/Mbi 60 persona kanë kërkuar tretman mjekësor apo edhe janë hospitalizuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit që nga e premtja, me dyshimin se janë helmuar pas një iftari në një restorant në Gjilan/
Nga: Fikri Mehmeti
Ne, do të duhej të shihnim kryetarin e komunës së Gjilanit duke kërkuar përgjegjësi dhe dënuar rastin, por fatkeqësisht u deklarua vetëm drejtori i tij, ai i inspekcionit, duke u munduar rastin të e barte në një dimension tjetër, atë se ku ndodhet objekti dhe juridikisht kujt i takon përgjegjësia, kështu duke u arsyetuar se nuk është nën kompetencat e komunës së Gjilanit restoranti ku ka ndodhur helmimi i qytetarëve.
Nëse nuk është kompetencë e komunës objekti ku është rrezikuar jeta e 6 qytetarëve gjilanas, nuk do të thotë se komuna duhet të hesht dhe të mos reagoje. Deklarata e drejtorit të inspekcionit është joserioze, dhe dëshmon joseriozitetin e kryetarit dhe drejtorëve të tij.
Nëse në një shtet tjetër do të rrezikohej jeta e qytetarëve të Gjilanit, komuna do të duhej të reagonte, dhe deri tek instancat më të larta të kërkoje përgjegjësi, e aq më shumë duhet të kërkoje përgjegjësi nga komuna fqinje.
Nuk mund të arsyetohet heshtja e komunës duke thënë se restoranti nuk është në territorin e Gjilanit, edhe në Afrikë nëse ka ndodhur rasti, ju duhet të kërkoni përgjegjësi.
Ne të gjithë e dimë se restoranti është shumë afër qytetit të Gjilanit, dhe mbi 90 % e vizitorëve janë nga komuna e Gjilanit, prandaj, mos u mundoni të arsyetoni por kërkoni përgjegjësi dhe reagim të menjëhershëm nga komuna e Novobërdës.
Dikush duhet të del para drejtësisë për rrezikimin e jetës së qytetarëve. E ju si drejtori e inspekcionit sa mundoheni të arsyetoheni, bëjeni një hulumtim se sa jemi përfshi në skandalin e mishit si komunë, dhe mos bëni sehir.
Fikri Mehmeti –Alternativa, Dega në Gjilan