PARA BULËZAVE
(In Memoriam: Musa Ramadanit)
Mehmetali Rexhepi
u shkri qiriu i Mu Rait
pakës para bulëzave të reja të stinës
shpalo fletët që të lash mund të trazohesh prej thimthash të grerëzës
të mallkosh grackën e lules e të bletës
nuk e bëri katërkëmbëshi
qindra pickime turinjve syve në një zgorre lisi
kosto e tundimit të mjaltës ngriti në vertikale
ariu mbi një prirje instinkti
Mu Rai ua mbështillte cipën fjalëve me klorofilin e pavenitur
kasketa mbi sy u bënte hije dy liqeve të tij
përmbysnin anije perandorësh gojë-hapur
liderët në ata liqe i lajthiste syprina
fytyra faqe buzë gjinj tamblore bele floçkash copëzuar
zbërthe mozaikun dhe do të vlojë afshi i përgjuar
*
shteren dhe liqenet tuaj Maestro mbeti “Ligatina”
dhëmbët e kohës së uritur përpinë gjysmën e Gllamës
ankthi i “Zezonës” u ngjiz në gjenet e amës
nuk e ndali dot ritmin “Vrapuesja e Prizrenit”
Maratonomakja t`ia shpinte Majlindës në dorë trofeun
*
Maestro fli i qetë
le për ne qindra sy
kokrrat e grurit dhe të egjrës
i shihje në “Neurosis”
i rrisje me lëngun “Thirravaje”
*
“Eugjenika e tri deteve”
ftoi muzat të shpërfaqnin mijëra derte