(2LONLINE) – “Sot, respektojmë Zhegocin dhe Verbicën e Zhegocit, ata që para 15 viteve së bashku me ushtarët e lirisë, përballuan ofensivën më të madhe të regjionit të Gjilanit, ofensivë e cila u shënua me derdhjen e gjakut dhe dëshmorët e parë të luftës çlirimtare në Komunën tonë. Paja, Albani dhe shumë dëshmorë të tjerë, u bënë drita e lirisë së sotme”.
Kështu është shprehur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në shënimin e përvjetorit 15 jubilar të Betejës së Zhegocit, në të cilën ranë shumë dëshmorë e martirë. Në këtë manifestim ka marrë pjesë edhe nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtorët komunal, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, deputetë, veteranë të luftës, FKS-ja, policia, aktivist e veprimtar të çështjes kombëtare.
Kryetari Haziri tha se këtë 15 vjetor kanë vendosur ta mbajnë në oborr të Shtabit, të familjeve në Zhegoc, në shenjë respekti, nderimi dhe përkulje për krejt këtë sakrificë të madhe të tyre.
Haziri ka pohuar se edhe pas 15 vjetëve rruga në këtë pjesë akoma nuk është përfunduar, ndërsa tha se shumë shpejt vendime të përbashkëta për ta zhvilluar Zhegocin dhe Malësinë e kësaj ane.
“15 vjet pas luftës nuk është përfunduar rruga të cilën e kemi nisur, rruga është në gjysmë dhe Kosova po vazhdon të përballet me probleme. Luftëtarët e saj edhe më tutje po vazhdojnë të problem të panevojshme. Gjilani edhe më tutje ka mbetur zonë e harruar, e pas Gjilanit edhe Zhegoci edhe Verbica kanë mbetur nën harresë. Detyrë e jona është që ta kthejmë shikimin nga Gjilani, Anamorava dhe nga Verbica e Zhegoci. I falënderoj këta njerëz që vazhdimisht punojnë që kjo rrugë njëherë e përgjithmonë të rregullohet, e cila e lidhë Gjilanin me Lipjanin”, tha ai.
Kreu i Gjilanit ka potencuar se Verbica dhe Zhegoci duhet të shpallen zona memoriale të luftës së fundit, në mënyrë që të gjithë fëmijët tanë, që nga shkolla fillore e deri te studentët, t të vijnë këtu dhe ta kalojnë pushimin, ekskursionin dhe aktivitetin e paraparë.
Haziri tha se këtu duhet të vendoset edhe kazerma e ushtrisë, t’i kthehet vendi, roli dhe fuqia. “Ushtarët duhet të jenë këtu sepse shënon diçka që për të ardhmen e vulos këtë pjesë si territor të mbrojtur, të zhvilluar dhe zonë e cila do ta ketë kujdesin më të madh nga të gjithë ne”.
Nga ana e tij, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se pajtohet me kryetarin Haziri se kjo zonë është harruar, por që duhet t’i kthehet kujdesi, ndërsa shtoi se harta jonë e lirisë është më e mirë dhe më e bukur nëse jemi të bashkuar dhe në këtë mënyrë edhe dëshmorët do të ndihen më mirë.
Fjalë rasti patën edhe deputeti Ahmet Isufi dhe kryetari I Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjilan, Ahmet Daku, të cilët vlerësuan se familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenar për sakrificën e bijëve të tyre.
Ky manifestim është përmbyllur me një program të pasur kulturoro-artistik, të cilin e ka përgatitur Këshilli i fshatit Zhegoc.
Në betejën e Zhegocit u vranë tetë ushtarë të UÇK-së: Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu, Njazi Osmani dhe 18 civilë. Ndërsa në fshatin Sllovi u vranë 49 civilë. /2lonline/