(Në Spitalin Rajonal Gjilan)
(2LONLINE) – Kjo është hera e dytë që punëtorëve shëndetësorë po ju përgjysmohet paga, pjesa e pagës nga kujdestaria e natës, puna dhe djersa e tyre dhe askush nga përgjegjësit nuk denjon, bile të njofton, shpjegon me ndonjë arsye.
Kush duhet të turpërohet për këtë ndalesë, drejtoria e spitalit, ministria e shëndetësisë, qeveria apo faji prapë është jetim !? A duhet dikush të jep shpjegime për këtë lojë, këtë tallje me punëtoret ? Nëse ka ndonjë arsye pse nuk ju thuhet punëtoreve. Nga mbrojtësit e të drejtave të punëtorëve-sindikata e shëndetësisë (Dega e Spitalit tonë e vazhdon gjumin dimëror!), bile nga kjo e Gjilanit, kaherë punëtorët i kanë çuar duart, sepse ata janë bërë mbrojtësit vetëm të udhëheqjes spitalore, kur dihet se kryetari i organizatës sindikale të SRGJ është njëkohësisht pjesë e menaxhmentit të spitalit.
Përsëritja e ndalesës , të gati gjysmës së pagës, na shtyn të dyshojmë që dikush po e shpërdoron djersën e punëtoreve kur dihet që kjo pagë mujore, në disa vende , as si ndihmë sociale nuk është. Ata që duhet të flasin, të japin shpjegime heshtin, drejtoria e spitalit, ministria e shëndetësisë, por a duhet të heshtin dhe ata mbi kurrizin e të cilëve thyhen shpatat?! Herën e parë, janë akuzuar udhëheqjet spitalore, të cilat kanë tejkaluar fondin e pagave për shkak të pranimit të punëtorëve pa kurrfarë kriteri as nevoje, duke ngarkuar fondin e paraparë të pagave.
Një gjë është e qartë, shumë e dukshme se punëtorët shëndetësor po diskriminohen, po nëpërkëmben, janë lënë pas dore, duke filluar nga udhëheqjet spitalore tejet të politizuara, ministria e shëndetësisë, qeveria jonë. Në mungesë të sistemit shëndetësor të mirëfilltë , sigurimeve shëndetësore, pacientët janë të frustruar, të zhgënjyer dhe tërë mllefin e tyre e shprehin tek punëtorët shëndetësor , hiq rastet e veçanta , të cilët u janë në shërbim të tyre,kurse përgjegjësit kryesor për këtë gjendje në shëndetësi heshtin dhe në mënyrë të padrejtë akuzohen ata që bartin barrën më të madhe dhe që drejtpërdrejt ballafaqohen me të sëmurët. Kur sindikata hesht, heshtin dhe punëtorët për shkak të frikës nga ndëshkimi i udhëheqjes spitalore (freedom of fear !). /2lonline/
Dr.Zijadin Hasani, pediatër Spitali regjional i Gjilanit.