Para takimit të sotshëm letrar në Gjilan…
NGA: Sinan SADIKU
PAK FJALË PËR KRIJIMTARINË LETRARE TË HALIL MATOSHIT
Halil Matoshi është njëri ndër shkrimtarët më të mirë bashkëkohor shqiptar. Poet, prozator, kritik letrar, intelektual erudit, që me shkrimet, mendimet dhe opinionet e tij ka kontribuar në shumë fusha të arit dhe të dijes. Prirjen për krijimtari artistike, talentin për të krijuar në fushën e letërsisë dhe të pikturës Halili e ka manifestuar qysh si nxënës i shkollës fillore në Tuxhec. Edhe në shkollën e mesme në Kamenicë ishte më i miri dhe këtë e dëshmonte me poezitë e publikuara në revistën e shkollës, po edhe me pikturat të cilat na fascinonin neve nxënësve, po edhe profesorët e artit figurativ.
Pas shkuarjes në Prishtinë, në vitin e tretë të shkollës së mesme, Halili iu përkushtua edhe më shumë krijimtarisë artistike, ra në kontakt me literaturën e mirëfillte, i thelloi njohuritë e tij, u inkuadrua në klube dhe shoqata letrare e kulturore të kohës, u njoh me krijues të gjeneratës dhe me shkrimtarë të afirmuar.
Si student i filozofi-sociologjisë filloi t’i publikoj shkrimet e tij në revistat e njohura dhe u angazhua në gazetën e studentëve “Bota e re”. Poezitë e tij botoheshin në revistat dhe gazetat e kohës dhe priteshin mirë nga lexuesit, po edhe nga kritikët letrarë. Në orët letrare, që organizoheshin në atë kohë nga grupi letrar i fakultetit filozofik, poezitë e Halilit pëlqeheshin dhe duartrokiteshin shumë. Madje, mund të them se për disa vite ishte më i pëlqyeri, ishte bërë yll.
Poezitë e tij pëlqeheshin, në radhë të parë se kishin nivel të lartë artistik. Me një gjuhë të veten poetike autori i shpërfaqte emocionet e natyrshme, mendimet, mesazhet dhe vizionet e tij, që zgjonin përjetime të thella te pjesëmarrësit e orëve letrare, të cilët ishin të shumtë. Te poezitë e Halilit kombinoheshin, ndërlidheshin për mrekulli ana emocionale, ana intelektuale, mesazhet me gjuhën figurative, me ritmin dhe muzikalitetin. Ai u kushtonte rëndësi të gjitha elementeve të cilat e bëjnë një poezi të bukur.
Në konkursin letrar të gazetës “Bota e re”, në mesin e tre librave të zgjedhur për botim nga një juri prestigjioze, ishte edhe libri i Halilit “Frymë varresh në dallgore” i cili u botua në vitin 1988. Pastaj, në vitin 1994 nga “Zëri” iu botua libri mikst “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” dhe më pas librat tjerë: “Lajmësi memec” (Tregime), “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe”, (2000), “Hija e Krishtit” (2004), “Katedrale prej letre” (2012), “N’zanafillë” (2013) dhe “Gdhendje drite”, (2021).
Halili është një poet dinamik, që eksperimenton dhe del i suksesshëm. Është i veçantë, origjinal dhe, ndonëse eksperimenton, gjithnjë e ruan botën e tij poetike, atë brumin e vet të krijimtarisë, identitetin dhe individualitetin e tij. Te poezia e Halilit nuk ka deklaratë, gjuhë të zhveshur, as patetikë, siç nuk ka as errësim të tepruar të shprehjes poetike. Kjo ka bërë që poezia e tij të shijohet, të përjetohet dhe të shkaktojë kënaqësi estetike te një rreth bukur i gjerë i lexuesve, si te elita intelektuale që kërkon nivel të lartë artistik, ashtu edhe te shtresat e tjera të lexuesve. Artin e mirëfilltë e krijojnë pak njerëz, ndërsa e shijojnë shumë të tjerë.
Poezia e Halilit dhe në përgjithësi krijimtaria e tij artistike, jo vetëm që është lexuar dhe pëlqyer nga shumë njerëz, por ajo ka ushtruar ndikim te disa poetë të gjeneratës së tij dhe më të rinj se ai. Te disa krijues që librat e parë u janë botuar gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar është i dukshëm ndikimi i krijimtarisë letrare të Halilit i përmbledhur në librat “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” dhe “Lajmësi memec”. Edhe poezitë e Halilit të librave të botuar pas çlirimit të Kosovës të shkruara në dialektin gegë kanë ushtruar ndikim te disa poetë dhe poetesha, që shkruajnë gegënisht.
Në tre librat e parë të Halilit, është e dukshme dhe mbizotëruese një parandjenjë tragjike për një të keqe të madhe që pritej të na gjente. Kjo parandjenjë e tmerrit, në aspektin poetik është materializuar duke e kombinuar realitetin me ëndrrën e keqe, duke u shërbyer me figura dhe ngjarje historike, me simbole mitike, duke e përdor hiperbolën, nganjëherë edhe litotën, duke udhëtuar nëpër kohë etj. Veçmas te libri i dytë është treguar mjeshtër i hollë i ndërtimit të rimës, asonancës dhe aliteracionit, i përdorimit të figurave të përsëritjes, të cilat e kënaqin veshin e lexuesit apo të dëgjuesit dhe lënë gjurmë të thella në shpirtin e tij.
Halili shquhet për një imagjinatë të pasur krijuese të cilën di ta kanalizojë e ta kontrollojë për të krijuar art.
Bënë pjesë në rrethin e ngushtë të poetëve më të mirë shqiptarë të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, bashkë me: Abdullah Konushevcin, Adem Gashin, Milazim Krasniqin, Basri Çapriqin, Xhevdet Bajrajn dhe Sali Bashotën. Për nga ndikimi që ka ushtruar poezia e tij te poetët e tjerë ua kalon të gjithë poetëve të brezit të tij.
Poezia e tij ka zënë vend në antologjitë e mirëfillta të poezisë bashkëkohore shqipe, të hartuara me kritere estetike; për të kanë shkruar kritikët më të njohur letrarë, duke e çmuar vlerën e saj artistike. Disa nga antologjitë në të cilat është prezantuar poezia e tij janë: “Dritaren lëre hapur” (2002) dhe “E frikshme dhe e bukur” (2003), të hartuara nga A. Podrimja, Antologji e poezisë shqipe të shekullit XX “Zemra e qiellit”, e hartuar nga Bashkim Kuçuku, Basri Çapriqi, Sadik Bejko dhe Sali Bashota etj. Prej poetëve të gjallë nga regjioni i Gjilanit në antologjitë në fjalë është përfaqësuar vetëm poezia e Halilit.
Për Halil Matoshin si shkrimtar ka shkruar, madje mjaft gjatë studiuesi Nysret Krasniqi në librin “Letërsia e Kosovës” (2015) në të cilin libër shkruan për një rreth të ngushtë të shkrimtarëve që ai i konsideron se janë më të mirët.
Halili ka eksperimentuar, ka evoluuar dhe e ka përsosë në vazhdimësi krijimtarinë poetike, si rrallë ndonjë poet tjetër, duke u bërë gjithnjë e më i njohur dhe më i vlerësuar, jo vetëm nga gjenerata e tij dhe nga ata më të moshuar se ai , por edhe nga poetët dhe kritikët letrarë më të rinj të cilët tashmë kanë bërë emër. /2LONLINE/