Sami HALITI
(2L ONLINE) – Deri sa po shikoja që të dy varantet e filmit “Theory of Everything” (shqip Teoria mbi gjithçka), film i cili pa dyshim që më pëlqeu shumë, ishte e pashmangshme që të mos vëreja në një moment, për mua paradoksal, i cili do të jetë në fokus të këtij shkrimi. Fillimisht më duhet të them për ata që se kanë parë, se ky film ka për subjekt njërin nga shkencëtarët më brilant i cili jeton ende . Ai është Stephen Hawking. Për, opusin e tij shkencorë nuk e konsideroj veten njeri adekuat për të thënë diçka, por pa dyshim e di se ai është impresiv. Po ashtu nuk e konsideroj vetën adekuat për të folur për fatkeqësinë e tij lidhur me sëmundjen e cila tmerrësisht e ka sulmuar këtë gjeni qysh në rini, por kurrë se ka ndarë nga hulumtimi shkencorë, e as rezultatet kulmore. Filmi të cilin e shikova me ballafaqoi me një situatë e cila i takon sferës morale dhe ka të bëj me relacionet e tij me gruan e tij, relacion i cili më hodhi në vorbullat e kinematografisë kosovare, konkretisht te filmi, respektivisht filmi televiziv, “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”. Nga krahasimi vërehet se kemi dy vija te kundërta morale, të cilat dalin në shesh nga personazhet femra të cilat janë bartëse, respektivisht reprezentuese të moraleve përkatëse shoqërore. Në njërin rast një femër angleze dhe në rastin tjetër një femër shqiptare.
Dua të e sqaroj se nuk dua të bëj tifo se ky apo ai komb janë më pak apo më shumë të moralshëm, as nuk dua të nënçmoj e as mbiçmoj atë që mundë të quhet feminizëm kosovarë apo anglez. Nuk dua të e theksoj superioritetin apo inferioritetin e njërit apo tjetrit komb në industri, financa, kinematografi , e shumëçka tjetër. Thuajse të gjitha këto variabla dihen dhe janë të matshme në mënyrë relative nga të gjitha ata që duan të i njohin këto momente. Është kategoria morale, ajo e cila vije në pah në që të dy filmat, moral i cili ndërtohet mbi supet e dy personazheve, reale apo ireale, edhe pse gruaja e Hawking është person real. Nuk di asgjë mbi ekzistencën reale të femrës në fjalë nga Bjeshkët e Nemuna. Uroj të mos jetë reale.
Dua të kufizohem në rolet përkatëse, respektivisht karakteret e dy femrave, bartëse të boshtit moral, apo të aspketeve morale femërore në këta dy filma. Natyrisht, e ritheksoj se më këtë nuk dua të e godas e as cenoj njërin apo tjetrin moral nacional. Ajo që dua të e godas është momenti reprezentativ i zgjedhur si fokus i filmave përkatës, karakteri i personazheve qendrore në filmat përkatës, ku pa dyshim vije në shprehje superioriteti i regjisorit anglez dhe inferioriteti intelektual dhe posaçërisht moral,por edhe artistik i regjisorit në filmin “Dashuria e Bjeshkeve të Nemuna”, këtij filmi të dobët.
Momentet që dua të i shtjelloj janë këto. Kemi një femër angleze e cila nuk i ndahet të dashurit të vet, edhe pse ai është i atakuar nga një sëmundje tmerrësisht e rëndë. Kjo është gruaja e Hawking e cila nuk i ndahet deri sa krijohet një momenum i ri në jetën e tyre, pas tre fëmijëve të lindur nga martesa me Hawking. Momenti kulmorë i proveniencës etike është kur gruaja e Hawking vihet në sprovë mbi atësinë e fëmiut të tretë, pikërisht nga prindërit e saj. Pas përparimit të sëmundjes lidhja simpatetike krijohet para syve të Hawking. Është djaloshi i cili kompozon këngë kishtare ai i cili i merr zemrën gruas së tij.
