Qindra studentë shqiptarë të Luginës së Preshevës me arsyetimin e mosrregullimit të lejeqëndrimit janë kthyer dhe deportuar nga pikat kufitare.
Një numër i madh i studentëve të Luginës së Preshevës sivjet nuk kanë zgjedhur universitetet në Maqedoni, gjegjësisht Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ate të Evropës Juglindore në Tetovë, për shkak të problemeve me lejeqëndrimin dhe kthimin e tyre nëpër pikat kufitare të Maqedonisë nga ana e autoriteteve doganore maqedonase, informon INA.
Kjo çështje dhe barrierë kufitare dhe burokracia rreth zgjidhjes së çështjes së vendqëndrimit dhe hyrjes në Maqedoni ka bërë që studentët e rinj nga Lugina të zgjedhin universitetet në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe universitete tjera jashtë rajonit.
Vitin e kaluar qindra studentë shqiptarë të këtij rajoni u përballën me peripeci të mëdha burokratike dhe odiseadat e kthimit dhe deportimit nga pikat kufitare nga ana e autoriteteve kufitare maqedonase. Këtë e kanë pohuar për INA, edhe zyrtarë të komunës së Preshevës, të cilët kanë theksuar se numri ka rënë ndjeshëm dhe se politikat maqedonase ishin të qarta për të parandaluar numrin e shqiptarëve të kësaj ane për të studjuar në Maqedoni, me rrezikun se ata do të mund të mbesin aty.
Edhe përkundër apeleve të studentëve dhe autoriteteve komunale për të rregulluar dhe thjeshtësuar procedurën për studentët e Luginës, autoritetet e MPB-së në Maqedoni nuk bënë asnjë hap pozitiv, por duke qëndruar në vendimin se kjo çështje duhet të rregullohet ashtu siç është paraparë me ligjin për të huaj.
“Kjo është skandaloze dhe këto universitete duhet të lehtësojnë procedurat, duke bashkëvepruar me institucionet apo ministritë përgjegjëse”, theksoi për INA, studenti me inicialet N.S nga Presheva.
Studentët theksojnë se për të siguruar vendqëndrimin e kërkuar për 6 muaj duhet shkuar në ambasadën e Maqedonisë në Beograd, ku duhet plotësuar shumë dokumente e procedura, dhe se gjithë kostoja e harxhimeve shkon mbi 500 euro.
“Apelojmë që të sqarojnë këtë punë dhe të mos vijnë këtu për të na bindur për t’u regjistruar, kur e shohim se do të përballemi sërish me problemet e njëjta, për shkak se nuk ka zgjidhe ligjore. Edhe familjarët tanë janë lodhur me peripecitë nëpër kufij, në këtë kohë , kur nuk duhet të kemi ndalesa e kufij për studentë”, theksojnë studentët nga Presheva.
Me probleme të njejta përballen edhe studentë nga Kosova që studjojnë në këto dy universitete në Tetovë.
Delegacione nga USHT së fundi kanë qëndruar në Luginën e Preshevës ku kanë prezantuar ofertën e tyre akademike për vitin 2014/2015 para maturantëve të këtij rajoni.
http://ina-online.net/maqedoni/47189.html