Pa u skuqë hiç, kërkojnë zgjedhje!

Pa u skuqë hiç, kërkojnë zgjedhje!

Thirrjet për zgjedhje të parakohshme janë kryekëput për interesa të ngushta. Rrena janë arsyetimet se zgjedhjet janë mundësi e mirë për me i ofrua vendit një qeverisje ndryshe.

Shkruan: Ardian Azemi

Për çfarë qeverisje bëhet fjalë, për atë që ishte deri para pak muajve a..?! Mosni ju lutem, po na fyeni inteligjencën! Është e thjeshtë bre kjo punë, mjafton të analizojmë disa segmente të rëndësishme të shtetit, për ta kuptua se çfarë qeverisje kemi pas deri tani.

Nuk është pak kohë, po bëhen nëntëmbëdhjetë vjet që Kosova ka institucione te saja. Nëntëmbëdhjetë vjet me institucione, e dhjetë vjet shtet, ata që kanë udhëheqë me vendin, kërkojnë trajtim mjekësor jashtë Kosovës, për shkak se nuk ishin në gjendje me bë një sistem të mirëfilltë shëndetësor.

Përkundrazi, në vend që ta modernizonin, e shkatërruan atë. Kosova përgjatë aq shumë vitesh, nuk ka arrit të bindë investitorë të huaj serioz që me ardhur me investua këtu. Pasuria e Kosovës u shitë përmes privatizimit të pashembullt, paret i kanë dërguar jashtë vendit për të cilat qytetari nuk ka informacione për to, për shkaqe sigurie, dhe në të njëjtën kohë thërrasin të huajt ejani investoni në Kosovë.

Kapitalin tënd jashtë vendit, ndërsa thërret të tjerët silleni kapitalin këtu. Pallavra!

Votat i kanë marrë tu e rrejtë popullin për krijimin e dyqind mijë e më shumë vendeve të reja pune, në çdo palë zgjedhje e pa pikë marre e gjynahi për këtë rini, dhe vazhdimisht e panderprerë, punësimi u bë në vija partiake. Me fjalë tjera, rinisë ia kanë gërditë vendin e vet, ia kanë vjedhë ëndërrat e ia kanë shuar shpresat. Rininë e kanë lënë pa asnjë motiv.

Me fjalë tjera, e kanë përvetesua e privatizua çdo segment të jetës institucionale në Kosovë. Janë pasuruar pameritueshëm, pa djersë e pa u mundua fare. Shkaku i qeverisjes së “mirë” të tyre, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të izoluar karshi botës. Nëntëmbëdhjetë vjet pas luftës, e dhjetë vjet shtet, qytetari i shkretë shashtriset veç ëndërr me pa se i ka bë tre fëmijë, e lëre më në realitet. Kah ti mbajë, si ti rrisë ata fëmijë pa asnjë mbështetje të shtetit.

Pra, në situatë normale, me pak dinjitet e moral, këta jo që nuk duhet me lypë zgjedhje të parakohëshme, por me vetëdeshirë me u deklarua se minimum tre mandate me qëndrua në opozitë. E keni bë bërllog!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE