Shkruan: Shefik SHKODRA
/2L ONLINE/ – Një shofer njëherë në këto rrugët tona nëpër male, duke hyrë brenda, ia zë kryet me derë autobusi një udhëtari. Pasi e liroi, ky udhëtari iu drejtua shoferit: “këtë pasqyre (retrovizor) a me u rrue e ke, bre”? nuk duhet të ligështohemi prej presioneve të shumta që ndodhen në kokën tonë. Por, duhet shikuar në çdo hap ku po shkelim. Duhet ta përcjellim edhe kundërshtarin, çfarë është duke menduar në momente të caktuara. Nuk jam i prirë të mohoj çdo gjë. Nuk e shoh krejt të mbetur e të shkretuar. Ka diçka që është bërë. Por, pa lëvdata si është bërë zakon, të prehet një shirit prej disa vetave dhe të pasojnë duartrokitje. Qytetërimi i jonë i sotëm duket shumë i bukur me disa pamje. Është asfaltuar e ndërtuar. Shtëpi të mëdha, të ndërtuara shumëkatëshe. Universitete në çdo kasaba. Kanë filluar të ngritën sheshe me përmendore të heronjve e të jetës kulturore. Mbetjet e kohëve pak më të vjetra nuk kemi mundur t’i ruajmë sa e si duhet. Rrënimet ishin edhe të më hershme. Kujdesin dhe mirëmbajtjen nuk e kemi trashëguar si duhet. Megjithatë, është koha e fundit për ato që kanë mbetur dhe i kanë qëndruar dorës së njeriut injorant, por edhe dashakeqes dhe “dhëmbit të Kohës” që, nuk pyet askënd se a duam t’i ruajmë apo jo.
Reagimet të pa njohuri, por pa u dëgjuar
Sa i bën disa vizita nëpër qendrat tona, lodhësh për pushim. Hyn brenda në një lokal përplot me njerëz. Ata janë nga të gjitha moshat dhe gjendja shëndetësore: pensionistë, studentë, magjistra, doktorë shkencash, etj. të gjithë mbajnë nga një kafe pranë vetes. (Ani se, në vendet tjera, gjatë kohës së punës veç invalid dhe njerëz të mbetur sheh nëpër lokale). Të gjithë gumëzhijnë me zë të lartë. Të gjithë rrëfejnë me agresivitet, të shumtën diçka që nuk u shkon për shtati. Disa reagojnë ashpër, shajnë në shenjë proteste. Por, biseda e tyre me të dalë nga lokali mbetet me aq. Nuk ka zëra publik, pos ndonjë që di vetëm për të sharë dhe për t’u vu etiketa të tjerëve. Zakonisht nëpër ato faqet elektronike – gazeta, fb, twiter dhe të portaleve.
Të gjithëdijshmit pa aparatet e kulturës, shkencës dhe të arsimit
Arsimohen njerëzit për profesione të caktuara, si gjithë bota. Secili do të duhej të jetë ekspert për atë profesion që është përpjekur ta përvetësoj, t’ia di të mirën e vlerën shoqërore e kombëtare. Edhe ne, përse e kemi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve? Përse i kemi këto kuadro të arsimuara? Për çfarë na vyejnë dhe ku i fusim në funksion ato? Ndoshta veç për dekorim, apo sa për të pasur një vend pune për bukë goje?! Sa për të thënë, qe edhe ne kemi Akademi, Institute e universitete. Fatkeqësisht të pa shfrytëzuar asnjëherë. Tash nuk jemi duke ditur, a është faji siç po thuhet i “këtyre pleqve që janë mbledh në një mriz zhegu dhe po heshtin për çdo gjë”, apo mosangazhimi i tyre në asnjë punë të vyeshme arsimore, shkencore, ekonomike, kulturore e shtetërore nga ana e përgjegjësve të kësaj politike. Kush janë këta burra e gra të gjithëdijshëm në këtë vend tonin, që mund t’i bëjnë të gjitha punët me fjalë goje, apo me atë dijen e tyre “zyrtare” edhe me shkrim…? Këtu është një mospajtim, le të mendojë kush si të dojë! Te ne s’ka angazhime të mjaftueshme serioze. Për asnjë punë, jo vetëm rasti i UNESCO-s. Nuk merr pjesë as akademiku, as profesionisti, as qytetari i jonë në ndryshimet e duhura të vendit. Veç improvizime bëhen. Improvizimi është i tmerrshëm me gra e burra. Tri televizione, në të tria debate e “potera”. Por, asgjë të re nuk i dëgjon se do të mund të krijojnë në këtë vend nesër. Disa biseda televizive, hajgare e kakarisje…! Nëse mund ndonjëherë njëri-tjetrin ta ngarkojnë para opinionit publik. Madje, nuk e thonë të vërtetën për personin e njohur për të keq, këtë ia veshin dikujt tjetër. Pra, gati njësoj sipas pozitës dhe opozitës në parlament. Mbarojnë këtë dhe ikin me natë të mirë. Të gjithë flenë rehat. Të gjithë zgjohen me ëndrrën e ëmbël se, të gjitha punët tona i kryen dikush tjetër. Ne veç para e seks, pasqyra na ka hije. Jemi popull bukurosh, a?! Më mirë të themi – narcis! Madje shumë të gëzueshëm, shkojnë në punët dhe detyrat që i kanë fituar nga “patroni” i bëjnë me improvizime, nuk e lëvizin veshin. Bota ne na shikon e na përcjell. Sepse, po mendoj që, të gjithë qytetarët janë të privuar nga organizimi prej institucioneve tona. Gjithnjë duke menduar se, veta e parë me dy-tri veta të “shkokordhavta”, mundet të kryejnë të gjitha punët, madje edhe në diplomacinë e jashtme, pa një fletore ndër sqetulla. Dhe koha rrokulliset. Na del para diçka nesër, apo kur nga jashtë dikush na thotë për diçka që do të duhej të ndreqej kaherë, dhe fët, ngutuni! Hipni avionit! Kush e di kush sa e si? Dikush prej tyre do të thotë, s’ka nevojë ta dijë askush. Mjaft kemi punuar na me grupin tonë. Çka dinë ata (qytetarët), na jemi për ato punë që duhet t’i rregullojmë!… Dhe vërtet do të duhej t’i rregullonin. Ata kanë mandatin, por si – është çështje që duhet të thuhet publikisht.
Nuk ndihen të gjithë fajtorë për punët që s’i kryen dikush
Nuk ndikohem nga askush. Vetëm këtë vend dua ta shoh mbarë pas lirisë. E di se, nuk është lehtë të merresh vesh me njerëz të Serbisë, të porositur, të këshilluar e me planifikimet e tyre nga çdo anë. Ata nuk shkojnë në negociata e në asnjë rast pa u bërë gati. Pa pasur shkallëzime. Pa i gjetur edhe ngatërresat anësore. Po, ata kërkojnë ndihmë nga Akademia, nga intelektualët, nga partitë tjera. Jo me duar në xhepa e të lëmuar për foto, pa një fletore ndër sqetulla. Ata i “ndërsejnë” qentë e vet ku janë e ku s’janë. E thonë të parën më të dhimbshmen, lejohen ngadalë edhe me më të ulëtën, kur e shohin se nuk ka derë tjetër. Njëherë përqafohet, pas shpine flet çdo gjë që është e s’është për kundërshtarin. Besë nuk ka (mos është tretur edhe te shqiptarët ndërmjet tyre) dhe nuk lidhen për parime njerëzore.
Disa zëra, pasi të “hahet pitja”, reagojnë mallëngjyeshëm
Është e dhimbshme nga njëherë me njerëz që ke besim dhe ata heshtin ose nuk duan të ndihmojnë. Sintagma e pjesës më të madhe është, “mos t’i prishi punët me askënd, se nuk i dihet”. Janë të mësuar kaherë, që dikush le të “përzhitet”, ne rrimë urtë e fitojmë! Krejt post festum i shikojmë ne punët si opinion publik. Pas ‘gjurullutiave’ që i bëjmë me njëri-tjetrin, në mes veti, vetëm sa për ta amortizuar kohën me shumë vlerë e të pa kompenzueshme, ndërsa krejt me pagë të shtrenjtë nga kontributi qytetar. Të gjitha janë sikur “çajmë dërrasa” pa nevojë e pa vlerë, apo si thuhet “rrahim ujë në havan”. Dhe këto zëra nuk janë nga ato institucione që përmendëm, si vegla e aparate shtetërore, por qytetarë që s’ua varë askush. Edhe pse, qytetarët e kanë rendin të reagojnë, por jo pasi të kryhet një punë çfarëdo qoftë. Dhe s’është fjala veç për anëtarësim në UNESCO. Edhe anëtarësimi në këtë organizatë do të bëhet ndonjëherë, por veprimi në negociata për marrëveshje të ndryshme nuk lejohet si thotë dikush në Europë. Edhe të huajt sikur nuk i njohin mirë ballkanasit dhe punët e tyre, apo nuk donë. Vërtet nuk është e mirë të thuhet për diçka shqiptare, “e padhembshme” vetëm sa t’ia lidhim kryet disi. Krejt bien poshtë, veç njoftimi e mobilizimi i qytetarëve duhet të jetë gjithnjë për çdo gjë me kohë. Kur është diçka e përbashkët, nuk mund të ketë mospajtime të pakufishme në mes veti. Përkundrazi, do të vijë në shprehje uniteti.
Fqinjët tanë të papërmirësueshëm
Serbia dhe qeveritë e saj, do të duhej që të shkëputeshin nga ajo histori që nuk solli asgjë të mirë për të dhe të tjerët. Ideologjia e kishës me politikën kundër çdo gjëje shqiptare s’ka më vlerë as për ta. E mira e të mirës, duhet pranuar në këtë shekull fqinjësinë e mirë. Mendoj, shumë punë janë bërë për të mirën e saj se sa për të tjerët. Krejt kjo është investuar me kapitalin e vendeve tjera, vetëm e vetëm që të mos mbetet e pakënaqur. Rruga që lidh Serbinë me detin, drejt Durrësit, s’është punë e paktë. Mirëpo, atë që dëshiron ta kthej mbrapshtë nuk duhet t’i detyrojnë qytetarët e vet të besojnë se do të bëhet. Shikojeni çfarë thonë sot ata zyrtarët institucional serbë. Nuk janë në asnjë kohë të pavetëdijshëm. Edhe ata e dinë se Kosova është dalë nga mandati i tyre, por ata nuk ndalen. Kërkesat e tyre janë si të adoleshentëve të pa edukuar. Ata kanë atë punë gjithnjë. Pleqtë tanë e kanë verifikuar moti këtë veprim të tyre: “Uji pushon, serbi jo kurrë!” Si duket ne po lodhemi ndoshta, apo nuk mundemi fare ta hapim gojën për kërkesat tona legjitime. Apo ndoshta, marrëveshjet me ndërmjetësim të BE-s janë si të pa justifikueshme. Serbët si në lojën e shahut, të presin ku po luan dhe me njëherë të dëshirojnë Mat. Dëgjojeni edhe një Sava Janjiq (a ishte kështu ky emër), një farë prifti serb në Kosovë. Shihni pengesat që ndërthurin dhe pastaj, e bëjnë sikur asgjë s’është kjo. “Të mos gëzohemi, thotë prifti. Dialogu duhet të vijoj…”etj. që do të thotë, sipas tij dhe politikës beogradase, “Kosova është e jona”, kështu thotë edhe ai radikalisti i njohur, Nikoliq, i cili dëshiron të përtërij shek. XIX. Shikojeni e dëgjojeni edhe atë Daçiqin, zërin e S. Millosheviqit! Me atë të cilin grupi i Kosovës kishte bërë negociata në Bruksel qe sa kohë! Ai s’ka turp. Edhe kjo është e kalueshme. Por duhet të papriturat gjithnjë të jenë parasysh si të pritshme prej këtij soji njerëzor. /2L ONLINE/