DYLON

Pas Fitores: brezi i ri, përgjegjësia e vjetër dhe koha për balancë 

Pas Fitores: brezi i ri, përgjegjësia e vjetër dhe koha për balancë 
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Trimrron Rexhepi

Fitorja në politikë është vetëm hyrja në një provim të përhershëm të karakterit. Ajo nuk është fund i garës, por fillim i përgjegjësisë. Sot, kur Kuvendi Komunal i Gjilanit ka marrë formën e tij të re, qyteti ynë gjendet në një moment të ndjeshëm: mes brezave: mes përvojës që duhet respektuar dhe energjisë që duhet lëshuar përpara.

EkoHigjiena

Në këtë përbërje të re, është e qartë se fryma rinore po zë gjithnjë e më shumë vend. Ky është një zhvillim i domosdoshëm — jo si mohim i brezit të vjetër, por si vazhdimësi natyrale e një politike që duhet të rigjenerohet. Sepse pushteti, si çdo përgjegjësi tjetër, duhet ndarë e bartur, jo e mbajtur me fanatizëm.

Brezi i vjetër politik, nga të gjitha partitë, ka mbajtur mbi supe vite të tëra përpjekjesh, gabimesh e përvojash. Ata kanë kaluar periudha tranzicioni, kanë përballuar mosbesim e ndonjëherë edhe padrejtësi. Dhe për këtë, meritojnë respekt. Por njëkohësisht, ata duhet të kuptojnë se koha e vërtetë e maturisë politike është kur di të lëshosh përgjegjësinë me dinjitet, jo ta mbyllësh në duar nga frika e së resë.

Në çdo parti politike — qoftë ajo me përvojën e gjatë të PDK-së, me bazën qytetare të LDK-së apo me idealizmin e brezit të ri të VV-së — është e domosdoshme që tranzicioni mes brezave të mos shihet si kërcënim, por si evolucion. Sepse rinia nuk është kundërshtar i përvojës, është pasardhja e saj natyrore. E reja mëson nga e vjetra, dhe e vjetra rigjen kuptim përmes të resë.

Kuvendi Komunal i Gjilanit duhet të bëhet shembull i këtij bashkëjetimi. Të rinjtë që hyjnë për herë të parë në pushtet duhet të sjellin frymën e ideve të reja, por edhe përulësinë për të dëgjuar. Ndërsa më të vjetrit duhet të tregojnë mençurinë për të ndarë përvojën, jo për ta ruajtur si privilegj personal. Sepse pushteti që nuk rinovohet, myket; ndërsa ai që mëson të qarkullojë, gjallon.

Gjilani nuk ka nevojë për ndarje mes të rinjve dhe të vjetërve — ka nevojë për urtësi që bashkon. Qyteti pret nga Kuvendi i tij vendime që lindin nga bashkëbisedimi, jo nga përplasja. Pret që zërat e rinisë të mos heshten nga përvoja, e as përvoja të mos fshihet nga entuziazmi i rinisë.

Në fund, politika është një stafetë, jo një fron. Askush nuk e mban përgjithmonë. Dhe nderi më i madh i brezit të vjetër do të jetë ta shohë një brez të ri që udhëheq me dinjitet; ndërsa detyra më e madhe e brezit të ri do të jetë ta dëshmojë se është i gatshëm të udhëheq me maturi.

Gjilani meriton pikërisht këtë ekuilibër — një bashkim gjeneratash që e bën politikën shërbim, jo pronë. Sepse, në fund të fundit urtësia që nuk përcillet, shuhet; energjia që nuk udhëhiqet, shpërdorohet. /2LONLINE/