(2LONLINE) – Në vitin 1913 për shkak të vendimeve të fuqive të mëdha në emër të paqes evropiane, u përcaktua copëtimi i trojeve shqiptare. Që nga atëherë, trojet shqiptare u sakrifikuan arbitrisht dhe padrejtësisht, dhe mbeten nën sundimin e huaj në vend që të përfshiheshin natyrshëm në shtetin kombëtar të posa krijuar, SHQIPERINE.
Padrejtësia që nisi dikur do të vazhdonte për shekuj, zgjidhja reale, por edhe më e vështira për tu realizuar ka qenë që Kosova dhe trevat e tjera të trungut etnik Shqiptar, të shkëputura, thënë mijëra herë padrejtësisht, të ribashkoheshin me shtetin Shqiptar, gjë që nuk ndodhi kurrë dhe sërish kundër dëshirave dhe interesave të tyre ndahen në katër njësi, Maqedoni, në Malin e Zi, në Kosovë dhe në “Serbinë”.
Që nga 1944, 1968, 1974, 1981, 1990 e në vijim, Kosova kërkonte të jetë e pavarur dhe çdo njohës i historisë së Kosovës di arsyet pse Kosova duhej të ishte e pavarur dhe, edhe unë që nuk jam ndonjë njohëse e historisë e di mjaft mire se, Kosova duhej të ishte e pavarur sepse asnjëherë nuk ishte Serbi, Kosova gjithnjë është dhunuar nën sundimin e saj, janë kryer masakra, shpronësime, shpërngulje me dhunë mbi shqiptarët,
Kosova është penguar të zhvillohet normalisht nga Serbia, Kosova është ndjerë dhe ndjehet gjithnjë shqiptare, Kosova është penguar nga Serbia të integrohej natyrshëm në rajon e të kthehej në një element stabiliteti… Kështu, ne vitin 1943 formohet Lidhja e Dytë e Prizrenit me qëllim të mbrojtjes së Kosovës nga serbët, më 1945 Kosova okupohet nga forcat Jugosllave, më 1968 Kosova ngrihet në këmbë për statusin republikë, 1968 fitohet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar, 1970 themelohet universiteti i Prishtinës, 1981 nisin demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës.
Gjatë këtyre demonstratave vriten një numër i konsiderueshëm shqiptarësh dhe burgosen me mijëra të tjerë, 1984 Kosova fiton autonominë, 1988 Organizohen demonstrata masive të shqiptarëve të Kosovës kundër politikës së Millosheviçit, 1989 Fillon greva e urisë së 1300 Minatorëve të Trepçës të cilët protestojnë kundër politikës së Millosheviçit, 1997 – UÇK-ja merr mbi vete përgjegjësinë kundër sulmeve serbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Në mars 1998, forcat serbe rrethuan rezidencën në Prekaz të kryekomandantit shqiptar Adem Jashari, i cili u flijua me armë në dorë bashkë me të vëllanë Hamzën dhe mbi 50 anëtarë të familjes.
Më 4 Gusht zhvillohet masakra në Llaushë, Rahovec dhe Drenicë, Më 15 janar 1999, Masakra e Reçakut, e dëshmuar nga misioni vëzhgues i OSBE-së nën udhëheqjen e ambasadorit William Walker, Më 18 Mars firmoset marrëveshja e Rambujesë me palët Shqiptare por refuzohet nga serbët. Në këtë kohë fillojnë shpërnguljet masive të civilëve shqiptarë nga Kosova në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, Më 24 Mars 1999 – Aleanca e NATO-s fillon bombardimet kundër serbëve. Kosova merret nën Qeverisjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe edhe shënohet fundi i luftës me Serbinë .
Sot Kosova numëron dëbimin e mbi 1 milionë shqiptarëve me dhunë, Kosova sot numëron mbi 10 000, afër 11 000 të vrarë e të zhdukur, 10 000 vajza e gra të dhunuara dhe dëme të pafundme materiale. Dhe, Kosova apo Dardania jonë kthehet në një shtet të pavarur të Evropës Juglindore, më 17 Shkurt të vitit 2008, dhe më jo pjesë e Serbisë përveç si kufizim me të në pjesën veriore dhe lindore të saj .
