DYLON

“Pafuqia e Rokut” dhe kundër argumenti!

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Këngët e grupit Rok Troja, si; Amanet i Clown-it, Egzistenca, Kanga Jonë, Mretnesha Kohë, tamlin e nanes, “Demokraci” etj munden të demonstrojnë fuqishëm dhe të kundërshtojnë, pa dhunë, të mos i binden keqqeverisjes, korrupsionit, diktaturës, ideologjisë dhe diskursit të kastave elitare dhe të ngritjen e të protestojnë kështu kundër dominimit për ta ndryshuar gjendjen ekzistuese?

Shkruan: MA. Zejnullah Jakupi

EkoHigjiena

Së pari po supozojmë se roku edhe nëse nuk e ka një forcë të pushtetit realist, me dekret, siç e ka ta zëmë qeveria, gjyqi etj, megjithatë roku me këngët e tij si art, si pjesë e kulturës, mund të kenë fuqinë e tij, ta “kundërshtoj” pushtetin real politik të vendosur dhe të ri-mbajtur nga forca politike.

A nuk e pat fuqinë arti, folklori, poezia, teatri gazetaria dhe diskursi i tyre kundërshtues shqiptar në Kosovë nga vitet 80-ta kundër regjimit serb e i cili shërbeu si një lloj mosbindje. Dihet tashme se këto forma të rezistencës shqiptarët trasuan në forma të ndryshme, krijuan “institucione paralele” jo vetëm në formën institucionale, (institute dhe parti politike, shkolla private) por edhe kultivuan protesta me art, me gjuhën e tyre, me diskursin e shprehur në artikuj, në këngë, në poezi.

Ky diskurs i elitës së intelektuale në krye me “Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës” ushqeu më pas aktivizimin politik në lëvizje gjithë popullore e cila më pas rezultoi në rezistencë gjithë-popullore kundër pushtetit dhe hegjemonisë serbe. “Kundërshtimi” dhe protesta e elitës kosovare(shqiptare) gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar nuk do të mund të kuptohet pa mosbindjen intelektuale ndaj hegjemonizmit serb. Edhe pse shteti serb ushtronte hegjemonizmin e tij politik, ekonomik, media, kulturor në gjitha fushat, publiku kosovar i rezistonte diskursit të tillë me lexim ndryshe ose krijim të realitetit të tij, sipas bindjeve dhe orientimit të vet kulturor.

Kundërvënia e regjimit serb përmes mosbindjes në të kaluarën

Në këtë kontekst po përmendim Artin, shkrimet publicistike, poezitë shfaqjet teatrore, lajmet e RTP-së, këngët e Shemsi Krasniqit, të Minatorit dhe grupeve tjera, përmbajtjet poetike, gjegjësisht, poezitë e Ali Podrimjes, Din Mehmetit, romanin e Adem Demaçit, vepra e Rexhep Qosjes, “Populli i ndaluar”ishin të gjitha produkte kulturore ose elemente të korpusit kulturor, të popullit nën okupim e të cilat, të gjitha bashkë, bënë hap pas hapi, për tre dekada, të thyhet mendimi dominant i establishmentit politik e kulturor shtypës i regjimit jugosllav e më vonë, i atij serb. Elitat intelektuale kosovare përmes këtyre produkte kulturore i kundërviheshin sistemit robërues serb, diku më shumë e diku më pak dhe këto mund të interpretohen si “refuzim politik e nacional” si mjet të refuzimit që inicion dhe rezulton me ndryshim politik ose ndërrim të regjimit apo sistemit.

Ndërsa, Produktet kulturore duke përfshi Artin, dramën, muzikën, poezitë, tekstet publicistike të lëvizjes për çlirimin e Kosovës, siç konsideroheshin ato nga shtypi serb dhe regjimi atëkohë denoncoheshin si “kundërrevolucionare”: Me të drejt, përmes këtyre formave ndihmohej “kundërshtimi” ose nxiteshin “strukturat e ndryshme të shoqërisë për “revolucion separatist” kundër regjimit serb. Në diskursin kundërshtues, në atë kohë, bënin pjesë edhe media, si kundërshtuese me gjithë diskursin e saj duke filluar nga lajmet e RTP-së, muzikën folklorike, më vonë atë rok.

Produktet kulturore të krijuara nga elita shqiptare arrinin të komunikojnë me qytetarët e të njëjtit substrat kulturor, duke i dhënë atij, jo vetëm siç do të thotë Prof. Dr. M. Krasniqi, “një mundësi të përjetimit estetik dhe të ndërgjegjësimit për pafuqinë e artit”, por forconin kundërshtimin ndaj pushtetit okupues dhe hegjemonist serb. Ky kundërshtim në këto vite shkonte duke u rritur dhe në fund të viteve 80 ose në fillim të viteve 90, ishte rritur aq shumë sa kjo “kundërshti” u shndërrua në armë politike që më pas, pos rezistencës paqësore rezultoi edhe me mobilizim fizik dhe luftë të armatosur kundër këtij regjimi.

Nëse do të themi se arti nuk ka ndikim në politik dhe në diskursin shoqëror, të gjithëmbarshëm, me siguri, nuk do të kishte as mobilizim shoqëror të gjithëmbarshëm në kohën e regjimit serb atëherë e as tani, nuk do të kishte trysni nga pushteti apo aparati shtetëror ose pjesëtar të elitës në pushtet, për të dhëne vlerësime të tilla mbi rokun, si diçka kriminale që duhej anatemuar.

Këngët rok si projekt për mobilizim dhe ndryshim shoqëror

Prirja për ta vlerësuar rokun si diçka, jo politike dhe pa ndikim mbetet për diskutim. Botëkuptimin e pushtetit semiotik nuk mund ta kuptojmë pa e kuptuar kundërthënien mbi produktet kulturore. Sipas sociologut amerika Talcott Parsons, kultura dhe produktet e saja përbëjnë një sistem të veçantë i cili interferon mbi sistemet tjera si politika, ekonomia dhe sistemi social. Në shkencën politike ka tendenca të interpretohet e kundërta. Orientimet majtiste madje vënë në spikamë dogmën e Superstrukturës nga sistemi ekonomik mbi sistemet tjera.

Me gjithë ambiguitetin shpjegues të këtij nocioni, lirisht mund të thuhet se kultura është brumi, është forca shtytëse për mobilizim dhe ndryshim shoqëror e ndërlidhur edhe me ndikimet nga sistemet tjera. Ndërsa nënvlerësimet që drejtohen ndaj artit dhe kulturës në përgjithësi bëhen me qëllim, për të anashkaluar rolin e saj në shoqëri ose për të kontrolluar produktet si mjet kundërshtimi duke penguar kështu çdo rezistencë shoqërore e grupeve të subordinuara eventuale e cila do të rezultonte me ndërrim të gjendjes politike ose rotacion politik.

Andaj edhe roku si artefakt kulturor, si produkt i kulturës, është pjesë e relacioneve të pushtetit, është mjet i leximit “ndryshe” i realitetit shoqëror. Roku e bënë transparent këtë luftë për pushtet dhe i dekodon rrjetat e padukshme të pushtetit të ndërthurur thellë me qëllime dominimi dhe mbisundimi. Vokalistët e rokut në Kosovë (ndër ta edhe Bujar Berisha nga grupi “Troja”), shprehen kundër stigmatizmeve ndaj muzikës rok.

Definicioni më i mirë për rokun

Migjen Kelmendi argumenton se “kur thirresh në “Rock´n Roll”, në perëndim ti je duke aluduar në dashni, në mosbindje ndaj autoritetit, mos bindje ndaj ftesës mos me shku në luftë[…]. Civilizimi perëndimor thotë z. Kelmendi nuk mundet të kuptohet pa këtë dimension, “Rock´n Roll” është vetëm një pjesë, pa aspektin liberal, sfidues antikonformist që gjithmonë ja ka kujtuar se nuk është gjithçka.

Fuqia nuk ka kuptim pa paqen dhe dashnin. Krijimi i këtyre teksteve është krijimi i një monopol i një grupi të caktuar, financiar, ideologjik dhe partiak i cili po ndërhyn në tekst […]. Roku ka të bëjë me solidarizimin, roku është sfidues jo vetëm ndaj sistemit serb, ndaj establishmentit, p.sh Amaneti i Clownit, i sfidon kanunet, i sfidon pushtetet, është i pa bindun në kontekstin kur një klasë politike e kishte ambicien me i kontrollu të gjitha dimensionet shoqërore, të një shoqërie. Çfarë ishte Roku, hapësirë e lirisë, përpjekje për me kriju hapësirë për të qenë i lirë, për të menduar ndryshe, me vepru ndryshe, me përdor fjalor ndryshe edhe me mendu ndryshe”.

Establishmenti dhe mendimi ndryshe

Përpjekjet e establishmentit drejtohen gjithmonë kundër “mendimit ndryshe”. Sepse establishmenti kundërshton artin “rebeles” mbase ky i fundit drejtohet kundër dominimit, kundër hegjemonisë kulturore, politike, ekonomike etj. Këngët rok në shumtën e rasteve janë opozitë e pushtetit, shprehen kundër “direktivave nga lartë” të cilat kërkojnë rregulla dhe vendosin vlera morali për produktet kulturore. Establishmenti politik i zhvillon( ose i kultivon) shijet e saja kolektive si në medie, në artë, në poezi, në muzikë, në shkencë, në letërsi e fusha tjera.

Ajo zhvillon një kulturë dominonte, një ideologji të caktuar për ti kontrolluar të dominuarit.
Muzika rok, ashtu siç mund të jetë një zhanër letrar është një strukturë kulturore e cila mund të kuptohet vetëm brenda kontekstit të caktuar historik. Roku mund të “lexohet” varësisht nga këndvështrimi i përcaktimit të tij.

Për dike Roku ka kuptimin e retorikës apokaliptike, është pasqyrë e adoleshencës, kriminalitetit, drogës, devijimit, rebelimit, bohemizmit etj. Zhanri i tillë artistik apo muzikor pasqyron në praktikë, përditshmërinë dhe, paraqet mundësi për artikulim shoqëror shtrirje dhe afirmim në mjedisin e caktuar social. Grupet e tilla sociale kanë edhe mundësi të ndryshimit dhe të artikulimit.

Roku si mundësi kundërshtimi politik përmes artikulimit polisemik

Rok kurrë nuk mund të jetë vetëm një manifestim (politik) apo ideologji, duke përjashtuar konceptin e zbavitjes, privatësisë( format e reaksioneve trupore). Në këtë relacion rol të ndjeshëm luan edhe emocioni i cili lind nga recipimi i përmbajtjes së tekstit. Muzika Rok është edhe politikë dhe me tekstin e saj mobilizon resurset e kundërshtimit, protestës dhe qëndrimit opozitar dhe përbën në vete një lloj pushteti semiotik. Këtë e dëshmon më së miri kënga e grupit rok, “Troja, “Amaneti i Clownit” e cila si e tillë ofron mundësi artikulimi polisemik, gjithashtu mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Një dëgjues mund ta lidh ngjarjen me të kaluarën nën sundimin serb, një tjetër me atë të kohës së tanishme të pas luftës, e një tjetër, mund ti jap asaj konotacion krejt ndryshe (lexo tekstin e këngës në vijim):

“Janë do vjet që kanë kalue, nëpër mue, mbrenda nshpirt me forc pom shthyjn me thanë. Kush janë kta njerz që s’janë shkollue e nuk kanë msue që njeri nuk banë shpinë e vet me vjedh. Janë do fjalë që nuk po muj me i than! Janë do njerz që kanë teprue, shumë um kanë kushtue, rrenat e tyne janë t’um que atje ku veten nuk muj ma me gjet. Dhe sa vjet duhet me shkue, me i duru kta njerz që krejt, forcën ma kanë marr! Ku janë kta njerz që trunin ma kanë larë? Ku janë kta njerz, që vet nuk muj me i nalë? Kisha dasht diqka me ndrrue, me kta njerz, që diellin….diellin ma kanë nal. Sa shumë vjet kam andrrue, kam besue, Zotit ju kam lutë dielli me dal. Ku janë kta njerëz, që diellin ma kanë nal? Ku janë kto vjet që kurr nuk muj me i falë?”(Troja).

Kënga e grupit “Troja” me mesazhin e saj e bënë publikun kritik. Arti(muzika…) janë produkt kulturor, ose pjesa e kulturës, ndërsa kultura është praktika e jetës së përditshme, thotë R. Williams. Kultura është komunikim dhe komunikimi i shprehur përmes artit,qoftë kjo një shfaqje teatrore, një video-spot apo këngë roku është politikë dhe kontekstualizon realitetin simbolik të jetës së përditshme, kundërshton apo përkrah politikën, pushtetin dhe nuk do të duhet të mbetej vetëm si art jashtë ndikimit politik ose si diçka qe nuk do të ketë mundësi për të evoluar ndryshime shoqëror-politike qoftë i krijuar nga elita apo grupet më pak „elitare“.

Me këtë muzika rok është formë e artikulimit dhe komunikimit shoqëror në përpjekje gjithnjë për të qenë(ose për tu bërë) pjesë e shoqërisë, për tu mos u nënshtruar ndaj elitës dominuese ose rrymës hegjemoniste. Kundërshtimi është politikë, sepse sjell ndryshime në shoqëri, edukon publikun të jetë syhapur, ngrit zërin kundër padrejtësive dhe devijimeve shoqërore. Vetëm lexuesit, apo dëgjuesit kritik mund ta “riprodhojnë” mesazhin këngëtares Rona Nishliut me titull: “Lerëm të qaj”.

Recipienti(dëgjuesi) e nxjerrë kuptimin e mesazhit të tekstit, jo siç e ka koduar poeti ose autori i tekstit, por siç e kupton ai vet. Prandaj leximi nuk drejtohet vetëm kundrejt establishmentit politik, por në rastin leximit edhe kundër vet autorit te këngës. Interpretimi i këngës së Rona Nishliut, siç e ka thënë edhe vet për televizionin 3SAT ishte “ndryshimi” zëri kundër fenomeneve negative që kanë plakosur shoqërinë e pas luftës. Interpretimi i kësaj këngë, pavarësisht çka thotë interpretuesja do mund të bëhet në disa variante; Një shikues/ lexues (ose për masën e caktuar të publikut) do ta kuptoj, interpretoj si përshkrim i situatës së padurueshme shoqërore të dominuar nga varfëria, korrupsioni dhe stagnimi i zhvillimit ekonomik.

Një tjetër shikues/lexues(ose për masën e caktuar të publikut) do ta interpretoj, si vajtim, si protestë apatie kundër devijimit shoqëror, siç janë fenomeni i korrupsionit, pasurimi i tej-mase të elitës politike, ekonomike mbi kurrizin e klasës së mesme apo qytetarit të zakonshëm, që mezi ja del të mbijetoj me një rrogë minimale. Një shikues, lexues(ose për masën e caktuar të publikut, veçmas ata që tashmë gëzojnë privilegjet e elitave në pusht) teksti i këngës nuk do të përbënte ndonjë preokupim politik, përpos që do të dekodohet si mesazh i thjesht dashurie.

Në këtë kuptim, përfund, arti mbetet forma e vetme kundërshtuese kundër padrejtësive shoqërore, por edhe mënyrë solidarizimi dhe vazhdimi i apatisë dhe gjendjes ekzistuese. /2L ONLINE/