/2L ONLINE/ – Punësimi në vendin tonë është kryefjala e gjitha problemeve, por fatkeqësisht institucionet pak ose shumë pak janë marrë seriozisht me problemin e punësimit. Një shtet me një milion e gjysmë banor të ketë shkallën e papunësisë mbi pesëdhjetë për qind, kjo aspak nuk i shkon një shteti brenda kufijve të Evropës,pasi që dihet se një shkallë kaq e lart e papunësisë është e pa tolerueshme në shtetet e Evropës.
Jemi mësuar çdo vit të dëgjojmë nga institucionet për shkallen e rritjes së papunësisë dhe premtimet e tyre se po bëjnë të pa mundurën që kjo situatë të përmirësohet ,por në realitet gjendja nuk po ndryshon, përkundrazi trendet tregojnë përkeqësim edhe më të madh të shkallës së papunësisë dhe nuk shihet në horizont ndo një veprim konkret që do të tregonte ndo një shpresë në një afat të shkurtër kohor. Institucionet deri më tani janë treguar të pa afta të pa dije dhe të pa interesuara që të merren seriozisht me politikat e punësimit dhe për pasojë kemi ardhur te kjo gjendje ku punësimi është bërë problemi kryesor në vend.
Problemi i papunësisë, disa komuna i ka goditë më shumë ,në këtë aspekt edhe Komuna e Gjilanit në mungesë të investimeve dhe të projekteve ka mbet një ndër komunat ku shkalla e papunësisë është shumë e lartë, sidomos nëpër fshatra , ku përveç investimeve të pakta infrastrukturore, qytetarët janë anashkaluar edhe sa i përket punësimit,dhe për pasojë fshatrat e komunës së Gjilanit po boshatisen nga të rinjtë masovisht. Të rinjtë që po ikin, po ja mësyjnë vendeve Evropiane për një jetë më të mirë sepse shpresa për një perspektivë në vendin e tyre është humbur. Disa fshatra të komunës së Gjilanit kanë filluar ti ngjajnë fshatrave Siciliane të Italisë, ku ose janë braktis tërësisht ose kanë mbet të moshuarit aty këtu.
Në Kosovë çdo ditë e më shumë po krijohet një klimë pesimizmi dhe kjo klimë po manifestohet në humbjen e shpresës tek të rinjtë, sepse ata po shohin se institucionet nuk po punojnë që të krijojnë një mjedis ku do të shihet perspektiva. Besimi në institucione ka humbur sidomos te gjenerata e re e cila nuk e ka barrën e ngarkesës nga e kaluara ,dhe e cila nuk na kupton ne kur justifikohemi ,ata duan të ecin përpara krahas bashkëmoshatarëve të tyre nga bota e zhvilluar dhe nuk duan të na dëgjojnë ne duke u marr vazhdimisht me tema globale,nacionale,apo ideologjike,ata thjesht duan një jetë më të mirë.
Shumë popuj e kanë kaluar barrën e të kaluarës,ata kanë lënë të kaluarën për të ardhmen dhe kanë ecë drejt zhvillimit dhe përparimit,kurse ne kemi ngecë në baltën e së kaluarës dhe assesi nuk po mundemi të bëjmë hapa para,duke e harxhua energjinë kundër njëri tjetrit në vend se ti bashkojmë energjitë dhe ta rrisim fuqinë të ecim para, ta bëjmë këtë shtet të jetueshëm e jo vend legjendash e mitesh. E kaluara na është bërë përditshmëri sepse skena jonë politike, liderët e partive, duke mos pas as një kapacitet intelektual dhe profesional,e kanë shkrua emrin e vet në personazhe të lavdisë dhe ata pa të kaluarën nuk janë asgjë,kemi mbet peng të këtyre rrahagjoksëve të cilët shtetin e konceptojnë si pronë, sepse ata thirren në bërjen e tij.
S’ka dyshim se përgjegjësin kryesore për çdo dështim e bartë qeveria e cila është zgjedhur me votën e qytetarit ,ajo përveç privilegjeve duhet ti pranojë edhe përgjegjësit që i ka dhe të krijojë politika të cilat do të qonin drejt zgjidhjes së problemit të papunësisë, në mënyrë që të rinjtë tonë mos ta braktisin vendin siç është tani duke ndodhë,sepse një ditë do ti vuajmë pasojat por do të jetë vonë. Të gjitha institucionet edhe ato lokale duhet të jenë në shërbim të qytetarëve ti zgjidhin problemet e tyre,të prodhojnë strategji zhvillimi,të hapet perspektiva për të gjithë.
Qeverisja komunale duhet që të emërojë profesionistë të fushës nëpër organet komunale e jo militant partiak të cilët nuk e kanë prioritet interesin e qytetarit por të partisë. Ato komuna që kanë profesionistë të fushës nëpër organet komunale,kanë arrit edhe rezultate konkrete në fushën punësimit të qytetarëve duke sjellë edhe investime nga jashtë sepse Investuesit nga jashtë nuk vijnë aty ku nuk ka rend dhe rregull.
Po të ishte më e vëmendshme dhe më e përgjegjshme pushteti komunal në Gjilan edhe në komunën tonë do të kishte ndo një investim serioz,sepse në këtë gjendje kaosi nuk vijnë investitorët. Nëse nuk ndërmerret ndo një vendim në të ardhmen e afërt shumë fshatra të komunës së Gjilanit do të boshatisën nga të rinjtë. /2L ONLINE/