Paga minimale në Kosovë diskriminuese

Paga minimale në Kosovë diskriminuese

Në vitin 2011 me vendim të qeverisë, Kosova ka vendosur pagën minimale. Sipas atij vendimi, paga minimale është detyruese në shkallë vendi dhe janë vetëm dy karakteristika dalluese lidhur me moshën, ata/ato të moshës deri në 35 vjet do të pranojnë pagën minimale në shumën 130 Euro, dhe ata/ato që janë mbi moshën 35 – 65, do të pranojnë pagën minimale në shumën 170 Euro.

Shkruan: Fikri Mehmeti

Baza ligjore për këtë vendim është thënë të jetë Kushtetuta e Kosovës, neni 92 paragrafi 4 dhe neni 93 paragrafi 4. Sipas ligjit të punës, faktorët që janë marrë parasysh për caktimin e pagës minimale në Kosovë janë si në vijim: 1) Çmimet e kostos së jetesës 2) Shkalla e papunësisë 3) Situata e përgjithshme në tregun e punës 4) Prodhimtaria dhe niveli i konkurrencës. Ky vendim ka qenë i nxituar dhe i pa menduar mirë.

Procesi i vendosjes së pagës minimale është bërë shpejt e lehtë në vitin 2011. Sot askush nuk mund të gjej një dokument të vetëm nga grupi punues qeveritar ose nga komisioni parlamentar ose ndonjë trup tjetër institucional që dëshmon që diskutimi paraprak është bërë para kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi. Edhe sot është enigmë se si ka ardhur ky vendim dhe si ka ndodh që askush nuk është konsultuar.

Shumë pyetje mbesin për tu përgjigjur. P.sh: pse vlerat 130 dhe 170 janë konsideruar si paga minimale të mira? Cilat llogaritje janë bërë ose çfarë formule është përdorur për vendosje apo ka qenë vendim arbitrar prej zyrtarëve qeveritarë? Cilat baza janë përdorur për ndarje në dy grupe të moshave dhe pse një grup ishte deri në moshën 35 vjeçare? A është kjo ndarje diskriminuese duke marr parasysh faktin që shumica e fuqisë punëtore është brenda moshës 35 vjeçare? Kjo dhe shumë pyetje të tjera mbeten pa përgjigje.

Të fillojmë nga kushti i moshës. Vendimi ka caktuar pagën minimale të nivelit të ultë prej 130 euro për moshën vendimtare, pra, nën moshën 35 vjeçare. E para, nuk është e qartë prej cilës moshë njëri/njëra duhet të pranojë pagën minimale prej 130 euro. A ka të drejtë adoleshenti, që është ende në shkollë të mesme, në pagën minimale prej 130 euro? A zbatohet paga minimale tek ata/ato që kryejnë praktikë me pagesë, tek ata në programin trajnues, tek ata që janë duke studiuar dhe që kërkojnë punë me orar të shkurtuar? A i inkurajon paga minimale të rinjtë që ti braktisin studimet dhe të zgjedhin pagën minimale? Ne nuk e dimë këtë pasi që nuk ka pasur asnjë debat të çfarëdo niveli të shoqërisë për koston dhe përfitimet e pagës minimale. Ne e dimë si fakt që mosha rinore është në mes moshës 15-24 vjeçare siç është vendosur me ligjin për të rinjtë. Vendimi nuk është i qartë se si pagat janë caktuar dhe duket se ka qenë më tepër për të shënuar pikë politike se sa për të zgjedhur problem.

Përveç kësaj nuk ka formulë standarde që përdoret në llogaritjen dhe përcaktimin e pagës minimale. Dhe për ta vendosur një formulë për pagën minimale, duhet të merren parasysh
këta faktorë: a) nevojat e punonjësve dhe e familjeve të tyre; b) kërkesa për pagën jetësore, c) përshtatja e pagës përballë Indeksit të çmimit të konsumatorit, d) kostoja e jetesës dhe e ndryshimeve, dhe e) pagat e krahasueshme dhe të ardhurat.

Në vendet e BE-së, vlerat e propozuara të pagës minimale bëhen sipas indeksit të Kaitz-it, e cila është 50% e mesatares kombëtare.

Sa i përket Kosovës, e cila ka pagë minimale të parashikuar me ligj, Indeksi Kaitz mund të jetë i dobishëm, sepse synon që fundi, numëruesi (llogaritësi) i indeksit të jetë i njëjtë për të gjithë punëdhënësit. Duke e kthyer sistemin e pagave në sektorial, qeveria sipas këtij indeksi mundet gjithashtu të bëjë pagën minimale që varet nga mosha. Pasi që në Kosovë të rinjtë përmbajnë përqindje të lartë të fuqisë punëtore, indeksi i Kaitz-it mund të jetë i dobishëm në përcaktimin e pagës minimale për moshë dhe merita.

Për fund:

1. Qeveria nuk është angazhuar në diskutim publik para se të caktohet paga minimale e cila e sjell vendimin më tepër për të shënuar pikë politike se sa të ofrohet një asistencë për familjet e varfra. Prandaj duhet një diskutim i ri dhe vendosje e një formule të re për pagën minimale në Kosovë.

2. Paga e tanishme minimale e parashikuar me ligj në Kosovë është arbitrare dhe diskriminuese pasi që vendos dy kategori të moshave që askund tjetër në botë nuk mund të gjenden përveç në Kosovë. Një ndarje e tillë dëmton punonjësit me përgatitje të ultë profesionale që nuk hyjnë në kategorinë e të rinjve.

3. Të dhënat prej pagës mesatare në sektorin privat nga ASK (Agjencia e Statistikave të Kosovës) tregon që rritja në pagën e tanishme minimale nuk do të kishte efekte të kundërta në punësim pasi që sektorët kryesorë të ekonomisë tashmë kanë rritur pagat e tyre mesatare andaj edhe përqindja e atyre që punojnë për minimumin e tanishëm mund të jetë e ultë.

4. Edhe në Kosovë vlerat e propozuara të pagës minimale mund të bëhen sipas indeksit të Kaitz-it.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE