Zgjedhjet janë një proces i zgjedhjes së përfaqësuesve apo zyrtarëve të lartë nga njerëzit që kanë të drejtë vote. Në të gjitha shoqëritë ku raportet e brendshme (ekonomike, sociale, politike e fetare) janë më pak ose më shumë demokratike, zgjedhjet janë formë e rregullt e përzgjedhjes së atyre që në mënyrë legjitime do të bartin funksione dhe detyra me rëndësi. Dallojnë nga format e tjera të nominimit, të ngritjes së dorës me rastin e propozimit, aklamacionit, të emërimit sipas autoritetit apo të trashëgimisë së fronit.
Në sferën politike zgjedhjet, si proces i rregullt demokratik, jo rrallëherë ndërlidhen me zhvillimet politike dhe të qeverisë përfaqësuese. M. Weber përmend raportet e thella mes zgjedhjeve, vlerave të demokracisë dhe vullnetit të lirë. Sipas tij, liria është ekzistente atëherë kur jemi të lirë të zgjedhim mes dy alternativave, ndaj zgjedhjet e lira demokratike janë një akt par excellence dhe ligji esencial i demokracisë.
Në antikë zgjedhjet mbaheshin vetëm për funksione të larta. Në Romën e vjetër, deri në vitin 107 p.e.s. qytetarët zgjidhnin përfaqësuesit e vet me sistem të hapur. Më vonë filluan me vota të fshehta. Në Mesjetë, praktika e zgjedhjeve ishte shumë e kufizuar dhe e kushtëzuar nga procedura të vështira, ndërsa hedhja e zarit ka qenë njëra ndër metodat më të shpeshta. Sa i përket vendeve të botës, sidomos të Azisë dhe Afrikës, përveçse në rrafshe filozofike, shumë pak materiale disponohen në lidhje me rregullimin shoqëror të atjeshëm. Është detyrim kombëtar të hulumtohen segmente të cilat do t’i hyjnë në punë kombit tonë, për të mësuar dhe për të përfituar nga përvojat e tyre. Bota për ne mbetet ende thesar i pazbuluar.
Në nr. 4 të revistës “URA” (e cila botohet në Tiranë), organ i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale të cilin e udhëheq me mjaft sukses orientalisti Ermal Bega, është botuar një shkrim nga Murad. W. Hofmann, i cili bënë një pasqyrim interesant të qeverisjes në shtetin islam. Sipas tij, shteti i Medinës ishte një republikë federale, jo mbretëri. Muhammedi a.s. e kishte mohuar kurorën mbretërore. Ai nuk bëri asnjë përpjekje për të vendosur pushtet në duart e fëmijëve të tij, përfshirë dhe Fatimen. Në atë kohë nuk kishte asnjë republikë ekzistuese, por kishte vetëm mbretër dhe perandorë. Pavarësisht se Muhammedi a.s. ishte i dërguar i Allahut, ai nuk e drejtoi komunitetin e tij si një autokrat. Vendimet politike që merrte, dilnin nga shur’a (këshilli federal ligjdhënës).
Federata e Medinës e themeluar nga fiset të cilat më parë vepronin si shtete të pavarura, është përgjigja se shteti islam ishte një lloj konfederate e jo mbretëri e centralizuar, përfaqësuesit e së cilës zgjidheshin me vota të lira. Ibn Tejmije në “Qeverisja në Islam” kishte pranuar përfundimin se parimi i ligjit është më i rëndësishëm sesa parimi i caktimit të përfaqësuesit të Zotit.
“Zgjedhjet kanë rëndësi për aq sa ofrojnë mundësinë e zbatimit të dispozitave të fesë. Islami mund të mbijetojë pa një halif, por jo pa sheriat”, thoshte ai.
Në Evropën më të re, zgjedhjet ndërlidhen me themelimin e Parlamentit në Angli. Shenjat e para të zgjedhjeve në kuptimin e përgjithshëm vërehen në vitin 1254. Atëbotë, Henri III kishte ftuar nga dy përfaqësues prej secilit grupim shoqëror për të marrë mbështetjen për luftë kundër gjermanëve. Pas shumë shekujve, në vitin 1832 sendërtohet Ligji mbi Reformën nga ku fillon epoka e zgjedhjeve në kuptimin që njohim sot.
