Kryetari i ri i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bëri të ditur se pas certifikimit të rezultatit nga KQZ-ja do ta paraqes ekipin e tij dhe objektivat për komunën e Prishtinës.
Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, tha se qeverisja e tij në komunën e Prishtinës do të jetë e hapur dhe korrekte në menaxhimin e financave publike.
“Qeverisja e Komunës së Prishtinës do të jetë efikase, e përkushtuar dhe në bashkë drejtim me qytetarët. Po ashtu do të jetë e hapur, transparente dhe korrekte me menaxhimin e financave publike. Shumë shpejt pas certifikimit të rezultatit nga KQZ do të paraqesim publikisht të gjithë ekipin dhe objektivat konkretë për secilën fushë”, theksoi ai.
Kurse, sa i përket ceremonisë së betimit si kryetar i Prishtinës, ai theksoi se nuk dëshiron të merret me polemika, por sipas tij në ditën e betimit të gjithë do ta kenë mundësinë ta shohin ceremoninë.
“ E di që kjo pyetje po shtrohet pareshtur por besoj që në këto kohë jemi të vendosur që të fillojmë nga konkretizimi i zgjidhjeve për Prishtinës jo nga polemizimi disi artificial. Ditën e betimit ju do të jeni të gjithë prezent dhe do të keni mundësi të shihni gjithë ceremoninë”, tha Ahmeti për “Bota sot”.