Papërcaktueshmëria!

(2LONLINE) – Fjalën e kam  për pa përcaktueshmërinë  politike të opinionin publik shqiptarë, me theks të veçantë në Kosovë në kontekst të orientimin politik tradicional, i manifestuar si majtizëm  apo djathtizëm. Është opinion konsonant, konsideroj edhe i arsyeshëm, se skena politike në Kosovë nuk është e profilizuar në aspektin programorë politik, dhe e njëjta më shumë  identifikohet me emrat e personave të cilët kanë arritur te jenë në majat e  strukturave (piramidale) të  ndikimit social dhe politik. Realisht, duhet  pranuar faktin se roli liderëve nuk mundë  përjashtohet, pasi që çfarëdo organizimi  shoqërorë, aq më parë politik, pa tjetër duhet të e ketë një lider. Por,  ajo çka vlen për të e vënë në pah, është se skena politike, konkretisht profili politik i partive politike, paraqitet i mjegullt, për të qenë i saktë, ai më tepër është vetëm deklarativ. Kjo ndodhë ngase liderët politik ose nuk kanë njohuri lidhur me profilizimet politike, gjë që nuk është për të u besuar, ose nuk kanë guxim të e shpalosin orientimin e tyre të mirëfilltë politik, gjë që është  më afër të vërtetës. Në fakt, për të e zbuluar origjinën e këtij konfuzioni, nuk mundë të e anashkalojmë faktin se edhe vet baza (substrati) politik nga ku derivon legjitimiteti i liderëve politik, fatkeqësisht nuk ka pësuar zhvillime politike në mënyrë  procesuale, gjë e cila do të ishte reflektuar me një strukturim elementarë, respektivisht një diferencim politik elementarë. Kjo është kështu ngase  shoqëria shqiptare, kurrë nuk arriti të jetë subjekt i proceseve  puro politike, për të  pasur arsye për të qenë në njërin apo tjetrin tabor politik, apo identifikohet me to, kjo për shkakun e thjeshtë se ishte përherë e pushtuar. Edhe identifikimi  me komunizmin edhe ai me fashizmin ishte i imponuar e jo opsion programorë politik.

Duke mos mundur të anashkalosh këtë fakt, që mendoj se është edhe kryesori, konsideroj se është vështirë të e gjesh një orientim politik (le të themi të sigurt), me të cilin, posaçërisht  konsideroj se kjo vlenë për shqiptarët e Kosovës, do të mundë të ndiheshin komod me përcaktimin e tyre politik, kjo ngase, për fatin e keq të tyre, që të dy orientimet politike tradicionale, pra e djathta dhe e majta, i sollën mjaftë fatkeqësi dhe asnjëri nga ta nuk mundë të mbetet pa u kritikuar, dhe kur them kritikuar  mendoj të kritikohet rreptë dhe me bazë të gjerë arsyetimi, për shkak të aspekteve të errëta  që ishin pasojë e   veprimeve të tyre.

