Pak për Kulturë, Rini dhe Sport

Pak për Kulturë, Rini dhe Sport

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) deri më tash, nga shumica e kryetarëve të komunave është konsideruar më shumë drejtori për kulturë, por jo edhe drejtori për rini, edhe drejtori për sport.

Shkruan: Flurim Arifi

Buxheti i komunës në vend se të ishte më i ekuilibruar dhe i shpërndarë në mënyrë më të barabartë ndërmjet sektorëve, është koncentruar më së shumti në kulturë, por jo edhe në rini e sport.

Nuk duhet të lihet anash sidomos sporti, duke qenë se është edhe një nga sektorët me aq shumë klube, me aq shumë zhanre sportive, aq i rëndësishëm edhe për vetë shëndetin e qytetarëve, do të duhej të ishte më prioritet për komunën, sesa ka qenë deri më tash.

Ka edhe disa sporte që madje u mungojnë edhe kushtet elementare, e që kushte më të mira gjejnë në Komunën e Vitisë, sesa në Gjilan.

Le ta marrim shembull se si Komuna e Gjilanit nuk ka poligon të shenjëtarisë sportive, ndërsa këtë e ka një komunë më e vogël, Vitia. Ka pak hapësira rekreative-sportive, të cilat duhet të ndërtohen me buxhet komunal, me atë qendror dhe donacione të huaja.

DKRS duhet të ndryshojë qasjen edhe ndaj vetë kulturës dhe sektorëve të ndryshëm të saj. Kultura nuk është vetëm teatri, por edhe muzika, edhe vallëzimi, edhe trashëgimia kulturore-historike, edhe filmi etj.

DKRS është edhe e të rinjve, që do të duhej të investohej më shumë në aktivitete e mbështetje materiale për nismat e tyre. DKRS është po aq sa e kulturës, edhe e të rinjve.

Gjilani me aq shumë banorë, nuk ka ende një kinema. Mungesa e një kinemaje mund të na merr edhe emrin “qytet”, prandaj për të mos e vazhduar më tutje këtë praktikë, duhet gjithqysh të hapet dhe të funksionalizohet sa më shpejt kinemaja e qytetit.

Duhet të krijohen kushte edhe për Ansamblet e Valleve Popullore, të kenë ku të ushtrojnë dhe të kenë ku të japin vallet e tyre tradicionale. Madje, edhe të ketë mbështetje për vallëzimin modern.

Duhet të investohet shumë në organizimin më të shpeshtë të koncerteve të muzikës klasike, duke qenë se Gjilani ka edhe të rinj e të reja me talent të jashtëzakonshëm muzikor, por edhe të sillen artistë nga mbarë hapësira shqiptare dhe ajo e huaj.

Duhet të investohet në trashëgimi kulturore-historike dhe të rritet bashkëpunimi me Qendrën Rajonale për Trashëgiminë Kulturore (QRTK). Le të kujtojmë se si Kalaja e Pogragjës, është e mbuluar me bari të egër dhe nuk ka ndodhur edhe një prerje e tij për të lehtësuar ngjitjen lart të vizitorëve, por edhe pak është promovuar vizita e kalasë.

Festivali i Dramës Kombëtare në kuadër të “Flakës së Janarit” nuk duhet të hapet më nga Kryetari i Komunës, por nga aktori më i vjetër i qytetit.

Programet e fushave të ndryshme të këtij festivali mbarëkombëtar, nuk mund të organizohen nga njerëz të njëjtë me vija partiake që ftojnë shokët e shoqet e veta, por bëhet më i hapur, ku qarkullojnë vlerat më të larta kulturore, letrare e artistike.

Pse individë të njëjtë të jenë bartës të një programi, duke mos dhënë më shumë hapësirë për kuadro të reja që bëjnë organizime më të veçanta, më kreative dhe që sjellin figura më reprezentative të artit mbarëkombëtar?!

Në vizionin tonë, parashihet që DKRS të ketë buxhet më të balancuar në mes të sektorëve, pavarësisht se vetëm një aktivitet kulturor si “Flaka e Janarit” dhe subvencionet e aktorëve mund të marrin krejt financat e kësaj drejtorie.

Flaka e Janarit patjetër duhet të jetë nën mbështetjen financiare nga Qeveria e Kosovës pasi nuk është thjesht një ngjarje lokale e komunës, por një ngjarje mbarëkombëtare.

Për aktorët e qytetit, besojmë se do ta kenë një zgjidhje fatlume nga Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili përmes një ligji të ri për teatrot, do t’i përkrahë shumë më tepër Teatrot e qyteteve, duke ia lehtësuar barrën e rëndë komunës dhe duke mos i shtyrë me të drejtë aktorët e qytetit të protestojnë sa e sa herë, me vonesa të paarsyeshme të subvencioneve herë 5 muaj, herë më pak e herë më shumë.

Natyrisht, edhe duke kërkuar më pastaj më shumë premiera dhe cilësi e tyre, e jo të dominojnë reprizat e një viti paraprak e të mos ketë premiera edhe pse ekziston trupa rezidente teatrore.

Pa i krijuar kushte, nuk mund të kërkosh më shumë përgjegjësi nga artistët. Së pari kushtet, pastaj edhe kërkesa për përgjegjësi e cilësi. Kjo e fundit dihet se në shoqërinë demokratike, vjen nga publiku, spektatorët, kritikët etj., e nuk i takon një kryetarit të komunës të kualifikojë atë apo këtë aktor se çfarë cilësie ka në aktrim, sikur ka ndodhur me kryetarin aktual.

Por, këtu po flasim për përgjegjësi dhe llogaridhënie nga teatri si institucion se si menaxhon.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE