Partisë së Drejtësisë (PD) i iku një kuadër i rëndësishëm!

Partisë së Drejtësisë (PD) i iku një kuadër i rëndësishëm!

Dikur pretendonte ta fitonte Gjilanin me të, duke e kandiduar në garën për të parin e komunës, por sot Partia e Drejtësisë (PD), ngeli pa të, pasi Naser Morina, ish pretendenti i këtij subjekti politik për kryetar të Komunës së Gjilanit, është larguar nga kjo parti duke dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet që mbante dhe duke u larguar edhe nga të qenit anëtar.

Këtë e ka bërë të ditur vet Morina, i cili tha për Portalin 2LONLINE, se nga sot nuk është më pjesë e këtij subjekti politik.

“Po, kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet në PD, si nga pozita e nënkryetarit për çështje politike në degën e Gjilanit, nga anëtari i kryesisë qendrore në Prishtinë si dhe nga pozita e koordinatorit regjional për Gjilan, Viti dhe Kamenicë”, tha Morina.

Në zgjedhjet komunale të vitit 2017, ai ishte i nominuar nga PD-ja, në garën për kryetar të Gjilanit, ku siç thotë ai bëri maksimumin në ato zgjedhje, por partia e ndarë në disa grupe nga vitet e mëhershme, bëri që të ishte e vështirë konsolidimi.

Rikujtojmë se PD-ja në nivel vendi vetëm me kandidaturën e Morinës ka qenë në garë për kryetar të një komune në vitin 2017.

“Kyçja ime në politikë kishte të bënte me dëshirën time për të dhënë diçka nga vetja ime për vendin dhe në këtë drejtim nuk jam kursyer, por ja që në Kosovën tonë kjo nuk vlerësohet”, ka thënë Morina.

Ai shtoi se dëshiron t’i falënderojë të gjithë qytetarët e Gjilanit, mbështetësit e tij në PD, për mbështetje të vazhdueshme si gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, por edhe në angazhimet e mëpastajme në fushën e politikës, duke përfshirë edhe periudhën e fundit dyvjeçare, deri më sot.

“Partisë së Drejtësisë dhe kryetarit Agani suksese të mëtutjeshme në politikë, kurse unë do të vazhdojë më tutje me botën akademike”, u shpreh Naser Morina, i cili është ekspert i fushës së infrastrukturës së ndërtimit.

KOMENTE