Paraliza faciale ose paraliza e fytyrës është humbje e lëvizjes së muskujve të fytyrës vetëm në njërën anë dhe shkaktohet nga dëmtimi i nervit të shtatë të kokës (nervi facial), i cili inervon muskujt e fytyrës: muskujt e ballit, të kapakëve të syve, faqeve, buzëve, etj.
Paraliza faciale ndahet në dy lloje: Periferike (Paraliza Bell) dhe Qëndrore. Ajo që haset më shpesh është paraliza faciale periferike.
Paraliza faciale periferike – shkaktohet nga korentet e ajrit, nga komprimimi i nervit përgjatë rrugës së tij nga shkaqe të ndryshme, nga infeksionet gripale, otiti akut ose kronik, nga manipulimet e gabuara të stomatologëve, etj. Në shumicën e rasteve, dëmtimi i nervit facial vjen nga të ftohtit dhe emërtohet si paralizë faciale Ex frigore.
Ndërsa paraliza faciale qëndrore – shkaktohet nga tumoret, hemoragjia cerebrovaskulare, traumat, sëmundjet demielinizante, etj.
Gjithashtu shkaktarë të tjerë mund të jenë:
– Hipertensioni
– Diabeti
– Sëmundja Lyme, sëmundje infektive që shkaktohet nga bakteret e llojit Borrelia
– Sindroma Ramsay – Hunt, një infeksion viral i nervit facial
– Sëmundjet autoimune, si skleroza multiple, e cila ndikon në trurin dhe palcën kurrizore dhe sindromi Guillain-Barre, i cili ndikon në sistemin nervor.
Shenjat klinike
Shenjat klinike të paralizës faciale periferike janë: asimetri e fytyrës me tërheqje nga ana e shëndoshë, vështirësi ose pamundësi për ta rrudhur ballin nga ana e sëmurë, vështirësi/pamundësi për të mbyllur syrin nga ana e dëmtuar (kur përpiqet të mbyllë syrin shihet një rrotullim i bulbit okular lart dhe anash), vështirësi/pamundësi për të fryrë faqet si dhe për të fërshëllyer. Gjithashtu mund të shoqërohet edhe me lotim të syrit, prishje të shijes në gjysmën e gjuhës nga ana e sëmurë si dhe dhimbje në pjesën e pasme të veshit.
Përveç shenjave klinike, paraliza e fytyrës mund të shkaktojnë:
– Dhimbje të fytyrës
– Dhimbje koke apo marrje mendsh
– Dhimbje veshi, zhurmë kumbuese në një ose të dy veshët, rritje të ndjeshmërisë ndaj zhurmave
– Vështirësi në të folur
– Paaftësia për të shprehur emocione
– Vështirësi për të ngrënë ose për të pirë
– Tharje të syrit dhe gojës, etj.
Diagnoza
Diagnoza vihet nëpërmjet ekzaminimit klinik. Në varësi të shkaqeve dhe simptomave, mjeku/fizioterapisti bën dhe dallimin e paralizës, nëse është qëndrore apo periferike.
Nëse shkaku i simptomet nuk është i qartë, nevojiten ekzaminime të tjera siç janë analizat e gjakut, një MRI ose një CT scan.
Rehabilitimi i paralizës faciale
Lloji i terapisë që duhet ndjekur përcaktohet nga shkaktari. Terapia gjithashtu do të varet dhe nga kohëzgjatja e paralizës dhe nga lloji i dëmtimit i nervit facial.
Më poshtë është një listë me disa nga mundësitë e trajtimit, por kjo do të varet nga simptomat tuaja specifike.
Edukimi mbi funksionimin e nervit facial dhe se si rehabilitohet paraliza faciale, është shumë i rëndësishëm në terapi në qoftëse doni të arrini rezultate maksimale. Kjo për shkak se ju duhet ta njihni shumë mirë fytyrën tuaj, mënyrën se si ajo lëviz, shikon, pushon dhe funksionet e saj.
Fizioterapia është shumë e këshillueshme pasi me anë të procedurave bëhet i mundur rikthimi i funksioneve të muskujve të fytyrës dhe rikthimi i tyre në gjendjen normale. Rekomandohet përdorimi i stimulimit elektrik (TENS), masazhe manuale dhe aktivizimi specifik i muskujve të fytyrës me anë të ushtrimeve të mimikës.
Një program ushtrimesh në shtëpi:
– Masazh për të mbajtur muskujt në lëvizje dhe të shëndetshëm
– Tërheqje për të zgjatur muskujt të cilat janë shkurtuar apo shtrënguar
– Ushtrime për mimikën
– Relaksim i nervit facial dhe muskujve
– Ushtrimet për të reduktuar lëvizjet e pavullnetshme dhe të pa dëshiruara.
Gentiana Rashiti-Fizioterapeute
Medical Service Center