Pas katër dekadave kontribut në arsim pensionohet Fatmir Selimi
Pas katër dekadave kontribut në fushën e arsimit është pensionuar Fatmir Selimi, zëvendësdrejtor në SHFMU “Selami Hallaqi”, Gjilan.
Ja postimi i tij i plotë me rastin e pensionimit:
Të dashur kolegë, mësimdhënës, staf udhëheqës, punëtorë teknikë, nxënës dhe prindër,
Katër dekada në arsim nuk janë vetëm vite pune. Janë vite jete, përkushtimi, sakrifice, miqësish, sfidash dhe kujtimesh që mbeten gjatë në zemër.
Gjatë gjithë këtij rrugëtimi kam pasur kënaqësinë të jem pjesë e jetës së shumë gjeneratave të nxënësve. Kam punuar si mësues dhe për më shumë se 10 vite kam shërbyer si zëvendësdrejtor, gjithmonë me bindjen se shkolla është vendi ku ndërtohet e ardhmja.
Në këtë ditë, dua t’ju them vetëm një fjalë: Faleminderit!
Faleminderit kolegëve për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, stafit udhëheqës dhe punëtorëve teknikë për përkrahjen, nxënësve për respektin dhe prindërve për bashkëpunimin e besimin.
Në këtë rrugëtim nuk kam qenë vetëm. Prandaj, një pjesë e kësaj mirënjohjeje u takon të gjithë juve.
Sot po largohem nga detyra, por nuk po i lë pas kujtimet. Ato do të mbeten gjithmonë me mua.
Ju uroj shëndet, suksese, respekt dhe shumë të mira në jetë. Faleminderit për gjithçka!
Me shumë respekt dhe mirënjohje,
Fatmir Selimi
