Lideri i Aleancës Kosova Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se kjo parti është fuqizuar në zgjedhjet lokale, posaçërisht me fitoren në komunën e Gjakovës dhe të Mitrovicës.
Në një intervistë për “Epokën e re” Pacolli ka thënë se AKR-ja vazhdon rrugëtimin suksesshëm drejt fuqizimit të mëtejshëm në skenën politike. Ai ka premtuar se gjatë mandatit qeverisës në Gjakovë dhe Mitrovicë do të ketë rritje ekonomike dhe zgjedhje të problemeve me të cilat ballafaqon qytetarët.
Në këtë kontekst, Pacolli ka thënë se kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, do të jenë shërbëtorë të qytetarëve.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se shumëkush ka menduar se subjekti i tij politik ka humbur me hyrjen e tij në qeverisje.
Ai ka thënë se zgjedhjet lokale e dëshmuan të kundërtën.
“Puna jona e ndershme në qeverisje na u shpërblye nga qytetarët në zgjedhjet lokale duke fituar dy komuna. Besoj shumë se AKR-ja do të jetë një forcë politike e cila në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të marrë mbështetje më të madhe nga qytetarët”, ka thënë Pacolli.