Ish-gazetari sportiv serb Milojko Pantic ka propozuar zhvillimin e një ndeshje miqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Prishtinë. Ai beson se një duel i tillë do të ndihmonte në normalizimin e raporteve mes dy shteteve. “Në mënyrë që të normalizohen raportet edhe në futboll, nëse përfaqësuesit politikë kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim, më e mira do të ishte që kjo të fillojë nga futbolli me një ndeshje Kosovë – Serbi në Prishtinë”, deklaroi Pantic për radio “Evropa e Lirë”.
“Dhe, kështu që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet ai problem”, shtoi ai. Pantic po ashtu ka shkuar edhe më larg duke propozuar krijimin e një lige ranionale me skuadra nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.
“Të krijojmë një ligë regjionale, Kosova, Mali i Zi, Serbia. Kjo do të ishte një ligë e vërtetë. Prishtina, Kragujevci, Kraleva, Nishi, Krushevci, Podgorica, Nikshici, Novi Sadi, një ligë regjionale në futboll”, përfundoi ai.