Parapërgatiten disa rrugë për asfaltim në Komunën e Gjilanit
/2L ONLINE/ – Drejtoria e Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, po vazhdon me investime në infrastrukturë në pjesë të ndryshme të Komunës së Gjilanit, duke trajtuar rrugët në kuadër të mirëmbajtjes për përgatitjen e tyre për asfaltim gjatë fazës në vijim për asfaltim të rrugëve.
Me këtë rast drejtori i kësaj drejtorie, Sokol Haziri, ka thënë se janë duke u trajtuar me zhavorr rrugët të cilat janë në gjendje më të keqe në kuadër të mirëmbajtjes, në mënyrë që edhe të parapërgatiten për asfaltimin e tyre.
“Jemi duke bërë mirëmbajtjen e rrugëve me zhavorr, që është filluar në pjesën e qytetit kah tregu i automjeteve që janë trajtuar mbi dy kilometra rrugë të kësaj natyre dhe tani kemi dalë në lagjen tjetër, në rrugën “Muharrem Kurteshi”, sepse gjatë sezonit të dimrit dhe reshjeve, këto rrugë janë dëmtuar në masë të madhe dhe kanë kërkuar një intervenim emergjent, deri në asfaltimin e tyre që janë pjesë e programit për asfaltime në këtë vit. Jemi në pritje të përfundimit të procedurave të prokurimit që të nisim punën në asfaltim të këtyre rrugëve, por, deri atëherë është dashur që patjetër të intervenohet në këtë mënyrë që nuk ka ndonjë kosto shumë të madhe”, tha drejtori Haziri, duke shtuar se po punohet për një jetë më të mirë për qytetarët.
Ai ka pohuar se janë duke punuar edhe në sektor të tjerë dhe në disa pjesë të ndryshme në Komunën e Gjilanit si në rregullim të rrugëve, ndriçimit, trotuareve, kanalizimit dhe ujësjellësit.
“Gjatë javës së ardhshme do të bëjmë mirëmbajtjen edhe nëpër fshatra. Me të gjitha kapacitetet, do të punojmë për përmirësimin e gjendjes në infrastrukturën e cila është shumë e dëmtuar”, theksoi ai. /2L ONLINE/
