Paralajmërime ogurzeza!

Paralajmërime ogurzeza!

Shkeljet kushtetuese nga i pari i vendit, gatishmëria për të fal tokë nga i pari i një komune, heqja dorë nga reciprociteti e bashkë me te edhe nga programi qeverisës nga paria e një partie si dhe angazhimi për falje të gjenocidit serb … dëshmojnë për situatën në të cilën jemi.

Shkruan: Ismajl KURTESHI

Derisa Qeveria në krye me Kryeministrin Kurti e filloi punën, bazuar në programin për të cilin ishin pajtuar me partnerin qeverisës, duke filluar nga kujdesi për shpenzimin e buxhetit të shtetit, si për buxhetin familjar, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar , ndërtimin e raporteve korrekte të partneritetit me shumë shtete… në anën tjetër, projektuesit e grabitjes së pushtetit përdorën të gjitha mjetet për ta shkarkua këtë Qeveri që po i rrezikonte shkelësit e ligjit e zhvatësit e buxhetit, e të këtillë janë pikërisht projektuesit e rrëzimit të kësaj Qeverie.

Partneri qeverisës kërkoi me insistim që të hiqet dorë nga implementimi i programit qeverisës duke filluar nga çështja më e ndjeshme, heqja dorë nga reciprociteti.

Në anën tjetër, Presidenti i interesuar tej mase për sjelljen në pushtet një qeverie kukull, që do t’i mundësoi atij realizimin e projekteve personale, e mori rolin e interpretuesit të Kushtetutës dhe në vend se t’i shpall zgjedhje e reja, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, ai i filloi përpjekjet për formimin e një qeverie të re, në kundërshtim me Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Pretendenti për kryeministër, z. Hoti, prioritet të parë të tij e deklaroi heqjen e reciprocitetit në raport me Serbinë. Sado që ai e din se, heqja dorë nga reciprociteti është e barabartë me heqje dorë nga barazia, dhe se dy palë të pabarabarta nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje të qëndrueshme. Ai megjithatë është i vendosur ta ndërmarrë këtë veprim shumë të dëmshëm për vendin, për ta dëshmuar (siç thotë ai) amerikanizmin e tij, edhe pse dihet se ky nuk është motivi i tij i vërtetë.

Edhe nënkryetari i LDK-së, z. Haziri i njohur si njëri nga politikanët më të angazhuar, në të kaluarën, për jetësimin e projektit serb për decentralizimin në baza etnike, me çka iu dha mundësia Serbisë të bëjë përpjekje për realizimin e qëllimit të vërtet të saj, copëtimin e Kosovës deklaroi këto ditë se Serbisë duhet t’i jepet gjithsesi diçka për arritjen e një marrëveshjeje, që në fakt prapë nuk përfundon me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kështu z.Haziri po angazhohet për falje të tokës së Kosovës, edhe pse sipas Kushtetutës territori i Shtetit të Kosovës është i pacenueshëm, ai është gati të fal tok, ashtu siç e fali, në të kaluarën e afërt, një të katërtën e territorit të Komunës së Gjilanit, për ta krijuar Komunën monoetnike të Parteshit dhe për ta zgjeruar komunën e Artanës.

Baton Haxhiu, në një debat televiziv, kur foli në lidhje me marrëveshjen Kosovë – Serbin, tha se: “Pika dy e marrëveshjes Kosovë – Serbi është falja e masakrave që Serbia i ka bërë në Kosovë, realisht pas 20 viteve as nuk kanë pse me u dënua”.

Papërgjegjësi e këtillë e zyrtarëve që përfaqësojnë institucione e parti, nuk mund të imagjinohet, në një vend ku vërtet funksionon shteti e ku janë aktivë qytetarët.

Shkeljet kushtetuese nga i pari i vendit dhe i pari i një komune, heqja dorë nga reciprociteti e bashkë me te edhe nga programi qeverisës nga paria e një partie që veten e quan institucionaliste, angazhimi për falje të gjenocidit serb, vrasjet, dhunimet, burgosjet, torturat, dëbimet, dëmet materiale dhe shumë të zeza të tjera që përjetuam si popull gjatë shekullit XX, dëshmojnë për situatën në të cilën jemi.

Por është rëndësishme se, në këtë situatë të rënd , qytetarët po i përcjellin me kujdes zhvillimet dhe po e vlerësojnë rrolin e secilit. Kjo do të thotë se manipulimeve po ju vjen fundi.

KOMENTE