Në bazë të planit të një njeriu të quajtur Martti Ahtisaari, I cili në pakon e tij “dekoruar” kujdesshëm kishte futur edhe mbikëqyrjen e pavarësisë të një vendi që e kishte merituar lirinë, pavarësinë e sovranitetin. Ai u jepte të drejta dhe përparësi të zgjeruara pakicave kombëtare, me ç’rast “përkëdheleshin” edhe vrasësit e fëmijëve të luftës së fundit.
Në këtë” pako dhuratë”, ai s’kishte harruar të na nderonte me flamurin më të zymtë dhe pa ndonjë shenjë qëndrese e rezistence, gjaku të derdhur apo fëmije të masakruar, ku dallohet qartë tendenca për të na bërë të harrojmë të kaluarën e besa edhe historinë ta bëjnë sic duan vetë. Përbrenda këtij flamuri , ngjyrës së kaltër, asaj të yjeve të verdhë s’na flet për asgjë tjetër pos na rikujton tendencën Serbe të përjetshme Brenda territorit të Dardanisë. Ngjyrat e këtij flamuri dhe ndërtimi I tij na thonë ne se Kosova asnjëherë s’do të “prekë” yjet me dorë, janë jashtë kompetencave të saj dhe ëndërra e secilit për të prekur qiellin, në Kosovë është e pamundur dhe shpërthim diellor.
Që prej atëherë janë ngritur akuza të pafundme ndaj atyre që kanë mbrojtur tokën dhe familjet e tyre, janë ngritur akuza mbi popullin të cilin është ushtruar gjenocid dhe që asnjiherë s’kishte patur qëllime të llojit spastrim etnik sic Serbia bëri me Kosovën. Ponte, gruaja me sy të egër, ngrit aktakuza ndaj z. Limaj me shokë, ndaj z. Haradinaj me shokë e të tjerëve. Shpallen të pafajshëm. Përsëri në emër të paqes europiane dhe ballkanike, si arsye shtesë për mos ta mërzitur shtrigën Serbi (kështu e quante babgjyshi im) , nisin negociatat me Serbinë, me këtë vend që asnjëherë nuk pranoi se kishte bërë krime, nuk pranoi publikisht dhe nuk kërkoi falje për njerëzit që kishte vrarë, mes tyre ata më të pafajshmit: fëmijë, gra e pleq ! Kosova, sërish pa dëshirë e kompetencë sakrifikon. Sepse vetëm ai I pafuqishmi , ëndërrimtari dhe I shtypuri dëshiron një tjetër gjë e vepron ndryshe, dhe ky tribunal do të fajësojë heronjtë e luftës të cilët sot në presion ndërkombëtar apo jo u kthyen në pakurrizorë të lirisë.
Sot, unë e para vë në dyshim paanësinë e ndërkombëtarëve dhe nuk besoj në drejtësi nga ata. Jo, deri atëherë kur prapa grilave të vendosen vrasësit e moshatarëve të mi sepse vitet po ikin por përrenjtë ende mbajnë aromë gjaku, vitet po ikin por shikimet e përhumbura të atyre që pësuan më shumë po rëndohen dita-ditës, bebëzat e syve pikojnë më shumë se lotë, ende… Në vend të tribunalit , nisjani e kërkoni të pagjeturit, në vend të tribunalit nisjani e kompensojini dëmet materiale, në vend të tribunalit nisjani e krijoni qendrat për trajtim të të mbijetuarve të luftës dhe shërojini sepse plagët dhëmbinkaq shumë ende, në vend të tribunalit gjejini fajtorët e masakrave më të mëdha që i janë bërë njerëzimit.
Ju, përfaqësues të zërit të popullit, kërkojini vrasësit e moshatarëve të mi, kërkojini ata që nuk na lanë të rritemi si cdo fëmijë në këtë botë. Nuk u mungojnë dëshmitë fatkeqsishtë. Mijëra e mijëra të vrarë e të pagjetur Lavdi të gjithë dëshmorëve të të gjitha kohërave, faleminderit që ekzistuat dhe mbollët frymë lirie tek ne, faleminderit që ekzistuat e na latë trashëgim dashurinë për atdheun!
/Rreze Abdullahu/