngjarje tragjike që trondit çdo qytetar dhe kërkon reagim të vendosur institucional. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave, duke ndarë dhimbjen me ta në këto momente të rënda”, ka thënë Sokol Haziri, kreu i Aleancës në Gjilan.
Ai u shpreh se jeta e njeriut është e shenjtë dhe mbrojtja e saj duhet të jetë detyra parësore e çdo institucioni shtetëror. Autoritetet e rendit dhe të drejtësisë duhet të veprojnë me urgjencë për zbardhjen e plotë të rastit, vënien e autorëve para drejtësisë dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
“Nuk mjafton vetëm reagimi pas tragjedive. Nevojiten parandalim, prani më e përgjegjshme institucionale dhe masa konkrete që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Shteti duhet të jetë aty për ta mbrojtur jetën e qytetarëve, jo vetëm për të reaguar pasi ajo të humbet. Siguria e qytetarit nuk është privilegj, por e drejtë themelore dhe obligim i panegociueshëm i institucioneve”, thotë Sokol Haziri, kryetar i Aleancës, dega në Gjilan. /2LONLINE/
