(2LONLINE) – Drejtoria Komunale e Inspeksionit në Gjilan ka paralajmëruar të ndërmarrë një aksion gjithëpërfshirës për identifikimin e më pas edhe rrëzimin e objekteve që janë ndërtuar e që nuk kanë leje përkatëse.
Drejtori i drejtorisë së Inspeksionit në Gjilan, Selver Xhelili ka bërë të ditur se në listën e zezë të ndërtimeve pa leje janë rreth 16 objekte në pjesë të ndryshme te komunës dhe nëse brenda afatit të caktuar pronarët e atyre objekteve në fjalë nuk i përmbushin obligimet ligjore të cilat iu janë bërë të ditura edhe nga inspektorët përkatës, atëherë brenda 72 orëve, pritet nisja e rrënimit të këtyre objekteve.
’Referuar vendimeve përkatëse, nëse pronarët nuk e respektojnë ligjin për legalizimin e objekteve në fjalë, tashmë drejtoria e inspeksionit merr kompetencë për ndërhyrje direkt për prishjen e ndërtimeve pa leje. Në qoftë se nuk respektohen njoftimet e drejtorisë ndërhyrja do të ndodh brenda 72 orëve’’ ka thënë për Portalin 2Lonline, drejtori Selver Xhelili.
Sipas tij, kjo nismë vjen në një kohë kur janë kryer shumë ndërtime në kundërshtim me parimet e urbanistikës, jashtë planeve lokale dhe pranë zonave ku nuk lejohet ndërtimi. Referuar të dhënave zyrtare, pavarësisht proceseve të mëparshme, ende mbeten të palegalizuara të paktën 16 ndërtime në mbarë komunën e Gjilani. / Edona JERLIU/2lonline/