Është një skenë prekëse, nga aprovimi i një ndarje racionale mes Hawking dhe gruas së tij. Sëmundja ka përparuar aq shumë sa që hapi racional i vazhdimit të jetës bashkëshortore me Hawking ishte i pakuptimtë. Hawking nga ana tjetër është në kulmin e famës, njerëzit mahniten me inteligjencen tij. Posaçërisht asistentja e cila i ndihmon në realizimin e komunikimit në gjendjen e rëndë në të cilën ishte, situatë thuajse hermetike në të folurit Hawking.
Problemi në jetën bashkëshortore, në dashuri, familje ishte anticipuar saktësisht nga Hawking, pasi që mjeku i kishte dhënë vëtëm dy vite jetë. Megjithatë skena e dhimbshme e ndarjes ndodhë, por ndodhë me mirëkuptim dhe marrëveshje mes bashkëshortëve. Bëra më të mirën që munda, janë fjalët e fundit të gruas së Hawking drejtuar atij, para aprovimit të divorcit faktik. Ata megjithatë ende mbeten miq edhe sot. Tradhti,së paku në film nuk kishte.
Nga ana tjetër, te filmi Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna kemi një grua shqiptare, e cila hiq më pak se 20 vite, ruan një sekret. Sekreti ka të bëj me një akt i cili nuk mundë të quhet i pamoralshëm, por mbajtja e sekretë si të tillë, pra si akt i një femre shqiptare, për hiq më pak se 20 vite, paraqet një moral i cili nuk mundë të mbrohet assesi. Antipodi i moralit anglez. Natyrisht po flasim për film. Aq më pak një moral i tillë mundë të merret si reprezentativ për një komb, popull apo regjion. Aq më pak një moral i tillë mundë të ketë një tipar estetik i cili do të ishte i aprovuar nga çfarëdo morali i justifikueshëm i një shoqërie. Aq më pak do të dëshiroja të ishte model i moralit shqiptar. Në fakt, sekreti i mbajtur është një tradhti, një pabesi e madhe, e cila si mallkim i kthehet prindërve shqiptarë të cilët, ashti siç janë të krijuar nga regjisori i filmit, as më pak as më shumë janë qenie të mjera morale. Ndriçimi i diellit moral për ta, në fakt për regjisorin e filmit në fjalë, është i pamundur.
Përderisa në shoqërinë angleze një femër përkundër pengesave shëndetësore, ka arsye të jetë besnike, dhe ia arrinë të jetë tërësisht e sinqertë së pari ndaj vetvetes e pastaj edhe ndaj të tjerëve, në shoqërinë shqiptare krijohen personazhe të cilat me apo pa fajin e tyre, në çfarëdo aspekti e dëshmojnë veten se nuk kanë as një fije morali. Sepse pasioni ua ka errësuar mendjen, dhe morali i tyre nuk mundë të vije në shprehje. Nga gjakmarrja e cila rrënjët mundë të i ketë në një pamoral paraprak, shkohet në tragjedinë e lidhjes së dashurisë mes vëllait dhe motrës e cila është mallkimi dhe konsekuenca e pabesisë morale shqiptare.
Nuk do të doja të theksoja momente të tjera të deficitit të shoqërisë shqiptare në raport me shoqërinë angleze. Mundë të e marr me mend se fenomene të ndërsjella ngjajnë në të dy shoqëritë. Fatkeqësisht. Por ajo që dua të e nënvizoj është inferioriteti i pa tolerueshëm, i cili nuk kishte pse të ishte i tillë, përderisa aspekti material nuk e determinon cilësinë e zhvillimit të karakterit te regjisori i filmit. Aspekte tjera mundë të jenë deterministe në cilësinë e filmit, p.sh bugjeti, aktorët, teknologjia. Por assesi morali. Pse, duhej dikush të e bënte një gabim të këtillë? Përse shëmtia morale duhet mbuluar me estetikën e natyrës dhe pishave të blerta. Pse do të na duhej një estetikë e këtillë negative. Në fakt çfarë dashurie do të ishte kjo si masë apo model estetik? Ndoshta më mirë do të ishte të kishim një “Teori të bjeshkëve të Nemuna “ dhe një ”Dashuri për gjithçka”. Ku kombinim i titujve, më lejon të vetmen mundësi për dalje nga situata e pashpresë e estetikës negative shqiptare. Art moralisht i lodhur. /2L ONLINE/