Si djathtizmi  po ashtu dhe majtizmi u sollën probleme edhe shoqërive dhe kombeve të  zhvilluara, por amortizmi  te to ishte më i lehtë dhe më i mundshëm (në raport me  shqiptarët) për faktin e se te to në kontekst të zhvillimeve  politike të shekullit të kaluar, ishin krijuar rregulla dhe tradita politike (që te shqiptarët ende mungojnë, posaçërisht kur vjen fjala te respektimi i tyre ) më të konsoliduara të një  karakteri shtet formues.  Sistemet përkatëse në shoqëritë e zhvilluara me gjithë tragjeditë individuale dhe grupore që sollën, megjithatë arritën të konsolidohen,  elementi ky i cili jo vetëm që u  mungoi por u mungon shqiptarëve ende, e kjo manifestohet sidomos  si te ata jashtë shtetit shqiptarë,  por  sigurisht se edhe te ata brenda  shtetit, krejt kjo për shkak të vonesës faktike në procesin e shtet formimit. Pra ishin proceset reale shoqërore dhe politike që ndodhën te shqiptarët në përgjithësi, dhe te ata të Kosovës në veçanti, që  ndikuan në një zhvillim jo normal të formimit të profileve politike sepse kalimi nga një feudalizëm i vonuar, fillimi i shekullit të kaluar, në një eksperiment të madh  dhe të vrazhdët politiko shoqërorë që quhej socializëm (derivim i majtizmit) ishte një kërcim jo normal dhe shumë i shpejtë, shikuar nga  të kuptuarit e procesualitetit shoqërorë. Prandaj si konsekuencë,  kemi një skenë politike e cila brenda shtetit shqiptarë megjithëse pak më e diferencuar  nga aspekti i orientimit programorë politik,  është  aq i elektrizuar dhe e polarizuar  sa që ende është  në një antagonizëm thuajse para politik dhe i ngjason zhvillimeve politike te mesit të shekullit të kaluar,  diferencim ky i cili  nuk derivon  zhvillime evolutive politike të cilat do të  reflektonin zhvillime përmbajtësore progresive, por të shumtën  manifestohet me liderizëm tekanjoz  politik. Mungesa e parimësisë është rezultat i stërtheksimit të senzualitetit dhe emotivitetit shqiptarë. Abstraksioni si kusht elementarë krijimit të sistemeve shoqërore funksionale dhe stabile, i cili nënkupton heqjen dorë nga konkretizimi dhe impulsiviteti senzual,  rrjedhimisht  manifestohet me mungesë të parimeve e cila kompensohet me individualizëm vulgar dhe romantizëm individualist pseudo heroik.

Aq më tepër kjo reflektohet në skenën politike të Kosovës. Në fakt ende, jo edhe pa të drejtë,  dështimet organizative programore politike,  si dhe orientimet  specifike politike, justifikimin e tyre e gjejnë në  pushtimin jugosllav. Pa dyshim se  ky arsyetim e ka logjiken e vet, pasi që opinioni i vërtetë politik në Kosovë, ose u ndikua nga majtizmi jugosllav ose nga ai shqiptarë, përderisa, djathtizmi politik më shumë ishte një  anti jugoslavizëm se sa një djathtizëm parimorë. Në fakt ka edhe gjurmë të cilat tregojnë polarizimin politik të shqiptarëve edhe në mbretërinë Jugoslave. Kjo ngase shqiptarët, kushtimisht thënë, pos Skënderbeut kurrë nuk kishim një mbret. Rrëfimi  për rojalizmin shqiptarë nuk paraqet  sot e kësaj dite diçka serioze e kjo ngjanë nga turbo metamorfizmi  nga një feudal në zë përmes një presidenti transit deri te një mbret i pa konsoliduar  kurrë i Zogut ( të ashtuquajturin mbreti, jo zogu i Tunës),  e dihet se të shumtën (por jo përherë) tradicionalisht burimi dhe justifikimi i djathtizmit  fillet i ka nga rojalizmi.

Por, duhet  pranuar se edhe djathtizmi shqiptarë  ka  pasur figura cilat në kushte normale shqërore-politike do të mundë të ishin ekuivalent me elitat evropiane, por për faktin se ata patën fatin të veprojnë në kushte okupimi, d.m.th në kushte të një politizimi të skajshëm majtist (jugosllav apo shqiptarë),  veprimtaria e tyre përfundoi me  aktivitete celulash dhe qëndisje famujsh.

Ky procesualitet i munguar në fakt është baza e një dezorientimi politik, jo vetëm të parisë politike, të cilat ose  kanë  trashëgimi komuniste (jugosllave apo shqiptare) dhe  paraqiten si djathtistë, ose kanë orientim majtist por nuk e manifestojnë të njëjtin pasi që majtizmi në  realitetin aktual historik është aq  i  diabolizuar sa që paraqet rrugën e vështirë për sukses  në një karrierë politike, gjë që besoj se manifestohet   edhe si presion nga opinioni publik .