Përgjatë shekullit XIX, me përparimin demokracisë avancohej edhe vetëdija për zgjedhje ku deri atëherë merrnin pjesë vetëm meshkujt. Lufta e gruas për barazi me meshkujt dhe për pjesëmarrje të barabartë në zgjedhje vazhdoi edhe në shekullin XX. Lëvizjet feministe në Angli dhanë të kuptohet se pozita e gruas atje ishte e rëndë. Nga fundi i shekullit XIX, Xh. S. Mill doli me kërkesën e tij tepër trimëruese për ndalimin e të pashkolluarve për kandidim në funksione politike. “Injorantët në pushtet janë të rrezikshëm për interesat kombëtare”, thoshte ai. Motoja e asaj ndalese ishte: “Ignorance as a bar to representation” (Padituria si pengesë për përfaqësim). Matanë Atlantikut, vetëm pas luftës qytetare të vitit 1860 fillon epoka e zgjedhjeve të lira të cilat do të luajnë rol vendimtar në demokracinë amerikane.
Ndodhë shpesh që zgjedhjet janë përcaktime mes opsioneve që asnjëri të mos jetë më i pranueshmi për qytetarët. Në vitet 30 të shek. 20, në Italinë fashiste organizoheshin zgjedhje, por, sa vlenin ato kur në lista figuronin vetëm emra të përzgjedhur nga korporatat fashiste. Në diktaturat dhe demokracitë popullore zgjedhjet me karakter të “pjesëmarrjes masive” bëheshin sa për sy e faqe. Të këtij karakteri ishin ato në sistemet totalitare të vendeve arabe. Në listat zgjedhore figuronte vetëm emri i presidentit, kurse si opsion ishin dy fjalë: PO ose JO. Është interesante që pozicioni i diktatorëve të zgjedhur në këtë mënyrë është më i fortë se pozicioni i diktatorëve të hapur. Diktatori “i zgjedhur” thirret në “nevojën” e qytetarëve për të dhe në domosdoshmërinë e “zgjedhjes” së tij. Arsyetimi se po humbi ai, kaosi në shoqëri është i paevitueshëm ndërsa tërheqja nga gara është “tradhti ndaj votuesve” është moto e vetëmashtrimit të tyre.
Në shoqëritë demokratike zgjedhjet janë të domosdoshme, por jo kusht i mjaftueshëm për ekzistimin e demokracisë. Është e pamundur për demokracinë e mirëfilltë të mos ketë zgjedhje të rregullta. Zgjedhjet janë të rëndësishme për socializmin e politikës, për kulturën politike, ato janë tregues i mirë i vetëdijes politike të një shoqërie. Fushatat, prezantimi i programeve dhe kandidatëve, tubimet zgjedhore dhe veprimtaritë propagandistike etj., janë dëshmi e zgjedhjeve që tregojnë performancën demokratike në vetëdijen e shoqërisë.
Kuptimi demokratik i zgjedhjeve shprehet nëpërmjet mundësimit që gjendja reale e shoqërisë me gjithë tendencat demokratike të jenë të përfshira në real-politikën e shoqërisë. Sipas kësaj tendence, as grupet që nuk janë shumicë nuk duhet të mbeten jashtë proceseve politike. Në fakt, qeveria e dalë nga zgjedhjet, nuk bënë të jetë aq e lirë sa të mos përfillë zërin e pakicës (opozitës). Zgjedhjet reflektojnë interaktivitetin demokratik të bashkëpunimit mes qeverisë dhe shoqërisë. Askush nuk duhet të mbetet plotësisht i pa rol, i ruajtur nga kritikat dhe pa përgjegjësi. Formë e mirë e mundshme e demokracisë është tejkalimi i paprekshmërisë së funksionarëve.
Koncepti bazë i zgjedhjeve është zgjedhja e pushtetit (teoria instrumentaliste). Etatizmi dhe elitarizmi është shah-damari i kësaj teorie. Sipas saj, pushteti është më i rëndësishëm se njerëzit që përbëjnë shtetin dhe pushtetin. Mbështetja që duhet t’i jepet pushtetit është e domosdoshme. Zgjedhjet mbahen për të justifikuar kuptimin metafizik “pushteti mbi shoqërinë” i cili është themeli i legjitimitetit të tyre.
Kjo teori mbështet format organike të shtetit dhe shoqërisë, pranon primatin e tërësisë mbi pjesët përbërëse të saj si dhe rrymat totalitare/autoritare të mendimit politik. Teoritë instrumentaliste e kanë zanafillën tek mbrojtja e doktrinave liberale dhe neo-liberale (T. Hobs). Individualizmi dhe posesivizmi ekstrem shpeshherë përfundojnë me kundërthënie të interesave dhe për t’u mbrojtur ndjehet nevoja për centralizimin politik të shtetit. Xh. Loku këtë e quan properties of state. Sipas instrumentalizmit, shpesh dhe në mënyrë të papritshme etatizmi përzihet me liberalizimin, ndërsa shteti i së drejtës me absolutizmin dhe me totalitarizmin.
Zgjedhjet janë shprehje e vullnetit të qytetarëve për t’u arritur konsensusi mes tyre dhe pushtetit, democracy by consent (teoria funksionaliste). Fryma e saj vërehet në të ashtuquajturat teori të marrëveshjeve në të cilat kuptimi i zgjedhjeve përcaktohet nëpërmes vendosjes së baraspeshës mes pushtetit dhe shoqërisë.
Teoria demokratike është koncepti radikal që mbështet premisën “shoqëria mbi shtetin dhe politikën”. Sovraniteti demokratik konstituiv i popullit është bazë në bashkësinë politike ku zgjedhjet janë mjet jo në duart e pushtetit, por armë në duart e shoqërisë. Atributi kryesor i kësaj demokracie është përgjegjësia e të zgjedhurve e ndërlidhur në mënyrë demokratike me trupin zgjedhor, i cili, sipas terminologjisë së Aristotelit është “tërësia qytetare”. Në sistemet anglosaksone, sidomos në Angli ku zgjedhjet kanë një traditë më të gjatë, ekziston një ndjeshmëri sa i përket baraspeshimit mes nevojës për pjesëmarrje në zgjedhje dhe ruajtjes së privatësisë dhe interesit të qytetarëve.
Në çdo sistem zgjedhor, kandidimi, nominimi dhe vërtetimi i kandidatëve është njëri ndër problemet kryesore. Nëse përgjatë këtij procesi nuk respektohen rregullat demokratike apo nëse nuk përzgjidhen emra që e meritojnë, në fazat në vijim, demokracia dëmtohet, ndërsa qytetarët do të paguajnë faturën e kandidimit të gabueshëm. Për shkak të rëndësisë së kandidimit në rrjedhën përfundimtare të zgjedhjeve si dhe karshi manipulimeve ku përgjatë procesit të kandidimit janë të mundshme, është me rëndësi të sigurohet një rregullore e qëndrueshme e cila mundëson zhvillimin demokratik të zgjedhjeve.
Është praktikë që partitë politike të propozojnë kandidatët sipas normave të veta, sipas preferencave të liderit të partisë ose sipas pozitës së kandidatit në hierarkinë partiake (kriteret meritokratike apo “shërbimi” si arsye për promovim). Nga ana tjetër, ajo që votuesve u intereson nuk janë “kriteret”, por morali dhe puna e mëtutjeshme e kandidatit. Në fakt, në praktikë, është shumë e vështirë të kënaqen në të njëjtën kohë edhe kandidatët edhe votuesit, sepse kjo nuk varet vetëm nga konstrukti i sistemit zgjedhor, por edhe nga karakteri i partisë, pozita e anëtarëve të partisë në raport me udhëheqjen e saj dhe nga marrëdhëniet politike dhe morali i tyre.
Nëse ato organizohen mirë, nëse kandidatët janë të nivelit për të përfaqësuar, nëse fituesit mbajnë premtimet e tyre dhe i përkushtohen punës me njerëzishmëri, po, ato janë zgjidhje. Përndryshe, në një vend si Kosova, ato do të ishin një humbje kohe, mundi dhe djerse të qytetarëve.