Paradoksaliteti shqiptarë i profilizimit politik manifestohet kur  p.sh nga intelektualët e shumtë  dëgjojmë  të flitet me pietet  për demokracinë  dhe liberalizmi dhe kur njëkohësisht me këtë  ata nënkuptojnë  edhe barazi ekonomike (demokracia dhe liberalizmi në fakt nuk e presupozojnë barazinë ekonomke) apo edhe me opinione  deklarative liberal-demokrate por me  besimin se shteti duhet  të jetë  adresa kryesore e zgjidhjes së problemeve. Natyrisht se këto nuk shkojnë, së paku në kontekstin tradicional euro perëndimorë. Kjo shkarje duhet tejkaluar duke bërë hapin e parë drejt një diferencimi politik elementarë. Askush si  liberal demokrat nuk duhet  pres që shteti të jetë akteri i cili do të jetë adresa ku zgjidhen të gjitha brengat, pasi që politikat djathtiste europërëndimore nuk  presupozojnë këtë,  dhe nga ana tjetër  kur deklarohemi si majtistë (gjë që nuk është në trend posaçërisht në Kosovë) duhet të e pranojmë faktin se disa nga politikat e majta, si. p.sh shkollimi i detyrueshëm, barazia gjinore, barazia sociale, sigurimi shëndetësorë, kontratat kolektive, ndihmat sociale, mandej  dita tetë orëshe e punës (gjë që në Kosovë ngjan vetëm në sektorin publik etj), me gjithë faktin se derivojnë nga ideja majtizmit politik (nga ku derivoi  edhe komunizmit), megjithatë duhet pranuar se ishin gjë e mirë për njerëzimin dhe lirinë e individit .

Në këtë kontekst duhet ditur se përqafimi i djathtizmit do të thotë se do të kemi sektor publik (thuajse në të gjitha sferat) jo efektiv  i cili kryesisht do të jetë shumë hapa  pas atij privat gjë që në gjuhen e jetës konkrete do të thotë se një (apo shumë) fëmijë të talentuar  dhe të varfër do të amortizohen në shkolla, trajtohen në spitale, dhe do të kenë shtëpi jo të mira, dhe jetë  kualitativisht inferiore,  në raport me një apo shumë fëmijë jo edhe aq të talentuar,  që për shkak se janë djali apo vajza e babit ekonomikisht të pasur, të cilët do të trajtohen nga shkolla dhe spitale privatë kualitative, të pa arritshme për të  varfrit, dhe do të  i kenë shanset më të mëdha për të e rritur ndikimin e tyre social, e pastaj edhe  përvetësimin e pushtetin.  Krejt kjo për shkakun e një pabarazie ekonomike e cila imponon pabarazi edhe juridike e edhe sociale dhe politike. Fakti se miliarderët  varen nga centët  apo votat e të varfërve që janë shumicë, tregon  sa jo superiorë mundë të  jenë ata në sferat tjera  të jetës. Dihet se  shpesh herë fuqia ekonomike e blenë lirinë politike (Karl Popper), dhe kjo shkakton defekte serioze sociale ku rrjedhimisht kemi krijimin e elitave udhëheqëse injorante. Ne e shohim  përditë se presioni ekonomik (slogani ne krijojmë vende pune) përdoret si mjet i përfitimit politik.

Civilizimi euro perëndimorë (si cak deklarativ i yni) i ka tejkaluar këto dilema pasi që në mënyrë përmbajtësore është ballafaquar me këto probleme dhe konkrete, qoftë  të reflektuara si dështime por edhe mësime nga pësimet. Sot kemi komplimentarizimin e tyre, çka do të thotë se kemi djathtizëm të korrigjuar me elementë majtiste (rasti kur mbreti holandez interesohet për politika sociale), dhe vice versa (kur laburistët e majtë, nuk e kontestojnë legjitimitetin e mbretërisë në Mbretërinë e Bashkuar). Kjo për faktin se aplikimi i politikave puro majtiste ka sjellë vazhdimisht një burokratizim enorm të sektorit publik i stërngarkuar dhe me rritje enorme të tij (Franca)  e krejt kjo duke e shkuar kjo në llogari (dëm) të  fleksibilitetit dhe efikasitetin organizativ social, por edhe të  vet ngulfatjen  e shteti si rrjedhojë  e mungeses së iniciativës individualiste, përderisa djathtizmi ka sjellë vazhdimisht iniciativa dhe efikasitet social por njëkohësisht edhe diferencim dhe polarizim të thellë shoqërorë (klasorë, racorë), shpesh herë jo human, ku faktori ekonomik nuk lejon mobilitetin social vertikal dhe  ku mungesa e lirisë ekonomike është justifikuar me lirinë formalo juridike.

Politikanët në Kosovë, kanë ditur dhe po dinë  që në mënyrë  të zellshme të e shfrytëzojnë si njërën  po ashtu edhe qasjen tjetër,  por përherë duke u kamufluar pas justifikimeve politike nacionale. Identifikimi i tyre me djathtizmin reflektohet  me mungesë të përmbajtjes në këtë drejtim pasi që si demokrat dhe nacionalist premtojnë barabarësi ekonomike por janë kundër privatizimit gjë e cila nuk është karakteristikë dalluese e djathtizmit por e ideve socialiste dhe social demokrate, si dhe nga ana tjetër kemi politikan me orientim majtist por me synime   dhe pretendime nacionaliste  gjë që është karakteristikë  e djathtizmit, edhe pse  mendoj se nacionalizmi te shqiptarët nuk do të ishte aq mëkat i madh pos faktit që tashmë është koncept i vonuar teorik dhe kundër produktiv në sferën social politike,  në raport me trendet aktuale të globalizmit.

Në fakt,  duke i tejlakuar qëllimisht problemet konkrete shoqërore dhe shtetërore, konsideroj se orientimi politik në  Kosovë realisht është problematik pasi që nuk kemi ende një zhvillim  normal politik ku legjitimimi i pushtetit do të ngjante nga parime universale humaniste.  Shqiptarët ende nuk mundë të merren me politika parimore për vet faktin se ende një pjesë e popullatës jeton me anksiozitetin e agresionit në  sferën politike dhe  të varfërisë (idares) në sferën ekonomike. Fakti e kemi disa milioner  të cilët duan të dëshmohen në politikë, e justifikon faktin se në çfarë krize doktrinare është djathtizmi shqiptarë.

Profilizimi i politikës në Kosovë, por edhe Shqipëri, nuk  mundë  të i shmanget kolaudimit të  partive si të  djathta  ashtu edhe ato të majta (me emra), por me përmbajtje të njëjtë operimi dhe  duke krijuar kushtin e parë  drejt një profilizimi politik. Duhet kuptuar se nëse dëshirohet barabarësi ekonomike duhet të mos na vije turp të identifikohemi me politika të majta. Figurativisht, nga një figurë piramidale  ku lartë është lideri i gjithëfuqishëm e poshtë baza,  duhet të metamorfizohemi drejt një figure diamanti, ku  fuqia do  buronte nga një klasë e mesme kualitative e konsoliduar, kritike posaçërisht ndaj liderëve dhe e aftë  që në bazë konkurrence të gjeneroj  të tillë sa herë që është e nevojshme. Krejt kjo në funksion të  krijimit të një shoqërie racionale dhe kritike e cila do të ishte refleksive si ndaj të djathtës, po ashtu edhe ndaj të majtës. Idetë për shoqëri egalitare (majtiste) dhe rojaliste (djathtiste) duhet të tejkalohen me synime drejt një shoqërie  me parime të mirëfillta republikane e cila do të  krijonte hapësirë për elementet pozitive, qofshin  me profil majtist apo edhe djathtiste te cilat si këtilla janë treguar të domosdoshme në shoqëritë e moderne. Iniciativa individualiste dhe liberal demokratike dhe filantropizmi social  me origjinë socialiste  duket se janë komponente reale të  cilat nuk duhet anashkaluar  nga çfarëdo politike reale. Ne ende jemi duke votuar për lider, gjë që nuk është mëkat, por faktet flasin se  duhet të përgatitemi të votojmë për projekte politike që i ofrohen qendrës dhe  që kanë elemente të theksuara ekologjiste.

Sami Haliti
MA.Sociologji

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE